Home / Ekonomia / FMN: Borxhi publik do të rritet, shkak rritja e defiçitit

FMN: Borxhi publik do të rritet, shkak rritja e defiçitit

BorxhiPërkundër angazhimit të qeverisë, Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se borxhi publik i Shqipërisë do të rritet sërish këtë vit. Në një raport të fundit, ku analizon me hollësi zhvillimet e ekonomisë rajonale, Fondi parashikon se borxhi i qeverisë shqiptare do të rritet nga 72.6 për qind e prodhimit kombëtar, që ishte vitin e kaluar, në 73.6 për qind këtë vit.

Kjo është një shifër dukshëm më e lartë nga ajo që deklaron qeveria, sipas së cilës, borxhi këtë vit do të ulet në 71.8 për qind e prodhimit kombëtar. Dy vitet e fundit, vlerësimet e FMN-së për ekonominë kanë qenë në sinkron të plotë me ato të qeverisë.
Kjo është hera e parë, kur dy institucionet dalin me shifra të ndryshme për një nga treguesit më të rëndësishëm të ekonomisë. Por, cila është arsyeja që FMN-ja mendon se borxhi do jetë më i lartë, nga ai që thotë qeveria dhe nga niveli që parashikonte vetë, vetëm disa muaj më parë?
Së pari është deficiti buxhetor ose borxhi i ri që qeveria duhet të marrë gjatë këtij viti për të mbuluar diferencën mes të ardhurave që mbledh dhe shpenzimeve që ajo kryen. Në buxhet, qeveria thotë se deficiti për këtë vit do të jetë 58.2 miliardë lekë ose 3.9 për qind e prodhimit kombëtar. Por FMN llogarit se ky deficit do të jetë 4.8 për qind.
Arsyeja e dytë lidhet me rritjen nominale të prodhimit kombëtar. Për shkak se inflacioni do të jetë më i ulët nga ai që pritej, FMN mendon se prodhimi nominal do të jetë më i ulët nga parashikimi fillestar, duke sjellë rrjedhimisht rritjen e borxhit ndaj tij.
Qeveria ka rënë darkord me FMN-në, që duke filluar nga ky vit të ulë borxhin sipas një plani të paracaktuar. Kohët e fundit, FMN-ja kishte parlajmëruar se disa nga treguesit mund të ndryshonin dhe po punonte me qeverinë për ta adresuar këtë çështje. Në këtë situatë, ajo që mbetet për t’u parë është se si do të zgjidhet kjo përplasje shifrash.
A do të kërkojë FMN-ja rritje të tjera taksash ose shtrëngim të shpenzimeve dhe cili do të jetë reagimi i qeverisë? E sigurt deri tani është se plani fillestar i qeverisë me FMN-në për uljen e borxhit po rezulton më optimist nga realiteti.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.