Politika

Basha në Bulqizë e Dibër: Më 21 Qershor t’i themi “jo” së keqes

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka prezantuar kandidatët për kryetar bashkie në Bulqizë dhe Dibër, përkatësisht Durim Balla dhe Ilir Krosi.

Lideri i opozitës ka ndarë me banorët shqetësimin për situatën e rëndë ekonomike që po kalon çdo familje shqiptare, e cila sipas tij, nuk arrin të përballojë as nevojat më elementare në muaj.

Basha theksoi se, asnjë premtim nuk ka mbajtur deri më sot kjo mazhorancë, por përkundrazi e ka zhytur vendin në krizë.

“Në dy vite, jo 300 mijë vende të reja pune, por dhjetëra e mijëra vende pune ekzistuese u shkatërruan si rezultat i politikave të gabuara të taksave të larta, si rezultat i kërbaçit dhe gjobave mbi biznesin. Si asnjëherë më parë mbi 80% e shqiptarëve detyrohen të marrin borxh për të mbyllur muajin, ndërkohë që listat e ushqimeve shtohen. 20 mijë familje janë hequr me një të rënë të lapsit nga ndihma ekonomike. Kontroll-gjobë, kontroll-burg, burg-kontroll dhe gjobë! Ky është realiteti i përditshëm”, deklaroi Basha.

Ai u shpreh se, vendi po ecën çdo ditë e më shumë në drejtimin e gabuar, duke iu referuar edhe rritjes së numrit të azilkërkuesve. Sipas tij, shifrat vijnë duke u rritur çdo muaj dhe vetëm në prill, numri i azilkërkuesve në Gjermani ishte afro 5 mijë vetë, më shumë se në muajin mars.

“Kryeministri, kreu i Kuvendit po bredhin cep më cep me regji qendrore, për të na mbushur mendjen se punët po shkojnë mbarë, se punët po shkojnë në drejtimin e duhur.  Në fakt, largimi i 5 mijë shqiptarëve në prill, i mijëra të tjerëve që nuk janë regjistruar si azilantë, por ne e dimë që kanë marrë rrugët tregon se punët po shkojnë keq e mos më keq. Zgjedhja e 21 Qershorit nuk është vetëm zgjedhje vendore, është zgjedhja për t’i thënë ‘jo’ së keqes, është zgjedhja për të ndalur të keqen ose për të ulur kokën e për ta lënë të keqen të na shkelë më keq me këmbë”, shtoi Basha.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button