Te ndryshme

Bumi i martesave në Francën e pasluftës së Parë Botërore

Një burrë i mirë duket se është e vështirë të gjendet. Por, pavarësisht një ideje të gjithëpërhapur rreth martesave në rënie në SHBA dhe shumicën e botës së zhvilluar, duhet theksuar se ndryshe nga ç’duket, disbalanca mashkull-femër nuk është ajo që po ndodh në të vërtetë.

Mungesa e balancës gjinore është një fakt jetësor në Kinë dhe Indi, ku preferencat tradicionale për meshkujt së bashku me zhvillimet në teknologjinë paralindje kanë rezultuar në një mjet përzgjedhje gjinore përmes abortit që prej viteve 1990. Po ashtu, norma e martesave në Liban mbetet e ulët, një trashëgimi demografike e një lufte civile 15-vjeçare dhe rezultat i valëve të emigracionit të meshkujve në moshën e duhur.

Një situatë e ngjashme ndodhi në Vietnam në vitet 1970 dhe 1980, pas fundit të luftës me SHBA-në. (Ndonëse Vietnami tani është kryesisht i prirë nga meshkujt prej përzgjedhjes gjinore).

Në atë që njihet si hipoteza e ‘shtrëngimit të martesës’, demografët dhe ekonomistët dikur mendonin se mungesa e balancës gjinore ushtronte një ndikim të madh në normën e martesave. Ishte një teori e mirë. Por si shumë teori të mira, nuk përkufizon gjithnjë të dhënat empirike.

Të marrim, për shembull, Francën pas Luftës së Parë Botërore. Lufta e viteve 1914 deri në 1918 e shkatërroi Francën nga ana demografike. Gjatë viteve të luftës, pati rreth 8.7 milionë francezë nga mosha 20 deri në 50. Rreth 6.5 milionë u përfshinë në ushtri. Rreth 1.4 milionë vdiqën.

Pas luftës pati rreth 40 për qind më pak meshkuj francezë beqarë për çdo grua të pamartuar, krahasuar me më parë, sipas një të dhëne të fundit mbi këtë çështje publikuar nga John Knowles nga Universiteti Simon Fraser dhe Guillaume Vandenbroucke nga Banka e Rezervës Federale të St. Louis.

Sipas mendimit tradicional të ‘shtrëngimit të martesës’, normat e martesës franceze në vitet pas Luftës së Madhe duhet të kishin rënë. Në vend të kësaj, ato u rritën, ashtu si në konfliktet e tjera të përgjakshme.

Demografi francez, Louis Henry, së pari e nxori në dritë këtë fakt në vitet 1960, duke argumentuar se francezet gjetën një zgjidhje inteligjente për dilemën e pasluftës: ato u martuan me burra më të rinj.

Kërkime të tjera thonë se francezet kishin më tepër gjasa të martoheshin poshtë klasës së tyre sociale pas luftës, duke reflektuar pamjaftueshmërinë e partnerëve meshkuj.

Kërkimet më të fundit thonë se bumi martesor i pasluftës është ana tjetër e uljes drastike të martesave gjatë luftës. Autorët e kësaj teorie janë shprehur se pas Luftës së Parë Botërore burrat që ishin në moshë martese dhe që e kishin shtyrë këtë prej luftës ndihmuan në fuqizimin e këtij institucioni pas vitit 1918.

“Ideja është se lloji i burrave që gjenden në një shtet, për shembull gatishmëria e tyre për martesë, është shumë e rëndësishme për normën e martesës”, – shkroi Vandenbroucke, një prej autorëve të studimit.

“Mund të ketë pak burra në një shtet dhe pavarësisht kësaj, femrat mund të kenë raste më të mira për t’u martuar sepse ata që janë vërdallë e kanë mbledhur mendjen për martesë”.

Sigurisht, edhe pse norma e gjinisë në SHBA është paksa e anuar në favor të meshkujve, shifra rreth 96.7 burra për çdo 100 femra në vitin 2010 është shumë larg nga Franca në vitet 1920.

Por saga e martesës franceze pas luftës tregon se ndonëse martesa është një treg, si të gjitha tregjet, nuk është kurrë thjesht një çështje e kërkesës dhe ofertës.

Nuset e pasluftës

Gjatë dhe menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, më shumë se 60,000 ushtarë amerikanë që ishin martuar jashtë shtetit morën premtimin se gratë dhe fëmijët e tyre do të transportoheshin lirisht në SHBA. Operacioni ushtarak amerikan “Nusja e Luftës”, transportoi më shumë se 70,000 gra dhe fëmijë, që kur nisi në Britani në fillim të 1946.

Dërgesa e parë e nuseve të luftës mbërriti në SHBA më 4 shkurt 1946 me 455 gra britanike dhe 132 fëmijë. Sipas një llogarie, 300,000 nuse të huaja lufte mbërritën në Shtetet e Bashkuara pasi kaloi Akti i Nuseve të Luftës në vitin 1945, prej tyre 51,747 ishin filipinase.

Rreth 650 nuse japoneze migruan në Australi pasi ndalimi i emigrimit japonez u hoq në vitin 1952 kur hyri në fuqi Traktati i Paqes së San Francisko. Ato ishin martuar me ushtarë australianë gjatë Pushtimit të Japonisë.

Rreth 43,500 nuse lufte shkuan në Kanada të shoqëruara nga 21,000 fëmijë.

*Burimi: Quartz

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button