ParlamentarePolitika

DEBATI/ Dash Peza sherr me Xhafën në Kuvend. Deputeti përplas derën dhe largohet nga komisioni

Shkak për këtë konflikt jo të zakonshëm është bërë largimi i deputetëve të maxhorancës në kafe, gjatë kohës që pjesa tjetër e Komisionit po diskutonte projektligjin për Kodin e Procedurës Administrative. Nismë, e cila prej disa vitesh po diskutohej me ekspertët e huaj të SIGMA-s dhe misionit të Euralius.

Projektligji nuk u miratua në tërësi në mbledhjen e shkuar për shkak të mungesës së kuorumit, pasi deputetët e opozitës dhe një pjesë e deputetëve të shumicës ishin larguar para kohe nga mbledhja e Komisionit. I njëjti skenar u përsërit edhe dje, por që nuk kaloi në heshtje nga Xhafaj.

Protagonist i përplasjes u bë deputeti Dashamir Peza, ky i fundit erdhi në Komision bashkë me socialistin Blendi Klosi gjatë kohës që po mbyllej mbledhja.

Në këtë kohë, dy ekspertët e SIGMA-s po përshëndesnin bashkëpunimin që kishin pasur me Komisionin e Ligjeve, ndërkohë që dy deputetët hynë në sallë. Kryetari i Komisionit, Fatmir Xhafaj, u ka kërkuar deputetëve të tregojnë respekt dhe korrektesë për ekspertët e huaj, ose në të kundërt të mos vinin fare në mbledhjet e Komisionit.

Kjo thënie e Xhafajt ka nervozuar deputetin e Tiranës, Dashamir Peza, i cili është larguar nga mbledhja në mënyrë demonstrative, duke bojkotuar votimin. Por kolegu tjetër i PS-së, Blendi Klosi, ka qëndruar në mbledhje, duke mos u larguar bashkë me Pezën. “Mos hajdeni fare… Të qëndronit në mbledhje, të paktën tregoni minimumin e respektit ndaj të ftuarve”, tha Xhafaj gjatë diskutimit pa mikrofon.

Në mbledhjen e djeshme, Xhafaj u mundua para ekspertëve të huaj të justifikojë dhe mungesën e relatorit të projektligjit, deputetit Armando Subashi. Ky i fundit ka nisur fushatën elektorale në qarkun e Fierit, pasi është kandidati i zyrtarizuar nga Partia Socialiste, për Bashkinë e Fierit.

“Relatori nuk është i pranishëm për arsye objektive dhe subjektive. Po, psikologjike thotë zoti Majko, por shpirtërisht është këtu. Votën e ka pro. Do jetë pasnesër në seancë dhe do të jetë mbledhja e tij e fundit”, tha Xhafaj.

Debati në komision

(Deputetët Dashamir Peza dhe Blendi Klosi vijnë në Komision gjatë kohës që po flisnin ekspertët e SIGMA-s për projektligjin e ri të Kodit të Procedurës Administrative)
Dashamir Peza: O kryetar, erdhëm ne, kur është votimi?!
Fatmir Xhafaj: Mos hajdeni fare… Të qëndronit në mbledhje të paktën, tregoni minimumin e respektit ndaj të ftuarve. Dashamir Peza: Të ikim fare, pra…
Fatmir Xhafaj: Po ik ku të duash, mos hajde fare këtu!
Dashamir Peza: Unë iki fare…
(Deputeti Dashamir Peza largohet nga salla, përplas derën)
Fatmir Xhafaj: Është mungesë respekti kjo.
(Deputeti Blendi Klosi ulet në karrige, nuk largohet bashkë me kolegun)
Fatmir Xhafaj: Relatori (Armando Subashi, kandidat për Bashkinë e Fierit) nuk është i pranishëm për arsye objektive dhe subjektive.
Pandeli Majko: Edhe psikologjike…
Fatmir Xhafaj: Po, psikologjike thotë zoti Majko, por shpirtërisht është këtu. Votën e ka pro. Do jetë pasnesër në seancë dhe do të jetë mbledhja e tij e fundit. I takojnë vlerësime për punën që ka bërë…
(Pas votimit, deputeti Subashi vjen në Komisionin e Ligjeve, kur mbledhja kishte mbaruar).

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button