Home / Arte / Ekspozita / Sukses i skulptorit shqiptar në Bienalen e Venecias

Sukses i skulptorit shqiptar në Bienalen e Venecias

Vepra e skulptorit shqiptar me origjinë nga Durrësi, Helidon Xhixha, ka befasuar kritikën dhe vizitorët e shumtë të Bienales së 56-të të artit në Venecia. Një ajsberg gjigant prej çeliku që pluskon në lagunë e që përveç pamjes shumë mbreslënëse, mbart një mesazh të qartë.

Artisti, tanimë i njohur në nivel ndërkombëtar për veprat e tij, sjell një projekt me frymë ambientaliste në qytetin e Venecias, të rrezikuar nga anijet e mëdha, çeliku e hekuri. Me këtë vepër, Helidon Xhixha ngre edhe problemin e ngrohjes globale dhe të shkrirjes së akullnajave.

Blloku i çrregullt i çeliktë, me përmasa 3 me 4 metra, që reflekton në ndryshim e sipër shkëlqimin dhe dritën natyrale, u lëshua në lagunë mes habisë së të pranishmëve. Më pas, do të shndërrohet në një sërë kolonash, simbol i akullit, e do të qëndrojë i ekspozuar deri në mbyllje të Bienales më 22 nëntor.

Nuk është hera e parë që Helidon Xhixha krijon vepra të veçanta e që përçojnë mesazhe të forta. Ai është autor i skulpturës gjigante të vendosur përpara stabilimentit të Ferrarit në Itali dhe i një vepre monumentale në kujtim të 11 shtatorit ne Nju Jork.

Tanimë ai është bërë një emër i afirmuar dhe veprat e tij bëjnë pjesë në koleksione në vendet europiane, në Shtetet e Bashkuara dhe në shumë vende arabe.

Leave a Reply

Your email address will not be published.