Home / Qeveritare / Kodheli inspekton Policinë Ushtarake: Profesionalizëm në luftë ndaj krimit

Kodheli inspekton Policinë Ushtarake: Profesionalizëm në luftë ndaj krimit

Ministrja e Mbrojtjes,  Mimi Kodheli, e shoqëruar nga shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA-së, ka zhvilluar të enjten një inspektim në repartin e Policisë Ushtarake.

Ministrja Kodheli, u prit nga komandanti i Policisë Ushtarake, kolonel Xhedvdet Zeneli dhe më pas ka ndjekur një varg demonstrimesh ushtarake që lidhen me detyrat që kryejnë efektivat e kësaj policie në veprimtarinë e tyre të përditëshme ku u demonstruan veprime për hetimin dhe zbulimin e veprimtarisë kriminale në FA, për lirimin e objekteve të zëna por që janë në përdorim të FA, shoqërim të personliteteve të larta ushtarake dhe personave VIP.

Kodheli, pasi përgëzoj efektivat për demonstrimin stërvitorë, i vlerësoi për punën e bërë deri tani nga të gjithë sektorët e Policisë Ushtarake, ndërsa falenderoi në mënyrë të veçantë  “Sektorin e Policisë Kriminale dhe të gjithë ata djem e vajza të policisë që janë angazhuar dhe kanë kontribuar në zbulimin dhe parandalimin e veprimtarisë kriminale dhe në mënyrë të veçantë në luftën kundër korrupsionit në FA”.

IMG_1651Po ashtu, ministrja Kodheli theksoi se, “sapo kemi miratuar në Parlament  disa  prej ligjeve me kryesore siç janë: Ligji për Autoritetet e Drejtimit dhe Komandimit Strategjik, Ligji  për Karrierën Ushtarake,  Ligji  për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes dhe po punohet nga grupet e punës edhe për një sërë ligjesh të tjera që do t’i japin FA bazën ligjore me të cilën ndërtojnë punën dhe aktivitetin e tyre të përditshëm bazuar në realitetet e reja që po jetojmë. Në këtë kontekst, ka nënvizuar ajo, ligji i ri që po përgatitet “Për Policinë Ushtarake në  FA” do  të bëjë  të mundur një mbështetje më të mirë  ligjore për  realizimin e misionit tuaj, në mënyrë të veçantë, në luftën ndaj krimit në përgjithësi dhe korrupsionit në FA në veçanti”.

Në fund të fjalës së saj, ministrja e Mbrojtjes Kodheli ka shprehur besimin e palëkundur se, efektivat e Policisë Ushtarake edhe në të ardhmen do të punojnë pa u lodhur për krijimin e një policie sa më profesionale dhe të aftë për të kryer çdo detyrë që do iu ngarkohet, në mbështetje të misionit të tyre fisnik.

Leave a Reply

%d bloggers like this: