Maqedonia

BDI apelon për përmbajtje për ngjarjet në Kumanovë

Bashkimi Demokratik për Integrim me shqetësim të thellë po ndjek zhvillimet e sotme në Kumanovë dhe apelon tek qytetarët për përmbajtje, ruajtje të gjakftohtësisë dhe për mosrënie pre e provokimeve, thuhet në një njoftim të kësaj partie.

”Zhvillimet e sotme në Kumanovë, por edhe ato në Goshincë si dhe shpërthimi para selisë së BDI-së dhe të tjera, janë veprime që janë në kundërshtim të plotë me përcaktimet strategjike të kombit shqiptar si në Maqedoni”, theksohet në komunikatën e rastit të BDI-së.

“Jemi të bindur që vetëm një Maqedoni e qendrueshme dhe e sigurt ndihmon rajonin dhe asnjë destabilizim i vendit tonë nuk është në interes të kombit shqiptar në rajon. Shqiptarët në Maqedoni kanë axhendë të paracaktuar dhe, në bashkëveprim me SHBA-në, BE-në dhe NATO-n, duan ta shohin këtë vend me barabarësi të plotë, me marrëdhënie të mira ndëretnike dhe ndërfqinjësore, në paqë e stabilitet si dhe të anëtarësuar në Aleancën Veriatlantike dhe të integruar në Bashkimin Evropian”, thekson BDI-ja.

Ajo u bën thirrje mediave dhe opinionbërësve që të dëshmojnë përgjegjësi të lartë në këtë kohë shumë delikate si dhe të përmbahen nga nxitja e mëtejshme e situatës së rëndë.

“Qytetarët e Kumanovës dhe të lagjes ku u zhvillua ndërhyrja duhet të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e dezinformimeve të ndryshme. Njëkohësisht, edhe Ministria e Punëve të Brendshme duhet të veprojë me përgjegjësi ndaj ndjeshmërisë së situatës së sigurisë dhe asaj politike”, thekson BDI.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button