Home / Rajoni / Maqedonia / Paqartësi rreth ngjarjeve në Kumanovë
Pamje nga Kumanova

Paqartësi rreth ngjarjeve në Kumanovë

Autoritetet maqedonase e kanë quajtur operacionin e së shtunës dhe të dielës në Kumanovë kundër një grupi të armatosur, si më të vështirin ndonjëherë për forcat e sigurisë së vendit. Kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski tha se aksioni nuk u zhvillua kundër popullatës shqiptare, ndërsa shprehu mirënjohje për pjesëtarët e të gjitha komuniteteve etnike në radhët e policisë. Policia speciale u tërhoq mbrëmë nga Kumanova, ku mbetën të vrarë 14 pjesëtarë të grupit të armatosur dhe tetë policë.

Autoritetet maqedonase thanë të dielën se është neutralizuar, sipas tyre, plotësisht grupi terrorist më i rrezikshëm në Ballkan, ndërkohë që radhitën emrat e pesë shtetasve të Kosovës si drejtues të grupit.

Sipas organeve të rendit ata jane: Sami Ukshini i njohur si komandant Sokoli, Beg Rizaj, Demë Shehu, Muhamet Krasniqi si komandant Malisheva dhe Mirsad Ndrecaj. Zëdhënësi i policisë, Ivo Kotevski u tha gazetarëve se katërmbëdhjetë trupa janë gjetur gjatë operacionit, në mesin e të cilëve ai i Xhafer Zymberit nga Gjakova.

Organet shtetërore thonë se tridhjetë terroristë u janë dorëzuar forcave policore, të gjithë shtetas të Maqedonisë dhe një shtetas i Shqipërisë.

Kryeministri maqedonas, Nikolla Gruevski e quajti një aksion heroik atë të policisë speciale maqedonase kundër atyre që mendohet të ishin një grup i armatosur në Kumanovë, të cilëve autoritetet maqedonase u referohen me termin “terroristë”.

Zoti Gruevski duke folur në një konferencë për mjetet e informimit tha të dielën se operacioni ishte një ndër më të vështirët për forcat policore të vendit. Gjatë aksionit kanë marrë pjesë të gjitha bashkësitë etnike, tha ai. Për jetët e humbura të tetë policëve, njëri prej të cilëve i përkatësisë etnike shqiptare, kryeministri maqedonas tha se ata ndoshta penguan vdekjen e tetë mijë njerëzve!

Për personat e arrestuar si pjesëtarë të grupit të armatosur, zoti Gruevski tha se do të gjykohen në bazë të ligjeve të Maqedonisë. Sipas kryemnistrit, disa nga personat që ishin të përfshirë në përleshjet me policinë, kishin marrë pjesë edhe në incidentin e fshatit Goshincë, para pak javësh. Autoritetet maqedonase vlerësojnë se synimi i këtij grupi ishte destabilizimi i Maqedonisë dhe sulmet kundër institucioneve të saj.

Ndërkohë presidenti i vendit, Gjorgje Ivanov, mblodhi Këshillin e Sigurisë, ku bëjnë pjesë drejtuesit më të lartë shtetërorë dhe ministra të resorëve të sigurisë,  si dhe anëtarë të zgjedhur nga presidenti. Gjithashtu të ftuar ishin drejtuesit e partive kryesore. Ali Ahmeti i BDI-së dhe Menduh Thaçi i PDSH-së dërguan përfaqësues të tyre, ndërsa Zoran Zaev i Lidhjes Social Demokrate të opozitës mori vetë pjesë në takim.

Policia me autoblindat dhe armatimin e saj u tërhoq pak para mbrëmjes së djeshme nga Lagja e Trimave në Kumanovë. Rezultati i përleshjeve është 22 të vrarë, sipas të dhënave zyrtare, mes tyre tetë policë dhe 14 pjesëtarë të grupit kundërshtarë.

Ndërkohë, në lidhje me zhvillimet në Kumanovë, është mbledhur në një takim Këshilli i përbashkët i misioneve të jashtme diplomatike, që përfshin ambasadorët e BE-së, SHBA-së, OSBE-në dhe përfaqësues të NATO-së, për të vlerësuar gjendjen e krijuar.

Këshilli shprehu keqardhje për jetët e humbura gjatë operacionit në Kumanovë, ndërsa e dënoi fuqishëm dhunën.

Në emër të këtij Këshilli foli ambasadorja Marijan Berezc, e OSBE-së në Shkup, duke theksuar besimin se ky është çasti kur drejtuesit politikë duhet të përfshihen në dialog për të gjitha çështjet me të cilat ballafaqohet vendi, përfshi edhe krizën e stërzgjatur politike dhe reformat e nevojshme. “Besojmë fort se nuk guxohet që të lejohet prishja e marrëdhënieve në shoqëri”, tha ambasadorja.

Zhvillimet në Kumanovë, kanë nxitur, nga ana tjetër, dyshime te një pjesë e opinionistëve, për shkak të kohës që ndodhi e që përputhet me krizën politike dhe me skandalin e madh të përgjimeve.

Opozita maqedonase sidomos, por dhe mjaft analistë shqiptarë janë të prirur të besojnë se ngjarjet në Kumanovë janë sajuar për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik nga kriza reale që ka përfshirë vendin dhe për të futur frikën tek popullata që të mos dalë në protestat, të cilat synojnë rrëzimin e pushtetit.

Leave a Reply

%d bloggers like this: