Opinion

Identiteti rizomatik i shqiptarëve

Nga Ilir Yzeiri

Filozofët e gjysmës së dytë të shekullit XX, Delëz dhe Guattari ishin ndër të parët që shtinë në veprim nocionin e identitetit rizomatik (rhisomatique) për të shpjeguar sidomos karakterin kompleks që mori sidomos historia e shumë vendeve në epokën postkoloniale. Të mësuar që ta shpjegojnë identitetin nacional sidomos me nocionin e pemës që ka një rrënjë dhe pastaj nis e plotësohet me trupin, degët dhe me drejtimin vertikal e hierarkik, studiuesit dhe filozofët u gjendën në vështirësi kur erdhi puna që të shpjegojnë apo të interpretojnë karakterin kompleks dhe të ngatërruar të shteteve që ata i kishin kolonizuar. Rizoma (rhisome) është një term i marrë nga botanika dhe shënjon zhvillimin horizontal dhe pa rrënjë të bimës. Me këtë term, një shkrimtar tjetër, përkatësisht Glissant e ka shpjeguar kështu konceptin e identitetit: “një rrënjë e vetme është ajo që i vret gjithë ata që ka përreth, ndërsa rhisoma është një rrënjë që shtrihet dhe që e pranon tjetrën rrënjë” (cituar prej M. Chapelan, L’identité rhisomatique de Dora D’Istria”.) Në themel të kësaj teorie, është sidomos kuptimi që ka marrë sot nocioni i identitetit si pranim i Tjetrit në botën globale.

Midis emfazës vertikale dhe dëshirës horizontale

Ne, shqiptarët, ndryshe nga shumë popuj të tjerë në Europë dhe në Ballkan, veçanërisht, dallohemi për mungesën totale të vëmendjes për identitetin vertikal, atë që ndërtohet sipas parimit të rrënjës, trungut dhe pemës. Ne jemi një popull që përtojmë të mbajmë mend dhe që historinë tonë nuk e kemi të mbushur me lëndë nga filozofia. Në identitetin tonë vertikal ne thuajse i kemi shmangur rrënjët tona dhe mitet. Skënderbeu për ne nuk është më një mit nacional që na identifikon të gjithëve, ai më shumë është bërë një fantazmë që shqetëson dhe turbullon identitetin tonë të shthurur. Ne sot jemi një popull me tri besime, por dallimi mes myslimanëve dhe të krishterëve është veçanërisht i dukshëm. Në qoftë se identiteti ynë përcaktohet nga rrënjët, ne, si europianë, duhet që t’i përkasim qytetërimit hebreo-kristian dhe atij greko-romak. Ky kuptim i identitetit të shqiptarëve është i shënjuar historikisht dhe kulmon me mitin e Gjergj Kastriotit që u shpall kampion i krishterimit në kohën e tij. Është fakt se Shqipëria kristiane u zhbë pas vdekjes së Skënderbeut dhe vendi thuajse u zbraz nga ikjet masive sidomos në Itali. Komuniteti shqiptar i arbëreshëve e ruajti dhe e mbajti gjallë këtë identitet dhe sot, nëse duam të dimë se si kemi qenë në kohën e Shqipërisë së krishterë, mjafton të vizitojmë arbëreshët e Italisë apo të lexojmë poetët e tyre të mëdhenj. Konvertimi me dhunë dhe me dëshirë i shqiptarëve në fenë islame i shtoi identitetit tonë një përmasë të re fetare dhe e tronditi modelin e identitetit që shpjegohet me nocionin e rrënjës apo të pemës. Siç dihet, deri në fund të shekullit XIX, identiteti fetar ishte dominantja përcaktuese e identitetit nacional. Rilindësit tanë u përpoqën që ta rikthenin edhe njëherë vëmendjen e shqiptarëve tek identiteti i rrënjës, por tashmë, ishte vonë, sepse origjina dhe rrënja ishin modifikuar. Përfaqësuesit e mëdhenj të kulturës shqiptare si Naimi apo Konica, megjithëse vetë i përkisnin besimit islam, bënin thirrje që të identifikoheshim me diellin që lind andej nga perëndon, pra të riktheheshim tek identiteti i rrënjës. Në pamundësi për t’i bindur shqiptarët që të ktheheshin në identitetin e tyre të vërtetë, Pashko Vasa shpalli një model të ri identiteti që përmblidhte në vetvete më shumë karakterin horizontal të identifikimit dhe për kohën ishte tepër modern. Duke shpallur se feja e shqiptarit “asht shqiptaria”, Pashko Vasa shtiu në filozofinë e mendimit shqiptar pikërisht kuptimin rizomatik të identitetit. Sipas këtij kuptimi, shqiptarët duhet ta pranonin njëri-tjetrin dhe duhet ta shihnin tjetrin si një mundësi për të bashkëjetuar. Mbreti reformator i Shqipërisë, Ahmet Zogu, ka meritën e padiskutueshme se e shihte vendin e tij si një pjesë të Europës së krishterë. Gjesti i tij për t’u martuar me një bijë nga një familje e madhe e krishterë e shenjon në mënyrë shembullore gjakimin që kishte ai për shpjegimin e identitetit sipas parimit të rrënjës dhe të trungut. Madje edhe gjesti i tij për ta shpallur veten pasardhës të Lekës ka një përmasë monumentale, sepse dëshironte që të risillte edhe njëherë në vëmendje Shqipërinë kristiane. Komunizmi i rrafshoi të gjitha këto dallime dhe krijoi një identitet tjetër që kishte në themel përmasën ideologjike.

Tërheqja e Skënderbeut

Tashmë po bëhet një rutinë e pranuar në heshtje që sa herë një shtetar i lartë turk vjen në Shqipëri ne duhet të fshehim Skënderbeun, pra ne nuk duhet të tregojmë rrënjët, ne duhet të modifikojmë origjinën tonë qoftë edhe për pak orë. Kjo rutinë përfshin sidomos protokollin e shtetit dhe është një nga gjërat më qesharake që mund të vihet re në marrëdhëniet mes dy vendeve. Mirëpo turqit kanë të drejtë që të mos e pranojnë Skënderbeun si hije në një sallë të mbyllur. Historia nuk është gjë tjetër veçse imazh dhe monument. Për sa kohë që ne shqiptarët e shkurtojmë dita-ditës pemën e identitetit tonë dhe ia ndryshojmë origjinën historisë sonë, çdo shtetar i lartë turk ka të drejtë ta refuzojë Skënderbeun. Pyetja që shtrohet sot për ne shqiptarët është kjo: çfarë do të bëjmë me Skënderbeun, çfarë do të bëjmë me identitetin tonë të pemës dhe të rrënjës? A do të vazhdojmë ta fshehim Skënderbeun sa herë që një shtetar i lartë turk vjen në Tiranë? Në fakt, problemi nuk është vetëm te shtetari turk, problemi është te ne shqiptarët. Ne, sot, për fat të keq, po projektohemi si shqiptarët e fundit të shekullit XIX. Ne gënjejmë veten dhe të tjerët kur themi se kemi tri besime dhe një identitet. Në fakt, ne identifikohemi në dy botë, në atë kristiane dhe në atë islame me shumicë, por kemi filluar të dyshojmë se cilët jemi, se cila është historia jonë. Sot në botën globale, kur identitetet nacionale dhe ato religjioze po riaktivizohen dhe në disa raste po bëhen shkaqe për lindjen e terrorizmit siç po ndodh me ISIS-in, njohja e rrënjëve tona europiane mund të ishte një shans i mirë që të pohonim identitetin rizomatik që shpalli Pashko Vasa kur tha se feja e shqiptarit asht shqiptaria, pra pranimi i rrënjëve historike.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button