Opinion

Sa vlen firma për Bojaxhiun?

Andi Bushati
Andi Bushati

Megjithë suksesin e papritur të dyfishit të nënshkrimeve që i duheshin në garën për Tiranën, Gjergj Bojaxhi është larg pritshmërive të një pjese të votuesve.

Së pari atij do t’i duhet të neutralizojë makinerinë e thashethemnajës që aparatet e dy partive të mëdha kanë vënë në punë, ndërkohë që ai vazhdonte të bënte çunin e mbarë të qytetit.
Demokratët e kanë vizatuar atë si një djalë plangprishës, të sponsorizuar nga e majta për t’i prishur punë ish familjes së tij politike. Legjendat e prodhuara nga selia blu flasin për interesa ekonomike të cilat janë të papërputhshme me një kandidat antisistem. Ndaj version i tyre është: Bojaxhiun e kanë futur për të çorientuar elektoratin e djathtë dhe për të shpërndarë votat e Halim Kosovës.
Ndryshe mendojnë në kampin e shumicës. Sipas tyre një kandidimi i tij është pasojë e mospërputhjes të ambicjes të stërmadhe personale me rregullat e një partie- garnizon nga e cila ai u largua. Por edhe të majtët refuzojnë ta shohin si një kandidaturë antisistem, këtë administrator publik, që nuk la gjë pas as në KESH, as në prishjen e ndërtimeve pa leje dhe ëndrra më e madhe e të cilit qe, që të bënte përpara në degën e telendisur të PD-së së Tiranës.
Tani që është kandidat zyrtar, Gjergj Bojaxhi do të duhet të luftojë kundër këtyre dy portreteve klishe që i kanë ngritur kundërshatërt e tij.
Por, rruga e vetme që ka për ta bërë këtë është që të ngërthejë mbi vete të gjitha vlerat e një kandidati antisistem. Kështu jo vetëm do të pastronte nga akuzat imazhin e tij, por mbi të gjitha do të nderonte dhe të gjithë ata që u drejtuan me shpresë drejt stendave “Ne Tirana”, për t’i bërë të mundur mbledhjen e mbi 13 mijë nënshkrimeve.
Natyrisht ky mision nuk është i lehtë.
Së pari Bojaxhi duhet të denoncojë deri më një masakrën 11 vjeçare që Rama i ka bërë Tiranës. Të tregojë me gisht parqet që nuk janë më, ndërtimet brenda oborreve të shkollave, fushat e zhdukura të sportit. Por ai duhet të shkojë edhe më tej: ai duhet të tregojë dhe cilët kanë qenë ata biznesmenë që u bënë ortakë në këtë masakër. Ai duhet të tregojë gjithashtu se sa prej tyre janë sot deputetë, sa prej tyre pronarë mediash dhe sa prej tyre drejtues emisionesh që i fituan lejet përmes shantazhesh.
Nëse vendos ta luajë këtë rol, Bojaxhi duhet të denoncojë edhe ish familjen e tij politike. Ai duhet të kërkojë anulimin e planit urbanistik të miratuar nga Basha. Por jo vetëm kaq. Jo vetëm të na ritregojë se cilat janë ndërtimet që sipas tij planifikohen të ngrihen në bllok dhe anës rrugës së Elbasanit, në të vetmen zonë tradicionale të mbetur në Tiranë. Pasi të bëjë këtë ai s’duhet të ngurojë të artikulojë edhe njerzit e afërt të familjes së ish kryeministrit që blenë troje në këto zona, ashtu sikurse në pjesën nga do të zhvillohej bulevardi i ri, duke ngritur një rrjet mafioz që mund t’i jepte dërrmën përfundimisht kryeqytetit.
Pra, nëse vërtet kërkon të vëshë kostumin e kandidatit antisistem, Gjergj Bojaxhi do të duhet të luftojë paralelisht në tre fronte. Jo vetëm kundër dy partive të mëdha që e kanë vizatur tashmë sipas dëshirave portretin e tij. Ai duhet të përballet njëkohësisht edhe me pjesën më të madhe të biznesit që ka flirtuar me to. Atij i takon të ndeshet gjithashtu edhe me botuesit dhe pronarët e mediave, që janë investuar për ta mbajtur këtë status quo, që bëjnë lojën e kalimit herë majtas dhe herë djathtas, por në fakt mbajnë gjithnjë në këmbë të njëjtën kastë.
Kjo lloj strategjie vërtet rezikon ta vërë Bojaxhiun në qendër të luftës politike. Ajo vërtet riskon ta lërë fushatën e tij pa financime të mëdha dhe pa hapësirë mediatike, por ajo dhe vetëm ajo, mund t’i sigurojë një bazë të vërtetë elektorale. Njerëzit që nënshkruan për kandidaturën e tij (isha edhe unë mes tyre) dhe ata që mund të votojnë nesër për të, duan pikërisht këtë. Ata nuk duan çunin e mirë që mjaftohet me mesazhin se është i ndryshëm nga dy të mëdhenjtë. Njeriun që nuk vjedh, nuk vret dhe nuk ngjan me modelin që ofron PD dhe PS.
Ata kërkojnë shumë më tepër se kaq. Ata s’kërkojnë apatikun që refuzon, por protagonistin që revoltohet.
Pjesa apatike e shoqërisë e ka zgjedhur tashmë rrugën e saj. Ajo nuk shkon në votime. Vërtet i refuzon palët, por i është nënshtruar fatalitetit të ndryshimit që nuk prodhon asgjë.
Ndërkohë ka një pjesë tjetër: ajo që nuk e duron dot Shqipërinë që plaçkitet, boshatiset, varfërohet dhe humbet përditë nga pak. Ajo është e gatshme të ngrihet në këmbë sapo ka një fije shpresë. Kjo është Shqipëria e etur që të presë një kandidat antisistem. Ajo mund të përbëjë gjenezën e një lëvizjeje si ajo që pretendon Bojaxhiu.
Por deri më tani ai nuk e ka marrë përsipër këtë rol. Deri më tani është mjaftuar të bëjë djalin e mirë që nuk pajtohet me ato që shef. Duke mbledhur firma më shumë sesa ka nevojë, por duke harruar që koha ecën. Duke harruar ndoshta gjithashtu se sfida ku e ka futur veten ka vetëm dy rrugë: ose t’u nxjerrë bojën kandidatëve të kastës, ose të përfundojë si bojaxhi i saj.

Related Articles

Nje koment

  1. Ne  Tirane  dhe Shqiperi,  s’ka erdhur koha te fitojne shqiptaret e ndershem,te drejte, te afte,keta i  pengopjne politikanet e koruptuar  me pasuri te eza, shto dhe shqiptaret qe  nuk njohin  barin e dreqit nga  gruri.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button