Home / Rajoni / Maqedonia / Gruevski kërkon koalicion të gjerë, Zaevi e refuzon
Gruevski dhe Zaev

Gruevski kërkon koalicion të gjerë, Zaevi e refuzon

Kryeministri maqedonas Nikolla Gruevski, me ndërmjetësimin e përfaqësuesve ndërkombëtarë, ka iniciuar formimin e një qeverie të koalicionit të gjerë, në krye të së cilës do të ishte ai.

Ideja e tij ka qenë që ministrat e dorëhequr, numri i të cilëve do të rritet, të zëvendësohen me ministra nga Lidhja Socialdemokrate dhe parti të tjera, sipas shembullit të qeverisë së vitit 2001, lajmëroi portali “Plusinfo”, duke iu referuar burimeve diplomatike në Shkup.

Sipas të njëjtave burime, diplomatë të huaj e kanë hedhur idenë edhe te LSDM-ja, prej nga kanë marrë përgjigje kategorike se nuk tërhiqen nga kërkesa që Gruevski të japë dorëheqje, e pastaj të formohet qeveri teknike ose kalimtare, që në periudhë prej gjashtë muajve do të organizojë zgjedhje demokratike.

Një emisar i partisë në pushtet, ish-diplomat, mbrëmë u është afruar diplomatëve me ndikim perëndimorë dhe idenë e ka prezantuar si “qeveri të unitetit kombëtar”.

“Nikolla Gruevski e përçau Maqedoninë dhe ai s’ka kredibilitet moral dhe politik për të bashkuar këdo qoftë. Për të është më mirë të mendojë për kushtet për tërheqjen e tij nga Qeveria”, ka thënë burimi nga LSDM.

Lideri i opozitës Zoran Zaev mbrëmë, pas dorëheqjes së dy ministrave dhe shefit të kundërzbulimit, deklaroi se “ky është vetëm një hap drejt fundit të Gruevskit”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.