Politika

Vizita e parë e Vuçiç në Tiranë, protokoll pritjeje sipas reciprocitetit

Vizita e parë zyrtare në historinë e marrëdhënieve shqiptaro-serbe e një kryeministri serb në Tiranë, do të jetë ajo e kryeministrit Aleksandër Vuçiç, që do të realizohet në datën 27 maj.

Kjo vizitë zhvillohet në kuadër të samitit të kryeministrave të Organizatës së Bashkëpunimit të Vendeve të Europës Juglindore.

Një burim diplomatik afër këtyre përgatitjeve tha për Top Channel se, kjo vizitë nga pala shqiptare dhe ajo serbe është e ndërtuar e gjitha në bazë të parimit të reciprocitetit.

Kryeministri Vuçiç do të pritet me ceremoninë zyrtare që realizohet në pritje të tilla, ku parashikohen himnet e të dy vendeve. Pritja do të bëhet në Pallatin e Brigadave. Njësoj si edhe kryeministri shqiptar Edi Rama u prit në Pallatin “Serbia” të Serbisë. Protokolli shqiptar i ka ofruar protokollit të kryeministrit serb listën e një sërë krerëve të institucioneve që mund të presin kryeministrin Vuçiç.

Në këtë listë parashtrohen takime që nga takimi me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani, takimi me Kryetarin e Kuvendit Ilir Meta si dhe me kreun e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.

Interesante është të shihet si do të veprojë Presidenti Nishani, nëse do t’i përmbahet marrëdhënies së reciprocitetit. Kjo pasi në vizitën e realizuar në Serbi nga kryeministri shqiptar Edi Rama, Presidenti serb Nikoliç nuk pranoi të takohej me kryeministrin shqiptar. Edhe Presidenti shqiptar e ka mundësinë e refuzimit të një takimi të tillë.

Ndërkohë, mbetet e paqartë ende nëse kryeministri grek Tsipras do të jetë pjesë e këtij samiti. Top Channel ka mësuar se për momentin është konfirmuar pjesëmarrja e Greqisë me ministrin e Punëve të Jashtme ose një variant tjetër është ai me ministrin grek për çështjet europiane.

Related Articles

Nje koment

  1. Të paktën kur të vij në Tiranë thirrnje me emrin e vërtetë Vuçiq e jo gabinisht Vuçiç. Shihni origjinalin serbisht: Vučić, pra germat č e ć nuk jane te njeta, č=ç e ć=q.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button