Presidenciale

Nishani në SHBA, dekoron Mark Gjonajn dhe Norman Gershman

Presidenti Bujar Nishani ka dekoruar me titullin “Nder i Kombit”, Mark Gjonajn, anëtar i Asamblesë së Nju Jorkut. Ai u shpreh se shqiptarët në Amerikë kanë arritur shumë, jo vetëm në shkollim dhe kulturë, por edhe në përfaqësim institucional.

Gjonaj u vlerësua për kontributin e tij në forcimin e lidhjeve shqiptaro-amerikane, dhe lartësimin e imazhit të popullit shqiptar në SHBA.

“Faktor vendimtar ka qenë dhe është Diaspora jonë këtu në Amerikë. Në fillim të shekullit, kjo Diasporë ishte më e vogël në numër e ndoshta kishte më pak miq në hierarkinë e lartë shtetërore, por ishte e qartë, këmbëngulëse dhe e përqendruar në punën e saj për të lidhur dy kombet tona dhe për të fituar vëmendjen e SHBA-ve. Ky insistim i tyre ishte i pazakontë për kohën, por vizionar dhe i bazuar në atë se çfarë ka përfaqësuar gjithmonë Amerika si vend i mundësive dhe i lirisë. Ky vizion ndër breza është forcuar, është rritur dhe kultivuar me këmbëngulje dhe durim”, u shpreh Presidenti Nishani.

Në ceremoninë e zhvilluar merrnin pjesë përfaqësues politikë të udhëhequr nga Presidenti i Bronksit, Ruben Dias Jr., si dhe nga institucionet e tjera, klerikë e një numër të madh pjesëtarësh të bashkësisë shqiptare.

Kreu i shtetit dekoroi gjithashtu me medaljen ”Flamuri Kombëtar” Norman H. Gershman. Ai është autori i ekspozitës “Besa: A Code of Honor”. Ceremonia u zhvillua në “Hebrew Union College”, institut që ka marrë përsipër të promovojë edhe ekspozitën “Besa”.

“Besa, ky tipar dhe virtyt unik i shqiptarëve, nuk është thjesht kodi i nderit i myslimanëve, por edhe i bektashinjve, katolikëve, madje edhe i ortodoksëve apo i ungjillorëve shqiptarë, pra i të gjitha bashkësive fetare shqiptare. Është një lloj trashëgimie gjenetike e trashëguar e mëkuar brez pas brezi ndër rrjedhat e shekujve nga populli im i lashtë dhe autokton në trojet e veta të gadishullit ballkanik”, u shpreh z. Nishani.

Ceremonia, sipas zyrës së shtypit të Presidencës, u zhvillua në prani të mjaft personalitetve akademike, politike dhe diplomatike në SHBA.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button