Home / Keshilla / Flokët e thatë, shkaqet dhe “ilaçet” natyrale

Flokët e thatë, shkaqet dhe “ilaçet” natyrale

Flokët e thatë mund të duken estetikisht jo të bukur për arsye të ndryshme. Megjithatë, të mos harrojmë se ekzistojnë përbërës të veçantë, që na garantojnë bukurinë e flokëve. Shihni më poshtë se si ta zgjidhni një problem të tillë nëse e keni.

Shkaqet

Shkaqet e flokëve të thatë, të brishtë dhe në të njëjtën kohë të shpupuritur janë të shumtë. Shkak mund të jetë një ushqyerje e keqe, apo ndjekja e një diete e privuar nga substancat e duhura ushqyese si Omega 3. Në këtë rast, flokët bëhen të brishtë dhe dëmtohen lehtësisht. Ky problem mund të ndodhë edhe nga larja e shpeshtë e flokëve e duke përdorur shampo që përmbajnë substanca kimike të dëmshme. Edhe përdorimi i shumtë bojërave mbi ta i dëmton ato. Flokët e thatë mund të bëhen të tillë kur vuani nga ndonjë sëmundje prej një kohe të gjatë, prej së cilës mund të merrni ilaçe që shkaktojnë tharjen dhe dëmtimin e tyre të vazhdueshëm. Flokët më të thatë shpesh janë ata kaçurrelë, ndaj një nga gjërat më të rëndësishme në kujdesin e flokëve të thatë është mospërdorimi i tharëses.

Ilaçet natyrale

Nga ilaçet natyrale për flokët, përmendim trajtimin me bazë vaj ulliri, që mund të jetë i dobishëm si për lëkurën e kokës ashtu edhe për të gjithë flokët, thjesht duke i masazhuar. Ju mund të bëni një maskë riforcuese me pulpin e avokados të përzierë me atë të bananes ose dhe me majonezë. Përbërja duhet të lihet të veprojë për rreth 30 minuta, për ta shpëlarë më pas me ujë të ftohtë. Për flokët e “stresuar” mund të përdorni edhe uthull të bardhë, të cilin duhet ta përzieni me ujë të ngrohtë, para se t’i lani. Nëse flokët janë shumë të thatë ju mund t’u hidhni atyre përzierjen me dy tasa ujë dhe një me uthull, edhe pasi të keni përdorur shampon, duke e lënë të veprojë për pak kohë. Provoni edhe maskën me vezë, të cilat janë të pasura me proteina. Me to mund të krijoni një maskë tepër të lehtë, thjesht duke rrahur fillimisht të bardhën e tyre derisa të bëhen si shkumë e më pas të hidhni pjesën e verdhë. Pasi t’i përzieni së bashku lyejini të gjithë flokët. Në fund duhet t’i shpëlani me ujë dhe uthull të bardhë. Një maskë tjetër kundër flokëve të thatë është edhe ajo që përmban 2 mollë, 1 banane dhe 250 ml glicerinë. Në fillim i përzieni këto masa me njëra-tjetrën, dhe më pas përftimin e tyre e përhapni në të gjithë gjatësinë e flokëve. Maskën lëreni të veprojë për dhjetë minuta. Më pas ata shpëlajini me ujë të vakët, sepse uji i nxehtë i dëmton. Kjo maskë me përbërje frutash i ndihmon flokët e thatë të marrin vitaminat, të cilat i ndihmojnë rrënjët të rigjenerohen, si dhe u japin shkëlqim dhe volum. Kundër flokëve të thatë ju këshillojmë të hani ushqime të pasura me vitaminë A dhe C. Për shembull spinaqi, përmban vitaminat A, B dhe C. Gjithashtu është i pasur në kalium, kalcium, hekur dhe magnez. Po kështu edhe karotat përmbajnë vitaminë A. Ndërsa salmoni përmban Omega-3 që ndikon edhe më mirë në shëndetin e flokëve tuaj. Ju mund të hani edhe thjerrëza, të cilat përmbajnë zink; patate, midhje, vezë, peshk ton. Arrat i forcojnë flokët në sajë të përmbajtjes së lartë të biotinës. Por edhe mishi i freskët i shpendëve, e veçanërisht ai i pulës, i pjekur apo i zierë me pilaf, është tejet i shëndetshëm. Arsyeja? Proteina pa fund dhe cilësore që ushqejnë si duhet rrënjët e flokëve.

Burimi: Nano Press

Leave a Reply

Your email address will not be published.