Home / Politika / Rama: U vranë njerëz të pafajshëm, Maqedonia të bëjë transparencë

Rama: U vranë njerëz të pafajshëm, Maqedonia të bëjë transparencë

Marrëveshja

“Zhvillimet dramatike të ditëve të fundit në Kumanovë kanë cenuar normalitetin dhe marrëdhëniet ndëretnike, të cilat mbeten ende të brishta për shkak të moszbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, por pa dyshim janë jetike për ekzistencën e shtetit maqedonas”

Deklaratat

Rama – Nuk mund të lejohet që kriza në Maqedoni të përshkallëzohet. Zhvillimet dramatike kanë cenuar marrëdhëniet ndëretnike

Braçe: Maqedonia, modeli i “shtetit” më të dhunshëm e pastaj më jo seriozi në botë! Nis luftën e pastaj nuk identifikon me kë lufton

Majko – Sot (dje) nuk kam ndërmend të zhvilloj aktivitet. Situata në Kumanovë të Maqedonisë ka ndërprerë dëshirën për të bërë “politikanin”

Nga Artemisa Hoxha

Qeveria shqiptare ka dënuar dhunën e përdorur ndaj shqiptarëve në Kumanovë, teksa ka apeluar autoritetet maqedonase për transparencë mbi gjithë ngjarjen e ndodhur dy ditë më parë. Teksa autoritetet maqedonase janë shprehur në të gjitha qëndrimet zyrtare se kanë arrestuar “një grup terroristësh”, dhe nuk janë përmendur fare viktimat që shumica ishin shqiptarë në Kumanovës, vetë kreu i qeverisë, Edi Rama, i ka konsideruar ato viktima të pafajshme. “E kam të pamundur që ta çel fjalën përshëndetëse për këtë festë të shpirtit të kombit tonë, pa u kërkuar të gjithëve, që në emër të këtij shpirti që na lidh me njëri-tjetrin që kur ekzistojmë, të mbajmë një minutë heshtje për jetët e pafajshme të të vrarëve në tragjedinë e Kumanovës”,  tha Rama nga qyteti i Gjirokastrës, ku çeli punimet e festivalit folklorik. Më herët, nëpërmjet një deklarate për shtyp, Kryeministri Rama e cilësoi situatën në Kumanovë një cenim të normalitetit të marrëdhënieve ndëretnike. “Qeveria e Shqipërisë mbron bindjen se në asnjë rrethanë nuk mund të lejohet që kriza në Maqedoni të përshkallëzohet. Zhvillimet dramatike të ditëve të fundit në Kumanovë kanë cenuar normalitetin dhe marrëdhëniet ndëretnike, të cilat mbeten ende të brishta për shkak të moszbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, por pa dyshim janë jetike për ekzistencën e shtetit maqedonas. Në këto kushte është me shumë rëndësi mbrojtja e jetës, pronës dhe lirive e të drejtave të çdo qytetari të Maqedonisë, pavarësisht përkatësisë së tij etnike”, shprehet Rama. Më tej, Rama deklaron se “qeveria mirëkupton shprehjen e revoltës qytetare të shprehur përmes mjeteve të komunikimit, ndaj humbjes së jetëve njerëzore në kushte të një ankthi e paqartësie kaq të madhe”. Më tej, ai thekson se do të ishte e papranueshme humbja e drejtpeshimit në raport me këtë ngjarje dhe kurrsesi nuk duhet lejuar që kriza politike e Maqedonisë të konvertohet në një krizë ndëretnike, e cila do të ishte shkatërrimtare për Maqedoninë. “Republika e Shqipërisë bën thirrje për qetësi, vetëpërmbajtje dhe një zgjidhje të duhur të krizës në shërbim të qytetarëve dhe aq të domosdoshme në funksion të stabilitetit”, tha Rama. Ai kërkon nga pala maqedonase zbardhjen e ngjarjes, si dhe rivendosjen e stabilitetit në rajon. “Qeveria e Shqipërisë i bën thirrje qeverisë dhe autoriteteve ligjzbatuese në Maqedoni që të mundësojnë dhe kryejnë një hetim të thellë, të shpejtë, të plotë e transparent, në funksion të së vërtetës dhe vetë stabilitetit të Maqedonisë e rajonit. Vetëm transparenca e thellë dhe e plotë, nëpërmjet paraqitjes së fakteve e provave të besueshme për qytetarët, do të shërbente në rikthimin e besimit në institucione dhe do të shmangte përsëritjen e këtij precedenti aq të padëshirueshëm nga popullata civile të një ngjarjeje të tillë”, tha Rama, duke kërkuar ndër të tjera se “përveçse policëve të vrarë dhe të plagosur, ende nuk është thënë asgjë për jetët e qytetarëve të pambrojtur të Kumanovës, për arratinë e tyre, për pronën e tyre të bastisur, djegur dhe shkatërruar. Padyshim kjo paqartësi shqetësuese nuk ndihmon në kthimin e plotë të normalitetit”. I ashpër ka qenë dhe reagimi i deputetit socialist, Erjon Braçe, i cili e konsideruar Maqedoninë si shtetin më të dhunshëm dhe më pak seriozin në botë. “Ai i ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë është; modeli i “shtetit” më të dhunshëm e pastaj më jo seriozi në botë! Nis luftën e pastaj nuk identifikon me kë lufton; Qëllon me armë e pastaj nuk thotë kë ka vrarë, sa ka vrarë, por tregon sa nga policët e saj janë vrarë; shpall luftën të mbyllur e pastaj thotë se ka arrestuar grupin kriminal më të madh në Ballkan; mirë që nuk identifikon anëtarët e këtij grupi, por pastaj as nuk thotë se çfarë krimesh kishin kryer këta në Ballkan deri ditën që policia vetë i sulmoi”, shkruan Braçe në profilin e tij në Facebook. Dje ka reaguar sërish edhe ish-kryeministri Pandeli Majko, i cili ka hequr dorë për një ditë nga aktivitetet politike elektorale, duke ndjekur me shqetësim situatën në Kumanovë. “Sot (dje) nuk kam ndërmend të zhvilloj aktivitet. Situata në Kumanovë të Maqedonisë ka ndërprerë dëshirën për të bërë “politikanin”, poston në profilin e tij Majko. Ndërkohë që të pakta kanë qenë reagimet e politikanëve të tjerë në lidhje me situatën në Kumanovë.

Ngjarjet në Kumanovë, Policia e Shtetit në gatishmëri të plotë

Konflikti i policisë maqedonase me një grup të armatosur në Kumanovë ka vënë në gatishmërinë edhe Policinë e Shtetit. Mësohet se prej orës 05:00 të mëngjesit të djeshëm është dhënë urdhër në Policinë e Tiranës për të kaluar në gjendje gatishmërie, urdhër i cili është dhënë edhe për drejtoritë e qarqeve të tjera, deri në një urdhër të dytë. Sipas burimeve mendohet që shkaku për urdhrin të ketë lidhje me situatën e tensionuar në Kumanovë. Policia maqedonase tha se grupi i përkiste UÇK-së, ndërsa Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, i cilësoi ata terroristë dhe ngjarjen një tentativë për të destabilizuar Maqedoninë. Serbia mbylli kufirin me Maqedoninë, për arsye sigurie.

Leave a Reply

%d bloggers like this: