Home / Kryeartikull / Dua qytetin tim

Dua qytetin tim

MONIKA SHOSHORI STAFA

“Në brendësi të shtetit po ashtu si në brendësi të trupit njerëzor shtohet përditë diçka e re, gjë që e bën të nevojshëm, herë pas here një pastrim” Francesko Fiorentino

E kush nga ne nuk do të ëndërronte të jetonte në një qytet të themeluar dhe “të fortifikuar” në atë mënyrë që asnjë njeri të mos mundet në asnjë rast që ta udhëheqë atë i vetëm dhe pa të tjerë, por dhe që askush prej këtyre “udhëheqësve” mendjendritur të mos mund të shkëputet nga ai pa shkaktuar një dëm të madh sa të shembet dhe vetë shteti. Ka ndodhur ndonjëherë? Ju ka shkuar ndër mend se kur? Përse është kaq i ëmbël qyteti? A e di ndokush prej jush, politikanë dhe jo vetëm të na e thotë? Se nëse e dinë do të duhet të na e tregojnë që t’ua tregojmë më pas fëmijëve tanë sepse vetëm kështu një ditë të bukur ata, e ardhmja jonë pra, do të mund të na tregojnë nesër rrugën që ne i lamë pas. Vetëm kështu ata do të mund të na qëndrojnë gjithmonë e më pranë e do të vazhdojnë të jenë gjithmonë e më fort të bashkuar drejt shëtitoreve qytetëse. Kur Kryetari i Kuvendit ca ditë më parë kish zgjedhur të ulej kuvendçe me të rinjtë e qytetit gjatë ditëve të fundit të prillit, nga amfiteatri plot histori në liqenin artificial, u ula ta dëgjoja me vëmendje se cilat mund të ishin aspiratat e tyre të afërta dhe pse jo edhe të largëta kundrejt njeriut që lipsej të ishte ai, që do mund t’u mësonte rrugën e “përndritur” drejt së ardhmes. S’e mora këtë ndjesi, më saktë aspak e kurrkund nuk mësova asgjë më shumë për të ardhmen e tyre. Gjithkush shihte të ardhmen e vet të ndërvarur tek ai. Në këtë rast qe ai, në një rast tjetër do të ish një tjetër. Por kjo s’do kish më, pikë rëndësie. Sigurisht zgjedhjet për një kryebashkiak të ri e kanë shtuar axhendën e takimeve me popullin të të gjithë “patricëve” të politikës, me të gjitha shtresat e me të gjitha moshat. Zgjedhjet lokale që priten të mbahen më 21 qershor do të kryhen në të gjithë Shqipërinë, pavarësisht faktit që s’kemi parë ende e çfarë ofrojnë platformat e të dyja palëve edhe këtu brenda zemrës së kësaj fushate, në Tiranë. Por askush nuk duhet të harrojë se sovraniteti dhe e ardhmja e një vendi nuk mbahet duke i përqendruar sytë vetëm në një qytet, si partitë politike duket se e kanë paracaktuar projektin e tyre propagandues. Sepse secili nga qytetet e këtij shteti, ka mes hijeve të mureve të tij apo brenda kufijve të juridiksionit të vet, po aq të drejtë sa çka dhe fuqi për të vepruar. Ndaj qytetet e Shqipërisë që i kam vizituar me shumë dëshirë sa herë më është dashur të sjell histori personale, me shikim edhe prapavajtës të karakterit historiko-ekonomik, në shërbim të shtresave në nevojë, duhet të ndihen të bashkuar dhe pa asnjë hezitim të ndërlidhur me njëri-tjetrin, jo thjesht si një konfederatë por si qytete që përbëjnë një shtet të vetëm. Ky është shqetësimi që më trazon sa herë ata i vizitoj dhe kur përpiqem t’u marr ndër biseda ndoshta një copëz Shqipërie qeverisëse. Natyrisht qytetet e vogla nuk mund ta pretendojnë fuqinë e një kryeqyteti apo dhe të drejtat më të shumta që ai ka, sepse të kërkosh barazinë mes të pabarabartëve do të thotë të kërkosh një gjë absurde. Por ndërkohë nuk ka asnjë dyshim se vetë qytetarët nga ana tjetër nuk e duan këtë lloj diskriminimi dhe me të drejtë sot në një botë të kthyer fund e krye në një glob të vogël gjeografik, ata gjykohen me të drejtë si të barabartë, sepse fuqia e secilit prej tyre krahasuar me atë të të gjithë shtetit, është e papërfillshme. E dimë shumë mirë se fuqia e çdo qyteti përbën një pjesë të madhe të fuqisë së vetë shtetit dhe sa më i madh të jetë qyteti, aq më e madhe është dhe pjesa e fuqisë së tij në shtet. Por në kuptimin modern të këtij koncepti, jo të gjithë qytetet mund të konsiderohen si të barabartë mes tyre. E drejta e secilit prej tyre njësoj si fuqia e tij, duhet vlerësuar në përputhje me madhësinë e tij. Por e rëndësishme është që qeverisësi i qytetit, të cilët janë të paktë apo të shumtë në numër, edhe kjo varet nga madhësia e qytetit, të kenë të drejtën sovrane plotësisht mbi qytetin e tyre dhe këshillat, të cilat askurrë s’u morën vesh se si për dreq do të duhej të ngriheshin, mbi baza partiake vetëm apo dhe interesi profesional në mes. A duhet ata të ruajnë historinë e qytetit apo ta rindërtojnë atë nga e para? Do të duhet të rrisin taksat e t’ua shpjegojnë qytetarëve apo të bëjnë dhe shfuqizojnë ligje dhe absolutisht për të bërë gjithçka që do ta gjykojnë të domosdoshme për ruajtjen dhe zhvillimin e qytetit? Parimet themelore të mirorganizmit dhe mirëqeverisjes së një qyteti shkojnë padyshim drejt forcës së sovranitetit që një shtet ka. Lidhja dhe bashkërendimi mes qyteteve të një vendi, të vogla apo dhe të mëdha qofshin, bëhet e shëndetshme sa kohë dhe qeverisja e vendit është e tillë, e shëndoshë dhe e efektshme. Por sesi duhen bashkuar të gjitha qytetet drejt një pike qendrore, që quhet qeverisja qendrore, në mënyrë që secili prej tyre të vazhdojë të varet sa më shumë nga vetë e drejta e tij, kjo pastaj, ka të bëjë me shëndoshjen e parimeve që gëzon shteti i së drejtës. Dhe pas kësaj, nuk ka më mirë se gjendja e një shteti që emrin e tij e merr jo vetëm nga një qytet i vetëm si shtetet perëndimore këtë aksiomë e gëzojnë prej kohësh. Si Austria nuk njihet vetëm prej Vjenës, Italia jo vetëm prej Romës, Gjermania jo vetëm prej Berlinit apo secila me radhë. Ndërsa ne vëmë ende pikëpyetjen nëse na njohin për këtë pjesë të historisë apo jo e jo më të pretendojmë të njohin Gjirokastrën, Himarën, Korçën apo Shkodrën. Ndaj ata të cilët për shkak të ambicies njerëzore, profesionale, do të duhet të futen në garë e të zgjidhen si të parët e qyteteve të tyre do të duhet ta ruajnë fort të drejtën e tyre të pavarur të të qeverisurit dhe nëse do të jetë e mundur, edhe duhet ta shtojnë ambicien për forcën që të jep kjo e drejtë sepse vetëm kështu do të duhej t’i afrohej marzheve historike të paraardhësve të vet europianë e për të dalë jashtë llumit të baltës nga qeverisja e komunarëve të 25 viteve që aspiratë të vetëm, kishin ndarjen e një certifikate dhe vjedhjen e tokave poshtë dhe matanë lumit të fshatit. Vetëm kështu ata do ta ushtrojnë forcën e tyre më shumë duke bërë mirë se sa dëm. Ndërsa për rastet kur çdo qytet sheh interesat e veta dhe ka zili të tjerët, shpesh prej tyre priten konflikte duke humbur kështu kohë me debate. E para, që rrënohet është liria, bashkë me të mirën e përbashkët, kur një grup i vogël njerëzish vendosin gjithçka vetëm sipas instinkteve që i udhëheqin. Në fakt mendjet njerëzore janë shumë të mpira për të kapur gjithçka menjëherë, por duke u këshilluar, duke dëgjuar e duke diskutuar ato mprehën dhe duke i shqyrtuar të gjitha mundësitë me ngulm, ato gjejnë zgjidhjet që kërkonin, ato që miratohen nga të gjithë dhe ato për të cilat askujt nuk i kish shkuar mendja më parë. Ndaj në këtë kohë të trazuar nga shumësia e viteve për t’i kthyer qytetarët në çdinjitarë të pashembullt të “shtetit” të vet, reformat që duan të zhbëjnë vendin nga e keqja do të dhembin akoma. Përmbysja e beftë e komunave me krerë të shëmtuar barkalecë që vraponin pas hiseve të pushtetit të mbajtur me pula të pjekura dhe certifikatash mashtruese dhe të vjedhura pronësie, nuk erdhi nga fakti që koha u shpërdorua me diskutime të kota, por nga themelet e gjymtuara të shtetit të 25 viteve, si dhe numrit krejt të vogël të atyre që drejtonin. Sepse vetëm në një shtet si ky, ku qytetarët e fuqishëm janë më pak të frikshëm dhe aty ku lirinë e gëzojnë shumë qytete, ai që synon të marrë pushtetin, nuk do të mund t’i mjaftojë zotërimi i një qyteti për të fituar sovranitetin mbi gjithë të tjerët. Ai e di mirë se ç’duhet të bëjë më shumë se kaq.

Leave a Reply

%d bloggers like this: