Maqedonia

Reagon Gjermania pas konfliktit në Kumanovë

0,,18443278_303,00Qeveria gjermane ka paralajmëruar nga shkallëzimi i situatës në Maqedoni, ajo po i ndjek me shqetësim zhvillimet në këtë vend, tha një zëdhënës. Ndërkohë NATO kërkon hetime transparente. Pas konfliktit të përgjakshëm në fundjavë në Maqedoni reagon edhe qeveria gjermane. Ajo ka paralajmëruar nga përkeqësimi i gjendjes aktuale labile politike. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane në Berlin është shprehur të hënën (11.05) se “me urgjencë kërkohet të mënjanohet një shkallëzim i mëtejshëm i situatës”. Qeveria gjermane po i ndjek me shqetësim prej disa kohësh zhvillimet e brendshme politike në shtetin ballkanik, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane në konferencën e shtypit.

NATO kërkon hetime për Kumanovën

Zhvillimet e fundit në Maqedoni janë ndjekur me shqetësim në perëndim. NATO ka kërkuar zbardhjen e ngjarjeve në Kumanovë. Sekretari i Përgjithshëm i saj, Jens Stoltenberg ka kërkuar hetim transparent. “I kërkoj kujtdo të përmbahet dhe në interes të vendit të mos lejojë që të shkallëzohet situata”, ka thënë Stoltenberg. Maqedonia u trondit të shtunën nga shkëmbime të rënda zjarri mes forcave të qeverisë dhe një grupi të armatosur, që sipas qeverisë Gruevski ishin “terroristë” që kishin planifikuar sulme kundër institucioneve të shtetit maqedonas. 8 policë dhe 14 anëtarë të grupit të armatosur humbën jetën.

Maqedonia – “fuçi baruti”?

Sipas agjencisë së lajmeve, dpa, Maqedonia po kalon nga një krizë në tjetrën. Një ditë tjetër me rëndësi për zhvillimet në vend është edhe 17 maji, e diela kur është planifikuar një demonstratë e madhe e opozitës. Dpa citon politologun kroat, Vlatko Cvrtila që e cilëson Maqedoninë “definitivisht një fuçi baruti”. “Aty mediat nuk janë të lira, institucionet demokratike janë nën kontrollin e qeverisë – një sundim autoritar”, thotë profesor Cvrtila. Kryeministri Gruevski aktualisht gjendet në pozitë kritike, pasi opozita ka publikuar përgjime telefonike që dëshmojnë korrupsion masiv dhe kriminalitet në qeveri. Disa diplomatë të huaj po i përgjigjen një kërkese të opozitës për një qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button