Home / Kryeartikull / Reforma në drejtësi, një emergjencë kombëtare

Reforma në drejtësi, një emergjencë kombëtare

Artan Mullaj

Njerëzimi ka krijuar gjykatat duke u kujdesur t’i japë një përmasë hyjnore drejtësisë, që ajo të jetë jashtë tij, të ngrihet mbi të, e pavarur dhe e pandikuar. Gjykatësit e parë qenë krerët e turmave, liderët e grupeve, krerët e fiseve, mbretërit, kadinjtë, sulltanët, profetët, me një performancë të përzotshme, dhe më pas, kultet, ku futen kanunet dhe besimet fetare, përfaqësuar nga priftërinj dhe hoxhallarë. Këto u paraprinë sistemeve të sotme të konsoliduara të drejtësisë: elementi hyjnor, trashëguar deri sot, është se përgjithësisht gjykatësit në botë nuk qasen në perceptim si njerëz të zakonshëm, por si njerëz të veçantë, të cilët i ka shenjtëruar drejtësia që duhet të japin.

Që kjo shenjtëri mungon në Shqipëri, kjo gjë është e njohur, si fakti që Everesti në Himalaje është maja më e lartë e planetit. Gjykatësit shqiptarë, në një kuptim janë si priftërinjtë; por jo si shenjtorët. Njëlloj si priftërinjtë, këta mendojnë se janë të paprekshëm. Të parët, sepse besojnë te gjykimi i perëndisë, të dytët, përkundrazi, se nuk besojnë tek ai. Të parët i mbron nënshtrimi i turmës ndaj frikës së qiellit, të dytët i mbron nënshtrimi i turmës ndaj padrejtësisë. Bindja se janë të paprekshëm, tek vrasin drejtësinë, në çdo kohë, situatë, pështjellim a epokë, i ka bërë sundimtarë: Çdo padrejtësi shndërrohet në sundim. Çdo sundim është armë e një pushteti. Gjykatat tona, nëpërmjet gjykatësve, s’bëjnë gjë tjetër veçse delegojnë apo shndërrojnë një pjesë të sundimit politik në një sundim shpirtëror, duke u afruar në këtë pikë me klerikët. Ky është misioni i tyre. Këtu i çon instinkti, rutina. Dhe ç’kemi për rrjedhojë? Padrejtësinë të shndërruar në një zakon të rrezikshëm, ku mbretëron makthi, stresi psikologjik i turmave, gjunjëzimi i tyre.

***

Kam qenë dëshmitar i disa seancave gjyqësore, në të cilat, gjykatësit do duhej t’i bënin së pari gjyqin vetvetes. Kush nuk ka qenë dëshmitar? Kush nuk ka ndier neveri, pezëm, mallkim, rebelim, poshtërim në skena, çështje, pazare, inskenime, ku drejtësia përqafohet me poshtërsinë, babëzinë, hordhinë, kurvërinë. Kam prekur me shqisa, si të qe një materie e zezë, e hidhur, e ashpër, e frikshme, barbare, PADREJTËSINË: e keni parë të gjithë. E keni parë, prekur e jetuar të gjithë!

Kam parë me sytë e mi se si palët paguajnë nën dorë për të blerë drejtësinë. Një i njohuri im, në sytë e mi, i dha nën dorë një avokati sekser 5 mijë euro, për të rrëzuar në Apel vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, e cila ia kishte shitur palës kundërshtare, si të qe një lopë në pazar, për 3 mijë euro. Kush nuk ka parë me sy duar gjykatësish që rrëmbejnë dhurata e shpërblime para gjyqeve? Kush nuk ka kafshuar thonjtë nga tronditja, në zyra avoketërish edhe gjykatësish të korruptuar nga koka te këmbët? Kush ka qenë nëpër gjyqe, të shkallës së parë, të shkallës së dytë, të Apelit, në Gjykatën e Lartë dhe nuk i janë kërkuar në emër të kushedi kujt për kushedi çfarë miliona lekë bakshishe për të fituar, për të rifituar, për të mos humbur, për të rrëzuar, për të mos rrëzuar vendime, gjithçka e gjithfarë, para, prona, liri, trashëgimi, ortakëri, marrëzi, pavarësisht drejtësisë, pavarësisht ndershmërisë, pavarësisht marrëzisë që përfaqëson te ne sa njëra aq edhe tjetra… Kam njohur një kryetar gjykate të korruptuar, si dhëmballë të prishur në një gojë të palarë. Kam njohur edhe një tjetër. Të tjerë! Kush nuk ka njohur? Kush nuk ka parë, kush nuk është përplasur me ta, mallkuar? Kush ka shpresuar mos ndeshet me ta, ndërkohë që kjo jetë në thelb është e padrejtë, dhe prandaj shpesh jemi në dorën e tyre, mes thonjve të tyre? Kam njohur pra një kryetar gjykate, që sillej si kapo drejtësie, cub edhe bob, tek bënte drejtësi vetëm në ndarjen e parave me kolegët e trupit gjykues. Kush nuk ka parë? Kush nuk ka njohur? Kush nuk ka dhënë? Kush nuk ka duruar? Janë kaq avoketër ndërmjetës, gjykatës, titullarë, kryetarë gjykatash, anëtarë të lartë të forumeve të drejtësisë më të ulët në planet, një front, një ushtri e tërë, një lukuni hajdutësh e gjakpirësish, që vrasin drejtësinë, lirinë, duke e shitur shtrenjtë a blerë atë si një lavire…

Të gjithë e dimë se drejtësia në Shqipëri nuk është alternativë, as mundësi, e ca më pak shenjtëri. Drejtësia shqiptare është mall tregu. Pazari ku blihet ky mall edhe shitet nuk ndryshon shumë nga pazari i putanave. Që ta kesh a fitosh drejtësinë duhet të paguash njëlloj si paguajnë klientët e prostitutave për to. Dhe ashtu si një prostitutë, edhe drejtësinë, edhe ndershmërinë, nuk mund ta kesh përgjithmonë. Që ta kesh sërish duhet të paguash sërish. Duhet t’u paguash gjyqtarëve për seancën e shkallës së parë. Pastaj duhet t’ju paguash më shtrenjtë atyre të apelit, ashtu si, një prostitutë e re dhe e bukur kushton më shumë se një e përdalë e moshuar e dhëmbërënë, që gjuan klientë të dëshpëruar mbrapa Pallatit të Kulturës. Shumë më shumë duhet të paguash në Gjykatën e Lartë, kryetarëve të mëdhenj a sekserëve, ashtu si, pornostaret kushtojnë shtrenjtë dhe mund t’i kenë vetëm bobët, bibët, bubët dhe bosët e mëdhenj.

Është një rutinë, si fotot e grave në fb, të jesh dëshmitar i kësaj babëzie pa fre, ashtu si rutinë është mungesa e drejtësisë te ne; të sqarohemi, mungesa e drejtësisë nuk ndodh vetiu, as rastësisht, ashtu si rastësisht nuk ndodh që në Shqipëri më kollaj fiton lotarinë e Gjebresë, sesa ndeshesh me një gjykatës të ndershëm. Mungesë drejtësie do të thotë pikërisht kjo mungesë njerëzish që prodhojnë drejtësi. Dilemë e tmerrshme kjo gjë, kjo mungesë, ky dyshim, ky paradoks shoqëror. Përkundrazi, sa kosovarët në Durrës, në verë, aq kollaj ndesh nga ana tjetër horrllëkun, pandershmërinë dhe babëzinë e gjykatësve; shumë lehtë, në çdo cep, sallë, kafe, sedilje makine, në gjithfarë hapësirash ku jepen e merren para, djersë, gjak për asgjënë dhe gjithçkanë, për gjithfarë këta njerëz, këta gjykatës, ky sistem, kjo armatë e ndotur vendosin, gjykojnë, mallkojnë. Kjo është një babëzi e gjallë që flet. Babëzi që merr frymë. Babëzi që vret shpirtra të pafajshëm.

… Kam dëgjuar për gjykatës të neveritshëm, avokatë të neveritshëm, kryetarë gjykatash të neveritshëm, që thithin si kanibalë gjakun e hallexhinjve; që objekt, subjekt, mision, vizion kanë vetëm paratë. Kush nuk ka dëgjuar? Që janë të shumtë dhe bastardë, s’ka më dyshime për askënd. Që ndyjnë imazhin e vendit, këtë na e thonë edhe të huajt. Shoqëria i ndesh këta birbo sallave të gjykimit, duke mbajtur dosje në duar. Në këto dosje nuk ka ligje dhe nene, por ka oferta palësh, në euro. Nuk i preferojnë lekët gjykatësit shqiptarë. Prandaj është e kotë të kërkosh a shpresosh drejtësi. Thjesht duhet ta blesh. Por nuk mjafton vetëm vullneti për të blerë. Duhet vullnet për të paguar më shumë. Sepse gjykatësit janë aty, për të bërë jo drejtësi, por një ankand drejtësie.

***

Si një institucion i besimit, gjykimit dhe i ndëshkimit, aq më pak sistemi ynë gjyqësor mund të supozohet i tillë, sa kohë shoqëria nuk ka besim tek ai. Njollosja e tij është tragjike. S’na mbetet veçse të durojmë dhe të kërkojmë më shumë. Të gjykojmë. A mund të zhbëhet kjo gjë. A mund të rikthehet besimi te kjo klasë e pabesë që ka vrarë, shëmtuar, shkatërruar e dhjerë drejtësinë në këtë vend? A mund, a duhet dhe a do të kemi ndonjëherë vullnet, reformë, përzotshmëri, për ta synuar pastrimin e saj? Për një paradoks, besimi te drejtësia shqiptare, nuk është më çështje e vullnetit të saj. Ashtu si njeriu i rënë në gropën e halesë, nuk mund të pastrohet me ujërat e zeza rrotull, as drejtësia shqiptare nuk mund të pastrojë vetveten me këllirën që vetë ka prodhuar. Por ka shpresë. Ka një mundësi, një regëtimë. Është politika e fisme, vullneti i mirë i saj. Madje, pastrimi dhe reformimi i drejtësisë është detyrë imediate e politikës. Imediate e bën fakti se asnjë vullnet tjetër nuk mund të pastrojë një ndotje të tillë të tmerrshme të moralit kolektiv të një armate të tërë kapuçonësh. Madje, politika ia ka borxh këtë gjë drejtësisë, e për pasojë, shoqërisë. Ja ka borxh, sepse politika është shkaktarja kryesore e rebelimit kurvëror të “drejtësisë” që kanë prodhuar deri tani gjykatat tona lavire. Është politika ajo që ka futur duart në gjyqësor, sipas joshjes dhe interesave, duke krijuar këtë mutacion të përbindshëm, që njëherësh pjell, ushqen edhe vret drejtësinë.

Reforma në drejtësi është më emergjente se koha! Nuk ka asnjë alternativë tjetër për ta shndërruar këtë gjënë, që ne e quajmë shtet, në një shtet ligjor. Reformë, nënkupto çmontim të korrupsionit mizor në drejtësi; reformë, nënkupto krijimin e një sistemi të shëndetshëm që do hedhë në erë këtë makth, si po hedhin në erë ndërtimet pa leje. Reformë në drejtësi nënkupto nevojën për një vullnet politik të njëjtë me vullnetin që qeveritarët kishin dhe kanë për të bërë udhëtime jashtë vendit. Me vullnet politik nënkupto filtrimin e ndershëm të njerëzve të cilëve do t’u besohet shenjtëria e gjykimit. A kemi njerëz të tillë? Le të përpiqemi seriozisht të kuptojmë këtë gjë. Sigurisht që kemi. Janë mes nesh. Çka mungon janë sytë për t’i parë, vlerësuar, ftuar dhe karikuar me përgjegjësi sublime. Qeveria duhet ta ketë nën dritën e bardhë këtë gjë: Asnjë nismë, vullnet, institucion nuk ndikon në imazhin e një vendi, sa drejtësia.

Leave a Reply

Your email address will not be published.