Zgjedhjet lokale 2015

Doshi i rikthehet fushatës me PS, akuza Metës për lojë të dyfishtë me kandidatët e majtë

Nga Artemisa Hoxha

I surprizuar ka qenë dje elektorati i majtë në Shkodër, teksa ka parë rikthimin e deputetit që është zgjedhur në këtë qark, Tom Doshi, të marrë pjesë në një fushatë zgjedhore, dhe për më tepër të një kandidati që garon nën siglën e PS-së. Ish-deputet i kësaj force politike, i përjashtuar nga grupi i majtë parlamentar socialist prej disa muajsh, ka vendosur që të mbështesë  në këto zgjedhje lokale pikërisht kandidaturën e Aleancës për Shqipërinë Evropianë në Bashkinë e Vaut të Dejës, Gjok Lleshi. Dje, ish-deputeti Doshi ka qenë i pranishëm në një takim elektoral të Lleshit në Bushat, ku gjatë fjalës së tij e ka konsideruar me bindje të plotë kandidaturën e Lleshit si fitues në këtë zonë. Kjo mbështetje e hapur për një kandidat të majtë nga ana e Doshit vjen nga fakti që vetë deputeti i përjashtuar nga e majta e konsideron veten ende një anëtar i saj dhe për këtë arsye do të vijojë që të japë kontributin e tij. “Jam këtu me ftesë të Gjok Lleshit dhe rinisë së Bushatit, jam i përjashtuar nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, por jo nga kjo parti, pasi mua nga kjo parti dhe politika më përjashton vetëm populli, i cili më ka zgjedhur”, ka thënë Doshi dje gjatë takimit që është mbajtur me strukturat e majta në Bushat. Por ashtu siç ka deklaruar edhe pak kohë  para se të përjashtohej nga grupi i majtë parlamentar, deputeti Doshi nuk i ka kursyer as dje kritikat ndaj aleatit më të madh në qeverisje, Lëvizjes Socialiste për Integrim , të drejtuar nga Ilir Meta, të cilin Doshi e akuzoi si njeriun që kishte paguar për eliminimin e tij fizik. Ai iu drejtua me një apel qytetarëve shkodranë që të mos e shesin votën e tyre te LSI-ja, por të bazohen në bindjet e tyre politike. “Unë mbështes Gjokë Lleshin për Bashkinë e Vaut të Dejës, por dua t’ju bëj apel shkodranëve të mos shiten te Lëvizja Socialiste për Integrim, por të votojnë sipas bindjeve të tyre”, ka thënë ndër të tjera Doshi. Por akuzat ndaj Metës kanë shkuar edhe më tej duke deklaruar se “ai po bën lojë nën rrogoz në favor të kandidatit të Partisë Demokratike në Bushat. Po luan me dy porta”. Ndërsa në lidhje me pretendimin për tentativën për vrasjen e tij, Doshi ka deklaruar se do të vijojë betejën  derisa e vërteta të dalë në dritë. “Unë do të bëj maksimumin për zbardhjen e së vërtetës për atentatin ndaj meje. S’do pushoj derisa të zbardhet e vërteta”, deklaroi Doshi duke bërë thirrje për të votuar të majtën. Më tej, deputeti Doshi nuk ka nguruar as të kritikojë sërish qeverinë për fushatën e ndërprerjes së lidhjeve të paligjshme të energjisë elektrike për debitorët. “Ky aksion është një kosto e qeverisë së shkuar që po e merr përsipër qeveria aktuale. Arrestimi i njerëzve dhe futja në burg për borxhe të mbartura ndër vite është një kosto për këtë qeveri”, është shprehur Doshi, duke pohuar se ftesa për të dalë në mbështetje të Lleshit është bërë nga të rinjtë e Bashkisë së Vaut të Dejës. Kjo shfaqje në publik e Doshit në një moment të rëndësishëm në fushatën për zgjedhjet vendore, pritet që të ketë impakin e vet, të paktën në qarkun, ku ai ka marrë tri herë mandatin e deputetit në Kuvendin e Shqipërisë. Më shumë sesa një mbështetje për Partinë Socialiste, dalja e djeshme përkrah Lleshit është një mbështetje personale ndaj tij si rezultat i njohjeve të vjetra së bashku. Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane, Gjok Lleshi, në këto zgjedhje përballet me kandidatin e djathtë, Zef Hila. Ndërkohë që nga ana e deputetëve të majtë në këtë qark nuk ka pasur asnjë reagim veçse e kanë konsideruar si gjënë e duhur hapin e bërë nga deputeti Doshi në mbështetje të elektoratit të majtë për një nga kandidatët e propozuar nga PS-së. Në këtë mënyrë duket se e majta do të jetë e qetë nga frika e një ndikimi që do të kishte përfshirja në fushatën zgjedhore e Doshit, frikë kjo për kandidaten e bashkisë më të madhe, atë të Shkodrës, Keti Bazhdarin. Që nga momenti i përjashtimit të Doshit nga grupi i majtë parlamentar erdhi dhe përfshirja e tij në një betejë ligjore pas akuzave të bëra në drejtim të kreut të Kuvendit, Ilir Metës, si dhe personave të tjerë në atë që u konsiderua si çështja “Doshi”. Pas seancave gjyqësore, Doshi aktualisht është në gjendje të lirë dhe me detyrim paraqitjeje pranë Gjykatës Lartë. Ndërkohë që vetëm pak ditë më parë mbi Doshin erdhi një padi nga ana e ILDKPKI-së, për fshehje të 23 milionë eurove nga deklaratat e pasurisë ndër vite të tij.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button