Ekonomia

Operatorët turistikë kërkojnë formalizimin e sektorit

Komisioni Parlamentar i Veprimtarisë Prodhuese zhvilloi të martën seancë dëgjimore me grupet e interesit që operojnë në fushën e turizmit. Gjatë seancës në komision, grupet e interesit që ushtrojnë aktivitetin e tyre në këtë sektor kërkuan që në ligjin e turizmit të përfshihen dhe kategorizimi dhe çertifikimi i subjekteve.

Përfaqësuesi i GIZ, Luan Dervishi, tha se në vendin tonë regjistrohen thuajse 20 milion netë fjetje në vit, ndërsa vetëm një numër i konsiderueshëm është i taksueshëm. Projektligji i ri “për turizmin”, i cili vijon diskutimet në komisionet kuvendore, përbën një hap të rëndësishëm për të arritur pikësynimet në sektorin e turizmit.

Javën e shkuar gjatë diskutimit në komision të p/ligjit, ministri Ahmetaj tha se qëllimi i këtij ligji është të promovojë Shqipërinë si destinacion turistik tërheqës për vizitorë vendas e të huaj, duke mbështetur zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm, duke siguruar që ofruesit e shërbimeve turistike të përmbushin kërkesat e turistëve, në një mjedis të shëndetshëm dhe të sigurt, dhe duke respektuar nevojat e komuniteteve pritëse të sotme dhe të brezave të ardhshëm.

“Ligji do të japë më shumë mundësi për sipërmarrje për shfrytëzimin e territoreve të plazheve. Ne synojmë uljen e informalitetit dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve. Ky ligj vendos baza për standardizimin e hoteleve në bazë të yjeve, standardizimi i tyre duke rritur cilësinë e shërbimeve”, tha ndër të tjerash z. Ahmetaj.

Gjithashtu, projektligji synon të krijojë kuadrin ligjor të nevojshëm, që turizmi të mbështetet si një sektor kryesor ekonomik, i cili krijon vende të reja pune, kontribuon në uljen e varfërisë dhe ofron mundësi fitimi e rritjeje, veçanërisht për komunitetet rurale, me synimin e harmonizimit të tërësisë së veprimtarive turistike, që plotësojnë kërkesat e turistëve të huaj dhe vendas, mbron dhe ripërtëritjen e trashëgimisë kulturore dhe mjedisore, si pasuri për gjeneratat e sotme e ato të ardhshme.

Ndërkaq, gjatë diskutimeve në komision, z. Ahmetaj theksoi se hotelet në Shqipëri duhet të marrin asistencë të huaj për klasifikimin e tyre, teksa nënvizoi faktin se nuk ka ende një resort me 5 yje. Ministrii deklaroi se duhen vendosur rregulla për cilësinë e produkteve, ndërkohë që qeveria shqiptare ka planifikuar që brenda 4 muajve, të bëhet pastrimi i të gjithë vijës bregdetare.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button