Arte

Qyteti që jeton me të shkuarën…

Nga Alda Bardhyli

“Zoti përcjelltë në zemrën tënde dëshira, të cilat të të realizohen, kurse në buzë të shoqëroftë lutja, e cila të dëgjohet”. Katena, një grua e re që duhet t’i jetë afruar të 40-ave, thotë këto fjalë teksa vazhdon të krehë flokët e një vajze 13-vjeçare. Kur është vetëm në frizurën (parukerinë) që e ka hapur prej disa vitesh ajo heq shaminë që mban mbi kokë dhe kreh flokët e saj. Janë dhjetëra ndjesi që shoqërojnë një grua përballë pasqyrës, ku feminiteti shpesh ngatërrohet me mendimet e së tashmes dhe e bën të mendojë. “Flokët e mi fillojnë të shndrijnë nëse ndihem e kënaqur nga dikush, ose p.sh. kur jam e dashuruar dhe bëhen pa jetë kur nuk jam në formë”, thoshte dikur Anastasia, gjyshja e saj. Gratë që kanë lidhur jetën me besimin, dinë t’i ruajnë bukur mendimet e tyre. Ka diçka të ngjashme në mendimet e çdo gruaje. Por Katena, ashtu si çdo femër në Sarajevë, ka historinë e saj. Një histori ku përzihej kujtimi dhe malli për njerëz që nuk janë më, miq të fëmijërisë që nuk i përshëndet më në rrugën që bën çdo ditë për në shtëpi. Fotografi në muret e bardha të shtëpisë që i kujtojnë çdo ditë të shkuarën. Portretet e njerëzve që humbën jetën gjatë luftës, kanë ngelur bashkë me shpirtin e tyre banesave karakteristike të këtij qyteti, duke u ngjallur shpesh përmes historive që vijnë nga familjarët. Qilimi i vjetër i gjyshes që vazhdon të qëndrojë në dhomën e pritjes, të vetmin që ajo nuk e shiti në kohë lufte. Sarajava është e mbuluar nga një tis blu, teksa buzëmbrëmja po bie ngadalë. Bri rrugëve të ngushta, pallatet e larta që të kujtojnë se ke hyrë në një qytet të ish-Konfederatës Jugosllave për nga arkitektura, mbajnë në trup shenjat e luftës. Qindra shenja plumbash shihen në ndërtesat që kanë mundur të shpëtojnë njerëzit nga vdekja. Kaq vite pas rrethimit të gjatë të Sarajevës, duket sikur lufta ka vetëm pak orë që ka mbaruar. “Vetëm disa ndërtesa kanë mundur të rikonstruktohen, ndërsa të tjerat vazhdojnë të jenë të njëjta”, thotë Edo Hoziç. Një ndër ndërtesat e para që morën sërish jetë ishte Biblioteka Kombëtare Vijecnica. E njohur si “Kujtesa e Sarajevës” ajo u shkatërrua nga forcat serbe në vitin 1992. Kthimi i saj në gjendjen e mëparshme ishte si një kthim krenarie për boshnjakët. E ndërtuar sipas stilit Andaluzian në mes të viteve 1892-1896, ku vendi ishte nën Austro-Hungarinë, ajo mbante më shumë se 6 milionë libra dhe arkiva të veprave të shkrimtarëve boshnjakë, serbë, kroatë apo hebrenj. Më 25 gusht të vitit 1992, ajo u shkatërrua nga një zjarr që dogji 155.000 dorëshkrime, dhe pothuajse dy milionë libra u zhdukën. Pas 18 vjetësh kjo ndërtesë qëndron si një sfidë ndaj së shkuarës, bri urave të vogla që të çojnë në lagje nga ku nuk do të dalësh në këtë qytet. Kjo ndërtesë që të kujton lidhjen e bukur të këtij vendi me librin, shfaqet para teje pasi ke kaluar “Çarshinë e vjetër” aty ku kulturat e pakicave të këtij vendi janë shkrirë në mënyrë të përkryer. Aty ku dyqanet e vogla të mbushura me suvenire, rrugicat me kalldrëm dhe byrektoret e shqiptarëve nga Maqedonia jetojnë me historinë. Në tabakanë prej bakri mund të shohësh plumba të kthyera me mjeshtëri nga artizanët në stilolapsa. Një simbol që vendasit iu imponojnë të huajve, si shenjë e një historie që nuk duhet të përsëritet. Çarshia e vjetër është një nga pjesët më të vizituara të qytetit, nga dhjetëra turistë që mbërrijnë çdo ditë në këtë vend. Por dalja nga Çarshia të përball sërish me pallatet e kthyera në një tablo të gjallë të artit bashkëkohor. Problemet politike dhe ato mes pakicave kanë bërë që pakkush ta ketë mendjen te fizionomia e qytetit, duke i bërë njerëzit të përballen çdo ditë me të shkuarën. Dritat e semaforëve të kujtojnë ende ankthin e vrapimeve për t’u shpëtuar snajperëve që ishin vendosur mbi ndërtesa. Një shi i lehtë zbret ngadalë këtë mbrëmje prilli, si për të shuar gjithë pluhurin e kujtimeve që ngrihet çdo ditë mbi rrugë. Në qiparisat e larta që të çojnë në lagjen e vjetër të qytetit, muzika e disa zogjve të kujton simfoninë e pranverës, duke grishur zërin e heshtjes. Heshtja në qytet shoqërohet gjithnjë nga një muzikë, që o vjen prej krijesave të vogla fshehur nëpër pemë, apo nga ujërat e lumit Netriva që rrjedhin lehtë. Historia i ka bërë boshnjakët të jetojnë më shumë brenda shtëpive të tyre, duke e parë daljen në rrugë ende me ankth. “Do të duhet kohë që njerëzit të marrin veten nga ajo çfarë ka ndodhur”, thotë Hoziç. Ish-gazetar, dhe intelektual i angazhuar në jetën politike dhe sociale të vendit, ai e kupton shumë mirë zërin e heshtjes, ndërsa përpiqet të shpjegojë shpirtin e madh të atyre njerëzve që janë gjaku i tij. Shumë boshnjakë lanë shtëpitë e tyre gjatë luftës. Hoziç ishte një prej tyre. Pjesa më e madhe e familjeve u kujdesën të çonin larg fëmijët, për t’i shpëtuar. Jasmin Corbadziç e kujton ende kthimin në Sarajevë në vitin 1995. Ishte hera e parë që ai u përball me luftën. “Ecja rrugëve të qytetit dhe qaja si fëmijë, teksa shihja si ishte shndërruar”, thotë ai. Kur lufta nisi familja e tij u shpërbë. Ai shkoi të studionte në Slloveni, motra nisi studimet në Lubjanë, nëna shkoi për të punuar në Gjermani për të mbajtur dy fëmijët, dhe burrin që mbeti në Sarajevë. “Isha adoleshent dhe nuk e kuptoja mirë çfarë po ndodhte. Isha në një qytet të bukur dhe isha i lirë. Kisha jetën që çdo i ri do donte ta bënte. Më mungonte familja, por sërish isha i lirë”, tregon ai naivitetin e një studenti. Por kthimi në qytetin e lindjes do ta përballte Jasmin me të vërtetën. “Babai im ishte plagosur nga snajperi, por falë Zotit shpëtoi, ndërsa xhaxhai mbeti i vrarë. Miq të tjerë të familjes nuk janë më”, tregon Corbadziç. “Ishte një shok i vërtetë kthimi. Qyteti nuk ishte më si më parë, po kështu dhe njerëzit. Im atë kishte ndryshuar dhe shtëpia ku dikur ishim të gjithë bashkë nuk ishte më e dikurshmja”. Por kthimi e bëri Jasmin më të fortë. Ai mund të merrte sërish avionin dhe të kthehej në Lubjanë apo në çdo vend tjetër të Europës, por ka zgjedhur të jetojë në Sarajevë. “Nuk ka vend tjetër si vendi im. E dua këtë vend, sigurisht që ka probleme por dua të jetoj këtu”, thotë ai. Është e vështirë për një boshnjak të lërë shtëpinë. “Është si t’i heqësh zemrën”, thotë Jasmin. Familja është diçka e shenjtë në këtë kënd të Ballkanit po aq sa atdheu. “Por lufta nuk ka mundur t’u heqë njerëzve shpirtin”, vazhdon të flasë Jasmin ndërsa përpiqet të përkthejë tekstin e një kënge që dëgjohej këto ditë në çdo bar të Sarajevës. “Është për dashurinë”, thotë ai, duke të kujtuar se në këtë qytet nuk mund të ketë veç histori të trishta dashurie. “Hajria e bukur qan, është e sëmurë/Ajo është e sëmurë/ Gjithë Mostari erdhi ta vizitojë/ Dy djem të bukur iu afruan dhe i thanë/ I pari i tha: Nëse ti je sëmurë dhe unë jam sëmurë/ I dyti i tha: Dua të vdes për ty/ Hajria e bukur tha: Mos u sëmurni dhe mos vdisni për mua…”. Jasmin tregon se tekstet e këngëve nuk ndryshojnë shumë nga realiteti. Pavarësisht dëmit të madh psikik dhe material, njerëzit në këtë kënd të Ballkanit besojnë te shpirti. “Një boshnjak mund të qajë për një grua dhe nuk e fsheh”, thotë Jasmin, duke treguar se njerëzit vazhdojnë të besojnë në disa vlera që në Perëndim duket sikur nuk ekzistojnë më. Hajria, sipas tij, mund të jetë historia e një vajze të re boshnjake, e cila është sëmurë nga një dashuri e pamundur. Boshnjakët i duan tekste të tilla dhe mund t’i dëgjojnë gjatë teksa pinë vodka në baret që të kujtojnë Stambollin e shekullit të 19. Ndërsa Jasmin kërkon ta shohë në një formë romantike atë çfarë Sarajeva mbart përtej trishtimit të së shkuarës, Hoziç është i shqetësuar për zhgënjimin që njerëzit kanë çdo ditë nga politika. Kjo e fundit, sipas tij, po e dëmton vendin. Mungesa e një platforme të qartë politike në ndihmë të popullsisë i ka bërë këta të fundit të gjejnë strehë çdo ditë e më tepër te religjioni. Mbrëmjeve një zë që del nga minaret e xhamive të kujton se pjesa më e madhe e popullsisë në këtë vend janë myslimanë. Numri i femrave që çdo ditë vishen me perçe është rritur, ndërsa angazhimi i tyre në jetën sociale është i ulët. Hoziç e ka të vështirë të veçojë një femër boshnjake aktive në politikën e ditës, pasi zëri i tyre është pothuajse i padukshëm në realitet. “Nëse lexon gazetat në mëngjes e kupton se gjithçka në këtë vend është vetëm politikë”, thotë ai. Dhe ata pak analistë që guxojnë të shkruajnë mbi të vërtetat nuk i dëgjon njeri. Një trishtim mbulon portretin e Hoziç, teksa tregon atë çfarë ndodh sot në Bosnjë. Një vend që ka më shumë presidentë, e ministra sesa intelektualë, ta bën ta shohësh me më pak shpresë Ballkanin e së nesërmes. E shkuara duhet të mbetet në histori sipas tij dhe duhen menduar politika që do ta bëjnë më të mirë të ardhmen. Një vend ku bashkëjetojnë disa kombësi, është sot më i brishtë se dikur. Kultura e importuar nga Serbia ndihet nën tingujt e këngëve turbo-folk rrugëve të Sarajevës, po kështu në mënyrën sesi kanë humbur traditat e dikurshme të festave fetare. “Ne nuk festonim kështu dikur në këtë mënyrë, duke pirë deri vonë nëpër bare. Kjo nuk është kultura jonë”, thotë Hoziç. Lufta i ka bërë boshnjakët të jenë të tërhequr në jetën e tyre, duke i lënë hapësirë pakicave të tjera të rriten. Marrëdhënia me tjetrin, një marrëdhënie e kthyer gati në një institucion në çdo qytet në Bosnjë-Hercegovinë tashmë duket sikur ka humbur nocionin. Njerëzit janë rritur duke u vënë rëndësi gjërave të vogla, që i lidhnin me njëri-tjetrin, gjë që mungon tashmë. “Asnjë nuk e urrente dikur njëri-tjetrin. Shkollat ishin të lira dhe jo totalitare. Nuk ishte si komunizmi i Shqipërisë, por një socializëm”, thotë Hoziç, i cili i kujton me nostalgji kohën e Titos. Në këtë kënd të Ballkanit është e vështirë të gjesh dikë që të mos flasë me adhurim për Josif Broz Titon. Ata kujtojnë ekonominë e sigurt, harmoninë mes njëri-tjetrit si vlera, mungesa e të cilave po e rrënon sot Bosnjën. Hoziç e sheh nacionalizmin si një rrezik jo vetëm për vendin e tij të lindjes. Dikur njerëzit nuk ndaheshin në boshnjakë, serbë, apo kroatë, por në qytetarë të barabartë. Sot ndasitë e origjinës janë rritur, dhe çdo njëra nga këto kombësi kërkon të ketë vendin e saj në politikë. “Është një kaos, të shohësh kaq shumë përfaqësues politikë për ekonominë, kulturën, çështjet sociale, dhe vendi të jetë ende i varfër”, thotë ai. Lufta duket se nuk ka sjellë veç dramat që do duhen vite të shuhen në kujtesat e njerëzve, por dhe një krizë institucionale dhe politike që po e shndërron këtë vend me një natyrë që laget nga lumenj plot ngjyra, në një tablo të trishtë ballkanike. Një tablo që ngre pikëpyetje mbi Ballkanin e së nesërmes dhe mbi aspiratat europiane të vendeve që dolën të lënduara nga ish-konfederata Jugosllave.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button