Ekonomia

BSH: Interesat e kredisë në lekë u rritën në muajin maj

interesa-kreditimi1Pavarësisht politikës së vazhdueshme lehtësuese monetare të Bankës së Shqipërisë, interesat e kredisë në lekë kanë shënuar rritje për dy muaj radhazi.

Sipas statistikave mujore të publikuara nga institucioni monetar qendror, interesat e kredisë në lekë u rritën në muajin maj, duke arritur në 9.41%, niveli më i lartë që nga tetori 2013.
Në prill, kosto e huasë në monedhën vendase ishte rritur në 8.88%, nga 7.96% në mars.

Në maj, Banka e Shqipërisë uli sërish normën bazë, në një nivel minimal historik prej 2.5%, për të dytën herë brenda këtij viti (reduktimi i parë në 2.75% u realizua në shkurt), ndërsa guvernatori Fullani, teksa pranoi që transmetimi i politikës monetare në tregun e kredisë kërkonte kohë, u kërkoi bankave që të ishin më aktive në huadhënie.

Ndërsa muaji maj shënoi një gjallërim të kredisë në vend, të udhëhequr nga sipërmarrjet, bizneset janë detyruar të marrin hua më të shtrenjta nga bankat, sidomos atë afatshkurtër, që ata e duan kryesisht për financimin e nevojave për likuiditete apo për kapital punues dhe është lloji i kredisë që merret më shpesh nga bizneset. Ndryshe ka ndodhur me qeverinë, e cila dy vitet e fundit i është gëzuar rënies së kostos së shërbimit të borxhit, me yield-in e bonove të thesarit 12 mujore që ka zbritur në rreth 3%, nga 7% që ishte dy vjet më parë.
Që nga shtatori i vitit 2011, Banka e Shqipërisë ka ulur 10 herë normën bazë, duke e zbritur atë nga 5.25% në 2.5% aktualisht.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button