Politika

Reforma territoriale, Çuçi: Profile zhvillimi shoqëror dhe ekonomik për secilën njësi

Ministri për Pushtetin Vendor, Bledi Çuçi, tha sot gjatë konferencës për “Konsolidimin e Reformës Administrative – Territoriale: Praktika dhe Mësime” se, që reforma të jetë e suksesshme, duhet të krijohen profile të zhvillimit shoqëror dhe ekonomik për secilën nga 61 njësitë e reja.

Ndërsa ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni theksoi angazhimin për të asistuar dhe ndihmuar njësitë e qeverisjes vendore në hartimin e planeve të përgjithshme vendore. “Së bashku me Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, jemi duke hartuar një platformë udhëzuese, që do t’u shërbejë të 61 bashkive si një udhërrëfyes për hartimin e planeve të përgjithshme vendore, në një kohë më afatshkurtër dhe me kosto më efektive”, tha Gjermeni.

Ambasadori i Zvicrës në Shqipëri, Christoph Graf, tha se eksperienca zvicerane e zhvillimit lokal tregon se është e rëndësishme që të ketë më shumë vëmendje te zonat më pak të zhvilluara.

Pas 21 Qershorit, ndarja e re administrative do të bëhet efektive, me zgjedhjen e organeve drejtuese të njësive të reja vendore. Reforma territoriale e miratuar vitin e kaluar e ndau Shqipërinë në 61 njësi administrative, me qëllimin për të ulur kostot e qeverisjes lokale dhe për të forcuar kapacitetet e organeve të qeverisjes vendore.

Konferenca për “Konsolidimin e Reformës Administrative – Territoriale: Praktika dhe Mësime”, u organizua nga Ambasada e Zvicrës në Shqipëri, përmes Programit për Decentralizim dhe Zhvillim Lokal (DLDP).

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button