Bota

Iraku kërkon vullnetarë në betejën kundër ISIS në Ramadi

Qeveria irakiane kërkon vullnetarë në betejën kundër ISIS-it për rimarrjen e qytetit strategjik të Ramadit. Në deklaratën e lëshuar prej saj thuhet se, një valë rekrutimesh do të ndihmonte shumë mbushjen e boshllëqeve të mëdha, që kanë njësitë ushtarake në provincën e Anbarit.

Forcat proqeveritare arritën të shmangnin gjatë natës një sulm të ISIS-it në lindje të Ramadit, shumë pranë zonës, ku janë zhvendosur paraushtarakët shiitë përpara kundër-ofensivës së planifikuar për zmbrapsjen e xhihadistëve.

Dëshmitarë okularë në qytet rrëfejnë të kenë parë militantët e Shtetit Islamik duke ndërtuar pozicione mbrojtëse.

Pas një takimi të Këshillit të Ministrave, kreu i ekzekutivit irakian, Haider al Abadi u zotua të marrë masa ndaj ushtarëve që ia mbathën nga Ramadi, pas mësymjes së Shtetit Islamik. Populli i Irakut duhet të qëndrojë i bashkuar në momente të tilla – deklaroi Abadi, – i cili premtoi gjithashtu të armatosë e të fusë në listën e rekrutimeve edhe luftëtarë të fiseve.

Vetë këshilli, nga ana tjetër, i lëshoi një apel të ri komunitetit ndërkombëtar për ta ndihmuar Irakun në “luftën kundër terrorizmit”.

Humbja e kryeqendrës së Anbarit nuk përbën vetëm një goditje të fortë për ekzekutivin irakian; ajo shënon dhe rënien e një simboli. Në një rajon, ku përplasjet mes sunitëve dhe shiitëve ushqejnë prej vitesh konflikte të hapura për pushtet dhe instrumentalizohen nga të gjitha anët pa rezerva, e gjithë situata është më shumë se një lojë me zjarrin, – thonë ekspertë.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së, ndërkohë po shqyrton mundësitë për të ndihmuar forcat tokësore në Ramadi, e ndër masat e diskutuara përfshihet edhe trajnimi i luftëtarëve të fiseve lokale, i përmendur dhe nga kryeministri irakian.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button