Home / Europa / Suedi, gjykata refuzon kërkesën e themeluesit të Wikileaks

Suedi, gjykata refuzon kërkesën e themeluesit të Wikileaks

Një gjykatë në Suedi ka hedhur poshtë apelin e themeluesit të Wikileaks, Julian Assange, për tërheqjen e urdhër-arrestit për akuzat për agresion seksual.

Urdhër-arresti ishte lëshuar nga Suedia në vitin 2010 për dy raste të dyshuara për dhunim seksual.

Zoti Assange i mohon akuzat dhe që prej vitit 2012 jeton në ambasadën e Ekuadorit në Londër. Hetuesit suedezë ka gjasa të udhëtojnë në Londër për të marrë në pyetje zotin Assange.

Gjykata e Lartë në Suedi deklaroi se, nuk e sheh të arsyeshme heqjen e urdhër-arrestit”, duke qenë se veprimet për marrjen në pyetje të Assange në Londër janë organizuar.

Avokati i themeluesit të Wikileaks, Per Samuelson, tha për agjencinë e lajmeve Reuters: “Ne jemi shumë të zhgënjyer dhe kritikë ndaj Gjykatës së Lartë për nga mënyra se si e menaxhoi çështjen. Ky vendim është marrë pa na lejuar të përfundojmë argumentimin tonë”.

43-vjeçari australian jeton në një dhomë të vogël në ambasadën ekuadoriane në Angli, qëkur kërkoi azil në vitin 2012 për të shmangur ekstradimin.

Ai i mohon akuzat për agresion seksual të bëra nga dy femra, të cilat ai i takoi gjatë një udhëtimi në Suedi në gusht të vitit 2010.

Assange thotë se akuzat janë pjesë e komplotit për ta ekstraduar atë në Shtetet e Bashkuara, për shkak të publikimit në Wikileaks të dokumenteve të klasifikuara të administratës amerikane.

Por ish-pirati informatik nuk është akuzuar nga Shtetet e Bashkuara për ndonjë krim dhe amerikanët nuk i kanë dërguar një urdhër ekstradimi Mbretërisë së Bashkuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published.