Te ndryshme

A po vritet frika në oborrin e Kim Jong-un?

Kim Jong-un po rrezikon dukshëm shumë më tepër sesa i ati dhe po ashtu, vret në mënyrë të paskrupullt. Së fundmi, ai thuhet se ka ekzekutuar ministrin e tij të Mbrojtjes. Paranoja e tij tashmë për agjencitë perëndimore, shihet si shenjë e mundshme se komplotet në oborrin e diktatorit po ziejnë dhe se fundi i tij ndoshta nuk është larg

Ai bëhet shpesh objekt i mediave. U mendua se do të ishte disi ndryshe, në shumë aspekte në krahasim me paraardhësit, pasi kishte një kulturë të pretenduar europiane, pasi nëse nuk i ka kryer plotësisht studimet, ka ndier aromën e shijes së demokracisë europiane. Por duket se aroma që ai ka dashur e akoma e pëlqen shumë, është vetëm ajo e djathit zviceran, të cilin thuhet se vijon ta porosisë.

Sidoqoftë, djathi nuk është problemi i tij më i madh. Ai po shfaqet shumë agresiv e madje jashtë parashikimeve i ashpër me kundërshtarët e tij politikë brenda llojit, rivalët e mundshëm apo kritikët. Pasi ai thjesht i zhduk ata në rastin më të parë. Në këtë aspekt duket se është më i shpejtë, më këmbëngulës e më i ashpër se paraardhësit e një gjaku; gjyshi dhe babai, të cilët së bashku me të vijojnë të nderohen si një trinom i pandarë.

Së fundmi, mediat koreanojugore po flasin për ekzekutimin e ministrit të Mbrojtjes. Sipas tyre, Hyon është vrarë më 30 prill, përpara një audience prej qindra personash. Agjencia e lajmeve Yonhap, thotë se Hyon u përgjum gjatë një aktiviteti, ku ishte i pranishëm Kim Jong-un dhe se nuk ka ndjekur udhëzimet.

Ai është i pesti në radhën e ministrave që ka prodhuar kabineti qeveritar qëkurse Kim Jong-un erdhi në pushtet pas vdekjes së të atit, tre vjet më parë. Sipas hulumtimeve të mediave, rezulton se vetëm në radhët e Al-Kaedës funksionarët e lartë mund të kenë këtë fat.

E nëse vërtetohet se Kim e ka ekzekutuar menjëherë ministrin e vet të Mbrojtjes, nga pesë ministrat që ai ka emëruar në një hark relativisht të shkurtër kohor, dy prej tyre tashmë kanë vdekur. Paraardhësi i ministrit në postin e lartë vdiq para pak ditësh nga kanceri. Ai ishte njëri ndër të paktët kuadro të Kim Jong-un, ndarja nga jeta e të cilit u bë e ditur në mënyrë normale e publike. Kjo, pasi të tjerët zhduken pa nam e nishan.

Aktualisht kjo ndodhi me një oficer tjetër madhor dhe dy funksionarë të lartë, që qysh nga vjeshta, domethënë qysh nga fundi i dimrit, nuk janë parë më.

15 të tjerë thuhet se janë vrarë që në fillim të vitit dhe një grusht syresh një vit më parë, pas rrëzimit të Jang Song-thaek.

Në një vend, në të cilin shumica e banorëve jeton ndanë rrugëve që po pakësohen gjithnjë e më shumë, të tilla masa nuk mbesin të fshehta, e aq më shumë në aparatin shtetëror.

Është e çuditshme se ministri i Mbrojtjes thuhet se është vrarë pikërisht për arsye se e kishte kundërshtuar Kimin, sikurse edhe një zëvendësministër në sektorin civil.

Çfarë po ndodh realisht? A nuk po i tmerrojnë më funksionarët koreanoveriorë dënimet ekstreme që tashmë po aplikohen më me forcë se më parë në një vend që për më shumë se 60 vjet tashmë ato i ka normë pune?

Anulimi i vizitës në Moskë të Kim Jong-un pak ditë para nisjes, përkon pikërisht me ekzekutimin e ministrit. Kjo të bën të besosh, sipas disa njohësve të mirë të situatës në atë vend, se ka pasur arsye të tjera për atë akt – arsye që duhet ta kenë tundur më fort fuqinë e pushtetin absolut të Kimit, sesa ç’mund të merret me mend.

Në krahasim me të atin, Kim duket se është edhe më i ashpër, më sfidues, e thuajse gjysmëbarbar. Ai, që nuk ka asnjë fëmijë që ta shohë si pasardhës të mundshëm për të qeverisur në moshën e pjekurisë, drejton plot pasion avionë apo vëzhgon tërë qesëndi startin e një rakete nënujore nga një distancë e afërt.

Në rastin e të atit, të Kim Jong-il, diçka e tillë as që mund të mendohej. Kim Jong-un do të duket qartazi si një zot i pakonkurrueshëm i situatës; ai rrezikon që në rast të një aksidenti të dëmtojë edhe vetë ekzistencën e dinastisë. “Dikush, që në këtë mënyrë, hedh çdo kartë në tavolinë, është një epror i rrezikshëm, dhe ai është një fqinj i rrezikshëm, po ashtu”,  citohej në një koment të vetin dje, një media perëndimore.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button