Zgjedhjet lokale 2015

ASHE prezanton kandidatin për Bashkinë e Maliqit, Gëzim Topçiun

Aleanca për Shqipërinë Europiane prezantoi të dielën kandidatin për Bashkinë e Maliqit, Gëzim Topçiun.

Maliq“Ka vetëm një investim që ja vlen dhe ai është investimi për ASHE-në dhe Gëzim Topçiun”, deklaroi Kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të kandidatit në Maliq. Ne besojmë, tha ai, se eksperienca e profili i tij i duhen bashkisë së re dhe të gjitha atyre zonave të bekuara që nën drejtmin e batakçinjve janë kther në bataqe korrupsioni. “Në vetëm 18 muaj qeverisje të ASHE-së, nuk themi se kemi bërë mrekullinë dhe nuk pretendojmë se kemi arritur në destinacion, por ne i kemi dhënë të gjitha provat se ne jemi drejtimi i duhur dhe se në çdo sektor ka përmirësime të mëdha, duke ua bërë më të lehtë jetën njerëzve tanë e komuniteteve, që për kaq shumë vite janë braktisur e që në vend të administratorëve kanë patur një shkop të flamurit të PD-së”, tha kreu i qeverisë.

Kryeministri Rama foli për reformat që qeveria po ndërmerr, e që sipas tij, janë thelbësore për zhvillimin e zonave rurale. Në këtë drejtim, Rama foli për reformën e veterinarisë, përmes së cilës do të bëhet eksporti i prodhimeve shqiptare. Duke eksportuar, vijoi fjalën Rama, krijojmë kushtet që të zgjerohet në mënyrë progresive rrethi i punësimit, në mënyrë që çdokush që punon në fshat të mos jetë i trysnuar nga kushtet, por të jetë pjesë e një projekti më të madh, duke krijuar biznes të vogël që përfshihet në zinxhirin e madh të përpunimit.

“Kjo është rruga për të shkëputur familjen në fshat nga kthetrat e një varfërie sistematike në një terren ku nuk është bërë asnjë reformë. Bashkia e re e Maliqit do të jetë laboratori i këtij transformimi të madh”, deklaroi kreu i qeverisë, Rama. Ndërsa Kryetari i Kuvendit, njëkohësisht kreu i LSI-së, Ilir Meta duke marrë fjalën shprehu mbështetjen e plotë për kandidaturën e z. Topçiu si kryebashkiaku i ri i Maliqit. “Bashkia e re e Maliqit me organizmin e ri të reformës administrative territoriale bëhet një nga bashkitë më të rëndësishme në nivel kombëtar, sepse bashkon resurse të jashtëzakonshme, që me një administrator të tillë të vihen në punë”, deklaroi Meta.

Sipas tij, kjo hapësirë e jashtëzakonshme nga Dushari deri në Pojan, është një hapësirë e pafundme mundësish për zhvillim dhe për të rritur mundësitë, jo vetëm për punësim, por edhe që puna që është bërë deri tani të fitojë vlerë të shtuar. “Edhe qeveria e duhur është ASHE për të vënë në punë këto resurse të jashtëzakonshme duke nisur me dhënien fund të degradrimit të fushës së Maliqit, përmes një projekti të Bankës Botërore, e investimeve në kanalet e vaditjes e kullimit, që tashmë do të jenë përgjegjësi e bashkisë së re”, u shpreh kreu i Kuvendit, Meta. Edhe z. Meta duke u ndalur në resurset e kësaj zone vlerësoi se reforma në fushën e bujqësisë e paketa e re fiskale, që nisi zbatimin në janar të këtij viti stimulojnë prodhimin bujqësor e blegtoral. Zëvendëskryeministri Niko Peleshi, deklaroi në fjalën e tij se punësimi është kryefjala dhe se ne kemi plane konkrete për punësimin në Maliq. “Do të punojmë për projektet e Maliqit sepse besojmë se zhvillimi i kësaj zone është zhvillimi i Korçës e Shqipërisë”, deklaroi Peleshi. Për këtë, vijoi fjalën ai, Gëzimi është zgjedhja e duhur për të çuar Maliqin në drejtimin e duhur dhe është njeri i orientuar nga puna.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button