Kosova

Kosovë- Nis ndërtimi i kompleksit të ri të ambasadës së SHBA-së

Në Prishtinë do të zhvillohet sot ceremonia e përurimit të fillimit të ndërtimit të ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Ambasadorja e SHBA-së në Kosovë, Tracey Ann Jacobson dhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, do të mbajnë fjalime me këtë rast historik”, theksohet në njoftimin për shtyp të ambasadës së SHBA-së.

SHBA-të janë vendi i parë nga gjithë bota me prani diplomatike në Prishtinë. Hapja e Zyrës Amerikane në Prishtinë, para 19 viteve, në 6 qershor 1996, që u bë nga Nënsekretari amerikan i Shtetit, Xhon Kornblum, shënoi vendosjen e pranisë amerikane në Kosovë në rrethana të veçanta.

Fillimisht, Zyrtari i USIA-as (Agjencia Informative Amerikane), Majkëll Mekllellën (Michael McClellan) më 22 maj 1996 ka mbërritur në Prishtinë për të udhëhequr punët në hapjen e Zyrës së këtij shërbimi.

Ishte kjo përfaqësia e parë e një shteti në Kosovë, hapja e së cilës ishte festë për kosovarët dhe u përjetua si një moment shumë i rëndësishëm dhe historik për të ardhmen, ashtu siç raportonte korrespondenti i ATSH-së, në Prishtinë para 19 viteve.

Ndërsa, në mëngjesin e pas natës historike të 24 marsit 1999 të ndërhyrjes shpëtimtare së NATO-s për Kosovën e popullin e saj, korrepondenti i ATSH nga Prishtina ka raportuar edhe se se forcat serbe gjatë natës kishin bërë sulme dhe vrasje të tjera në familjet dhe vendbanimet shqiptare, kishin djegur edhe selitë e institucioneve të rëndësishme kosovare e ndërkombëtare, përfshirë zyrat që ndodheshin në një shtëpizë shkrimtarësh që ishte bërë seli e Presidencës dhe e institucioneve tjera të Republikës së Kosovës, atëherë të panjohur ndërkombëtarisht dhe Zyrën e SHBA-së në Prishtinë.

Në terrin e natës dhe të okupimit të egër, drita e shpërthimeve nga goditjet e aviacionit të NATO-s nga qielli shihej si një shpresë e besim për të ardhmen e ëndërrave për lirinë e paqen derisa në Kosovë kishte marrë përmasa gjenocidi terrori i spastrimit etnik kundër shqiptarëve.

“Tani, bindja jonë e fortë për gjithçka që po ndodh në Kosovë, është e vetmja shpresë e popullit të Kosovës”, theksonte në atë ditë e orë historike, Presidenti i SHBA-së, Bill Clinton (të cilit në Kosovën e lirë i është ngritur përmendore në Prishtinë), derisa nga Shtëpia e Bardhë i drejtohej kombit amerikan, duke folur për zhvillimet tragjike në Kosovë dhe ndërhyrjen shpëtimtare të NATO-s.

Pas përfundimit të luftës, Zyra e SHBA-ve në Prishtinë (USOP) filloi të punojë në shtator të vitit 1999.

USOP përfaqësonte Departamentin e Shtetit të SHBA-së, Agjencinë për Zhvillim Ndërkombëtar të SHBA-së (USAID), Departamentin për Drejtësi dhe Departamentin për Mbrojtje.

Më 6 prill 2008 Zyra e SHBA-së në Prishtinë u bë Ambasadë, ndërsa më 18 korrik, po atë vit historik të shpalljes së pavarësisë, Tina Kaidanow është betuar si ambasadore e parë amerikane për Republikën e Kosovës.

Në 1 korrik 2009 Prishtina ndau 5 hektarë truall për ndërtimin e objektit të ri të ambasadë së SHBA-ve në Kosovë.

Atëherë kryetari i komunës së Prishtinës Isa Mustafa dhe ambasadorja amerikanë në Kosovë Tina Kajdanow, nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit për dhënien e truallit në shfrytëzim Ambasadës Amerikane, në lagjen Arbëria të kryeqytetit.

Memorandumi është edhe një shembull i forcimit të lidhjeve ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës, u theksua në ceremoni.

Pavarësinë e Kosovës të shpallur në 17 Shkurtin historic 2008 Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë njohur që në ditën e parë pas shpalljes, kur e njohën edhe Mbretëria e Bashkuar, Franca, Shqipëria, Turqia, Afganistani dhe Kostarika.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button