Te ndryshme

Japonia përfshihet nga debatet për megamurin që mendohet ta mbrojë nga cunamet

Thuajse një e katërta e brigjeve lindore japoneze që u rrafshuan nga cunami i katër viteve më parë, mund të fshihet pas mureve të larta. Peshkatarët në rajonet e prekura po përpiqen ta ndalojnë projektin, pasi nuk mund të imagjinojnë dot të jetojnë si në burg e të mos shohin me sy detin, burimin e të ardhurave të tyre. Por ndërkaq, po diskutohen edhe zgjidhje alternative

Çdo ditë veshur me pantallona ngjyrë rozë, që nuk lejojnë depërtimin e ujit dhe një xhaketë të gjelbër, çizme gome dhe doreza të trasha llastiku: në këtë boshllëk vërtitet peshkatari i ri Tsutomu Abe mes erës e stuhisë me kolegët e tij në det. Bashkë me peshkatarë të tjerë, ata boshatisin rrjetat, e në dysheme gëlojnë peshqit.

Ditën tjetër, Abe dhe i vëllai udhëtojnë me voza me litarë të tendosur, me të cilat ata rrisin alga dhe midhje, përgatisin rrjetat apo mbledhin iriqë deti. Vendlindja e tyre, Akahama, që ndodhet pranë detit në lagjen tjetër të qytetit Otsuchi, në verilindje të Japonisë, është e njohur për ujërat e pasura me peshq, të rrethuara nga burime natyrore përgjatë bregut.

Kjo mund të ndryshonte shumë shpejt, nëse sikurse dhe është planifikuar, në mbi 230 kilometra të brigjeve lindore japoneze, do të ndërtohen 440 mure mbrojtëse ndaj cunamit. Megaprojekti i shtyrë e propaganduar nga shteti, përfshin rreth 820 miliardë jen (rreth 6 miliardë euro) në një kohëzgjatje prej pesë vitesh. Barrierat prej betoni mendohet se do të pengojnë që ajo çka ndodhi para katër viteve pas një tërmeti e cunami me fuqi 9 ballë, të shkatërrojë sërish qytete e rajone të tëra. Thuajse 19 000 vetë humbën jetën në atë kohë nga fatkeqësia ose quhen akoma si “të humbur”.

Në shumë vende, ndërtimi i murit, ndërkaq, ka nisur ose ndodhet në prag ndërtimi. Në Onagawa përkundrazi, njëri ndër qytetet më të dëmtuara nga cunami i fundit, më shumë po mendohet si të përmirësohet sistemi i evakuimit nëpërmjet trajnimeve dhe rrugëve më të mira.

Në vendlindjen e Abes, Akahama, akoma po diskutohet nëse ka vlerë të ndërtohet një barrierë e tillë kaq e kushtueshme. Peshkatarët kanë frikë se muri do ta zbrazë e do të ndikojë fort në faunën detare e ujore, duke ndërprerë vijën normale të qarkullimit të ujit. Abe nuk do që njerëzit vetëm t’i blejnë peshqit dhe frutat e detit prej tij, për të mbështetur rindërtimin.

Muri i madh i çorientoi banorët

Thuajse një e katërta e bregut, që gjatë cunamit u prek më shumë, ku numërohen prefekturat e Iwates, Miyagit dhe Fukushimas, tashmë është vendosur nën plane të mëdha, ku përveç shtetit janë përfshirë edhe firma të mëdha ndërtimore, që mund të ndërtojnë mure që shkojnë edhe mbi dhjetë metra të larta. Mirëpo “kush do të dëshironte të bënte më pushime ndanë një bregdeti të tillë”, pyesin banorët që jetojnë nga turizmi dhe peshkimi. E megjithatë, përballë një cunami që mund të ndodhë një herë në një mijë vjet, këto masa mund të rezultonin sërish të mangëta: në Akahama, kur ndodhi fatkeqësia, valët kapën nivelin e 22 metrave.

Debatet për muret e betonit kanë fokusuar ato për rindërtimin e rajonit, i cili në disa komunitete paraqet parakushtin për rindërtim. Për shkak të shtyrjeve të afateve, akoma dhe sot e kësaj dite, shumë nga të prekurit prej cunamit të katër viteve më parë, jetojnë në banesa në formë kontejnerësh, që ishin parashikuar të funksiononin vetëm dy vjet. Abe jeton atje me nënën e tij të ve. Babai i tij vdiq para katër viteve nga valët e cunamit. Pak ditë më pas, Abe u desh të shkonte sërish në det. “Kjo është natyra”, thotë ai, sikurse dhe shumë peshkatarë.

Proceset e vendimmarrjes në shumë lokalitete po njohin të njëjtin fat. Diskutohet, bëhen gati projektet, por nuk ecin përpara. Në Akahama, ndërsa u përfshinë nga një shok i paparë, në momentet e para u ra dakord për një mur 14,5 metra të lartë. Mirëpo më pas, banorët e mëparshëm vendosën të evakuohen e të jetojnë në terrene më të larta. Për të krijuar sipërfaqe të sheshta për ndërtime të reja, u vendosën shtylla në majat e zinxhirëve kodrinorë.

Vetëm se atje tashmë nuk do të jetojë njeri, e atëherë përse të ngrihet një mur kaq gjigant? Hiromi Kawaguchi, një burrë i moçëm në mbipeshë të dallueshme, është përballur me Komitetin për Rindërtim në Akahama dhe lufton kundër ngritjes së murit. Edhe muri i vjetër që ishte vetëm 6,4 metra i lartë, bëri që njerëzit të mos e shihnin cunamin që po afrohej dhe të gënjeheshin drejt një sigurie të rreme, thotë Kawaguchi dhe shumë kritikë të tjerë.

Muri nuk arriti të pengonte dot që një e dhjeta e njerëzve në rajon të humbitnin jetët apo të shpalleshin të humbur pas cunamit, e ndër ta edhe bashkëshortja e Kawaguchi-t dhe nipi i tij. Në banesën e tij provizore ai ka mbledhur lodra fëmijësh, libra e lapsa. Të gjitha si kujtim për ditën që i mori nga kjo botë vogëlushin, duke besuar e shpresuar se një ditë ai do të kthehet.

Banorët do të ndiheshin si në burg

Jo vetëm për nipin e tij të dashur tashmë Kawaguchi do të ruajë, duke u angazhuar fort, bukuritë natyrore të brigjeve të Otsuchi-t. Të jetosh si në një burg, rrethuar nga muret, këtë shumë prej nesh nuk e imagjinojnë dot. “Unë e urrej kur ata thonë se ne duam të ndërtojmë një komunitet që është rezistent ndaj katastrofave natyrore”, thotë Kawaguchi. “Ne duhet të ndërtojmë njerëz, që janë njerëz! Pastaj një komunitet i tillë lind vetvetiu.”

Por fjala e fundit akoma nuk është thënë. Sigurisht se në Akahama tashmë kanë rënë dakord të ndërtojnë një mur vetëm në lartësinë e paraardhësit, pra 6,4 metra të lartë. Por direkt pas tij, mbi një digë prej 11 metrash lartësi duhet ndërtuar edhe një rrugë. Ideja se mes murit dhe digës në formë V-je do të mund të mblidheshin mbeturina e pisllëqe, e bën Kawaguchi-n të vazhdojë luftën. Deri më sot, nuk është marrë asnjë vendim. Më e shpejta, në tre vjet, ai do ta shohë veten të shpërngulur në një shtëpi të re.

Një zgjidhje e mundshme u paraqit megjithatë pak kohë më parë nga Universiteti Nagoya në bashkëpunim me industrinë vendore. Ndërtimi i portave mbajtëse që mund të montoheshin në muret ekzistuese e që do të ngriheshin në mënyrë automatike në rast cunami, ka rezultuar ide e mirë në testet e zhvilluara për këtë qëllim. Ato do t’u mundësonin peshkatarëve shikim të lirë në det dhe banorëve gjithashtu një lloj mbrojtjeje. Duket si një zgjidhje oportune, të cilën edhe Kawaguchi e uron të ndodhë, pasi sidoqoftë: “Kundër natyrës, ne nuk mund të bëjmë dot asgjë”, thotë ai. “Njeriu më mirë duhet vetëm të përdorë atë çfarë natyra ia ka lënë në dorë: dijet dhe njohuritë”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button