Home / Europa / Britania voton, Bashkimi Evropian i ndien pasojat

Britania voton, Bashkimi Evropian i ndien pasojat

Përmes një fushate të ashpër, por jo edhe as inspiruese zgjedhore, politikanët në Britani janë munduar që t’i bindin votuesit se zgjedhjet e përgjithshme të së enjtes në këtë shtet njëmend kanë rëndësi.

Ajo është e vërtetë. Këto zgjedhje kanë rëndësi jo vetëm për Britaninë, por edhe për Evropën, shkruan NYT.

Po qe se kryeministri David Cameron merr edhe një mandat, Britania do ta nisë një debat të paparashikueshëm rreth anëtarësimit të saj të mëtejmë në Bashkimin Evropian, debat ky që do të rezultonte me referendum nga fundi i vitit 2017 rreth tërheqjes nga blloku evropian 28-anëtarësh.

Cameroni e ka premtuar referendumin në përpjekje për ta qetësuar krahun e djathtë të Partisë së tij Konservative, që tashmë sa kohë po deklaron se Bashkimi Evropian është duke e cenuar sovranitetin britanik dhe po shpërfill interesat shtetërore sa u përket çështjeve aktuale, si emigrimi.

Asnjë shtet nuk është larguar ndonjëherë nga Bashkimi Evropian (ndonëse Grenlanda, një territor i Danimarkës, kishte votuar për largimin nga pararendësja e BE-së, më 1982). Derisa kishte qëndruar anash gjatë fazave të para të integrimeve evropiane, në vitet pesëdhjetë, Britania pati telashe gjatë anëtarësimit, kur më në fund vendosi të bëhej pjesë e bllokut, derisa atij iu bashkua më 1973, përcjell koha.net. Këtë vendim e konfirmoi edhe përmes një referendumi dy vjet më vonë.

Megjithatë, që nga ajo kohë, blloku është rritur dhe ka krijuar një union valutor, duke shkuar përtej vizionit më minimalist britanik të një rajoni të tregtisë së lirë.

Britania sot është një partnere problematike evropiane, që ka vendosur të mos e përdorë euron si valutë të sajën dhe që shpesh përplaset me Brukselin rreth çështjeve të ndryshime, si për shembull rregullat financiare.

Në kryeqytetet evropiane ekziston shqetësimi rreth referendumit në një shtet, të cilin shumica e konsiderojnë pjesë qendrore të Bashkimit Evropian, thotë Guntram B. Wolff, drejtor i “Bruegelit”, një institut për hulumtime në Bruksel.

“Këtu vlerësohet se largimi i Britanisë së Madhe nuk do të shkaktonte vetëm dëme ekonomike, por edhe politike dhe gjeopolitike”, thotë ai.

Në një analizë të kohëmëparshme, fondacioni “Bertelsmann”, një institut gjerman për hulumtime, ka parashikuar se ekonomikisht, vetë Britania do të pësonte më së shumti nga largimi. Megjithatë, analiza konstaton se “kombinimi i pasojave ekonomike dhe politike të largimit të Britanisë nga BE-ja do të ishte i dëmshëm për të gjitha palët”.

Në Britani, shumë biznese të mëdha kanë nisur të preokupohen me pasojat e mundshme. Më 2013, 45.1 për qind e eksportit të mallrave dhe shërbimeve britanike kishin si destinacion shtetet e tjera të Bashkimit Evropian, është bërë e ditur sipas një raporti nga Biblioteka e Dhomës së Përfaqësuesve.

Një nga shqetësimet është se duke mos qenë pjesë e bllokut, Britania nuk do të mund të ndikonte tek rregullat evropiane, të cilat do të duhej të respektoheshin prej kompanive të mëdha, të cilat bëjnë tregti me pjesën tjetër të Evropës.

Një Bashkim Evropian pa Britaninë do të ishte vend tjetër, për shkak se largimi i një shteti relativisht të madh dhe një zone të lirë të tregtisë do ta ndërronte balancën e fuqisë.

Lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore të tjera detaje për nxitjen e partive euroskeptike, e për shqetësimin rreth emigrantëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published.