Bota

Nis samiti i Rigës. Merkel: Nuk është kundër Rusisë

Liderët e Bashkimit Europian po mblidhen në Riga të Letonisë për samitin me gjashtë ish-republika sovjetike, takim ky i errësuar nga roli i Rusisë në konfliktin ukrainas.

Partneriteti i BE-së me lindjen nuk është një instrument për ndjekjen e një politike ekspanioniste të bllokut, sqaroi kancelarja gjermane Angela Merkel përpara bisedimeve.

“Nuk drejtohet kundër askujt, e nuk është kundër Rusisë”, theksoi ajo.

Megjithatë, Moska, sipas kancelares, ende nuk mund t’i bashkohet grupit të 7 vendeve më të fuqishme të botës: “Përsa kohë Rusia nuk i përmbahet vlerave tona të përbashkëta, rikthimi në formatin G8 për ne është i papërfytyrueshëm”.

G7-ta, organizata e vendeve më të industrializuara të globit, do të takohet në Elmau të Gjermanisë muajin që vjen. Rusia vetë nuk po rri as ajo duarkryq dhe së fundi është duke ushtruar presion mbi ish-shtetet sovjetike që këto të fundit t’i bashkohen unionit euraziatik, të kryesuar nga Moska.

Marrëveshja e asociimit mes BE-së dhe Ukrainës e pati acaruar shumë Rusinë, ndërsa kriza e Ukrainës shpërtheu pikërisht pas samitit të fundit të partneritetit lindor, të mbajtur në Lituani nëntorin e vitit 2013. Ajo ishte koha kur në një kthesë të beftë të politikave të Kievit, ish-presidenti ukrainas Viktor Yanukovych, aleat i ngushtë i Moskës, refuzoi të nënshkruante ujdinë me bllokun europian.

Shkurtin e vitit 2014, Yanukovych ia mbathi nga Ukraina në mesin e valës së protestave popullore, gjatë të cilave humbën jetën mbi 100 vetë. Në mediat e huaja, samiti i Rigës përshkruhet si një event pa ambicie të mëdha e kjo për shkak se Brukseli nuk është i gatshëm të hedhë hapat për të cilat shpreson Kievi, sidomos perspektivën e anëtarësimit që nuk duket e mundur, të paktën në të ardhmen e afërt.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button