Home / Kosova / Jahjaga: Kosova përgjithmonë mirënjohëse ndaj SHBA-së

Jahjaga: Kosova përgjithmonë mirënjohëse ndaj SHBA-së

JAHJAGA-OBAMA-ARKIVE1-525x350Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, i dërgoi një urim Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama me rastin e përvjetorit të pavarësisë së SHBA-së.
“Në emër të popullit të Republikës së Kosovës, në emër të institucioneve të saj dhe në emrin tim personal, dëshiroj t’ju shpreh urimet më të përzemërta ju dhe popullit Amerikan, në këtë përvjetor të shpalljes së pavarësisë”, shprehet Jahjaga.
Jahjaga thekson se Shtetet e Bashkuara i kanë sjellë paqe, liri dhe demokraci kombeve dhe popujve në mbarë botën, me besimin e tyre se liria duhet të gëzohet nga të gjithë, ndërsa shton se, dedikimi i juaj ndaj këtyre vlerave na inspiron të gjithëve që të vazhdojmë t’i përforcojmë këto ideale.
“Dëshiroj ta shfrytëzoj këtë rast që t’ju shprehë falënderimet më të thella të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme të qytetarëve amerikanë, të cilët qëndruan pranë nesh në kohërat më të rënda për të siguruar që qytetarët e Kosovës së bashku me aleatët e tyre strategjikë të themelojnë një shtet demokratik në të cilin të gjithë qytetarët i kanë të garantuara të drejtat dhe liritë e barabarta. Ne do të mbesim përgjithmonë falënderues për mbështetjen dhe për mundësinë që qytetarët e Kosovës të jetojnë të lirë dhe në paqe”, vijon Presidentja kosovare.
“Ne jemi të vendosur drejt sigurimit të funksionimit demokratik të institucioneve tona, vendosjes së sundimit të ligjit, integrimit të komuniteteve dhe forcimit të pozitës sonë si faktor i paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në rajon dhe përtej. Kosova është e vendosur në rrugëtimin e saj euroatlantik dhe jemi të bindur se ju do të vazhdoni të mbeteni partneri dhe aleati ynë më i afërt deri në arritjen e këtyre qëllimeve”, përfundon Presidentja Jahjaga urimin dërguar Presidentit të SHBA-së, Obama.

Leave a Reply

%d bloggers like this: