Kosova

Përfundon autopsia për 5 të vrarë në Kumanovë

Departamenti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë nisi këtë të shtunë procesin e autopsisë për 9 të vrarët në Kumanovë.

Drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu konfirmoi për TCh se deri tani ka përfunduar autopsia për Beg Rizajn, Arben Rexhajn, Valon Kabashin, Xhafer Zymberajn dhe Samid Kastriotin.

Procesi për katër të tjerët do të vazhdojë të dielën pa pritur ardhjen e dokumenteve për autopsinë e parë nga Maqedonia.

Me kërkesë të familjes, siç konfirmohet nga Departamenti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, i pari që iu nënshtrua autopsisë ishte Beg Rizaj.

Ndërkohë, organizatat e dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në një takim të përbashkët me familjarët të shtunën kanë vendosur që Xhafer Zymberi, Mirsad Ndrecaj, Valon Kabashi, Turgaj Gashi, Samid Kastrioti, Hysen Rushiti, Fatlum Vishesella, Arben Rexhaj të prehen në varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Prishtinë.

Njoftohet se u është kërkuar edhe familjarëve të Beg Rizajt e njëjta gjë, pasi është njoftuar se varrimi i tij do të bëhet të dielën në kompleksin memorial të Gllogjanit.

Trupat e pajetë të 9 shtetasve kosovarë të vrarë më 9 maj në Kumanovë u kthyen në Kosovë mëngjesin e së premtes.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button