Kryeartikull

Po sigurisht, një kryebashkiak për kryeministër

Nga Monika Shoshori Stafa

Si ndiheni kur shihni në ekran kryetarin tuaj të bashkisë për çdo ditë e çdo mbrëmje, të vjetrin, të riun, por dhe të vjetrin e të riun bashkë?

A mbusheni me krenari për qytetin tuaj ndërsa plagën e “moçme urbane” të trashëguar nga komunizmi ta kenë kthyer në një bukuri qytetase të denjë drejt një traverse në skenën europiane? Apo ai/ata mbeten as më pak e as më shumë një burim i turpit publik e personal, disa tallës të neveritshëm kryekomunarësh që nën hallin e partisë që përfaqëson, shërbyen si pengu i radhës në një betejë me pushtetet që groposi qytetet vit pas viti? Në fakt, kjo është një ndjesi unike që çdo njeri nga ne e përjeton në raport me pothuajse të gjithë kryetarët e bashkive. Ndryshe nga çdo përfaqësues tjetër që na zgjidhet e rizgjidhet në Kuvend çdo katër vjet, ekziston një tjetër ndjesi ndaj kryebashkiakut të qytetit, një ndjesi që na lidh pashmangshmërisht më shumë me të sesa të zgjedhurit e tjerë. Filozofët shkruajnë se qoftë fjalët hyjnore, qoftë ato politike kanë kuptim veçse për aq sa ato përkojnë me praktikën, në rast të kundërt ato nuk janë veçse shenja pa asnjë lloj vlere dhe kuptimi. Kështu shqetësimi për të shmangur çdo perspektivë utopike në lidhje me politikën, është një shqetësim kryekëput makiavelist dhe për këtë duhet të bindemi sot e mot. Ndaj ndjesia që mendojmë të dyja palët se i shërben njërit apo tjetrit nuk ka asgjë personale në mes, sesa lidhja e përditshme që kemi mes të zgjedhurit, kryebashkiakut pra, vetes dhe qytetit midis. Është një lloj afekti që në pak fjalë lidhet me një vrull krenarie shumëshqisore, shumëdimensionale e shumë personale në rastin më të mirë apo dhe një lloj turpi dhe urrejtjeje nga ana tjetër, në rastin më të keq. Ngjan ky lloj afekti ndoshta me atë çka ne presim nga fëmijët tanë kur vijnë në këtë botë. Sado e çuditshme tingëllon, është pikërisht kështu. Pas një kohe të gjatë rritjeje dhe investimi e pas sjelljes shembullore brenda celulës së vogël të familjes, ne të gjithë e së bashku me të, sigurisht përfshihemi nën ambicien që çdo arritje të tyre ta hedhim në botën e gjerë, për ta çuar kudo me vete suksesin e tyre. Shembull i çuditshëm krahasimi, por provojeni nëse mundeni ta shihni kështu një kryebashkiak të suksesshëm. Çfarë ka të keqe në mes nëse atë e parashohim dhe si Kryeministër të vendit? E përfshirë nga shkrimet e fundit në shtyp dhe në televizion nuk arrij ta kuptoj se përse kaq fort është shënjestruar çdokush që e pretendon një ambicie të tillë? Italia ka kohë që i është bashkuar klubit të vogël të vendeve, si Franca ashtu dhe Turqia, që po qeverisen nga kryetarët e bashkive. Matteo Renzi, Kryeministri i ri italian, ndërtoi platformën e tij elektorale mbi pesë vitet e tij të suksesshme në krye të Firences. Një shembull të tillë pragmatizmi a jo, i ra edhe Shqipërisë ta jetojë. Historia moderne e politikës ka njohur ndërkohë një numër të madh krerësh qytetesh madje edhe në qeverisjen nacionale, si Zhak Shirak që prej Bashkisë së Parisit hipi më pas deri në krye të Francës. Një kryetari të mirë bashkie i është besuar posti i Kryeministrit apo dhe i presidentëve jo rrallë këto vite, jo vetëm nga qytetarët, por dhe nga njerëz të fuqishëm në mbarë botën, që nga metropole si Neë York e deri në Londër. Kryetarët e mirë të bashkive shkruajnë ekspertët e politologjisë, kanë tendencë, madje të përfillin një spektër të gjerë e shumëngjyrësh politik. E shpeshherë për këtë arsye ata i gjen të bëhen bashkë në afera shumë më të mëdha se vetë krerët e ekzekutivit. Duhet të sjellim në vëmendje se Londra vetë është qeverisur nga dy personalitete të njohura, si Ken Livingstone, një marksist i deklaruar, por që vazhdimisht inkurajonte zhvillimin me densitet të lartë të pronës private duke ligjëruar tarifat jo fort të lehta për ngjarjen e makinës në qendër të qytetit, apo dhe Boris Johnson, një ekstremist i së djathtës i cili me padurim përqafoi transitin publik, korsinë e biçikletave dhe multikulturalizmin urban. E përse nuk mund ta pretendojmë ne këtë lloj politikani në nivel kombëtar e pse jo dhe ndërkombëtar? Kjo është sot pikërisht pyetja e hedhur nga teoricienët e politikës amerikane, një prej tyre është Benjamin Barber që në librin e tij angazhohet të argumentojë faktin “Nëse kryetarët e bashkive do të qeverisnin botën”. Ai propozon një “Parlament global të kryetarëve të bashkive”, i cili mund të udhëheqë lidershipin e botës, të ndajë praktikat më të mira dhe të orkestrojë fushata ndërkombëtare rreth çështjeve që janë lënë pas dore. Sigurisht, në pamje të parë duket një ide e bukur dhe që duhet të bëhet realitet, por pas kësaj, po t’i hedhësh një vështrim thellësisht analitik prurjeve në krye të bashkive të Shqipërisë, gjatë këtyre dekadave më lind një tjetër pyetje: Me pak përjashtime të përmendura më lart, përse kryetarët e bashkive duken që çalltisin aq dobët në skenën politike të një vendi? Ndoshta për shkak të aftësive të nevojshme për sukses në politikën lokale të qytetit, e cila në fakt është krejtësisht e ndryshme nga ajo që kërkohet për politikat nacionale. Kjo e fundit krejt e lidhur me kryerjen e planeve të guximshme që kërkon autoritetin e nevojshëm absolut dhe që shpesh nënshkruan më lehtësisht falsifikime kompromisesh mes palëve të ndryshme në varësi rrethanash të ndryshme. Çfarë e bën një kryetar bashkie të madh, shpeshherë për qeverisjen nacionale është një shkatërrim i tmerrshëm. Historia e politikës jep shembuj të ndryshëm, se ajo që përbën një pikë të fortë qeverisjeje në nivel qyteti mund të jetë një demagogji e frikshme në skenën politike kombëtare. Hollësitë mbi personalitetin e një kryebashkiaku tregojnë se udhëheqësit më të mirë bashkiakë shpesh kategorizohen si autoritarë beninj. Një ekspert i politikave të qeverisjes lokale më pat thënë dikur gjatë një leksioni në Firence në European University Institute, se ‘pothuajse të gjithë kryetarët e bashkive janë ose komunistë, ose fashistë”. Pas një vështrimi të heshtur atij dhe një retrospektive që i bëra qytetit tim, në të vërtetë kjo thënie përbënte sigurisht një pjesë të embrionit të së vërtetës universale: Kryetarët e bashkive shpesh ushtrojnë kompetenca autoritariste që do të ishin në të vërtetë të rralla për t’u ushtruar në qeverisje kombëtare. Sepse ka një rregull të artë në këtë mes që përbën rrënjët e një prej disa pikave themelore të të bërit politikë: Sa më lokalisht një politikë vepron, aq më shumë korruptuese e më pak demokratike ajo kthehet. Nëse tërhiqemi nga një politikë kombëtare në atë lokale, do të shohim qartë se përqindja e njerëzve që pritet të votojnë duket se bie ndjeshëm, e po aq bie dhe zbatimi i rregullave të transparencës. Agjencitë mbikëqyrëse të demokracisë që e vëzhgojnë atë ulin interesin, ndërsa sasia dhe cilësia e vëmendjes së mediave ndaj tyre, gjithmonë e më shumë shkon drejt zvogëlimit. Me fjalë të tjera, mbetet që cilësia e udhëheqjes t’i atribuohet ndërtimit të sistemit dhe me shumë gjasa të varet nga karakteri i personit që pritet t’i rrijë në krye. Kjo është dhe arsyeja përse krerët e bashkive tona gjithmonë do t’i shohim si fëmijët tanë, e përse ata duan të largohen nga shtëpia kur fillojnë të ndihen më të rritur e më të suksesshëm. Mendimtari fiorentin, Makiaveli, shkruan se nuk duhet të ngatërrojmë formulat morale, ideale dhe utopike me problematikat e realitetit. Po aq dhe të mos nënvlerësojmë rolin politik të përjetimeve njerëzore, sepse nuk mjafton prania e së vërtetës apo fakti që jemi pajisur me arsye, për të hamendësuar se njeriu do sillet sipas së vërtetës në fjalë apo në mënyrë të arsyeshme. Për këtë arsye e drejta natyrore e çdo njeriu nuk përcaktohet nga arsyeja e shëndetshme, por nga dëshira dhe fuqia. E jo pa qëllim lind që këtej pyetja për të zgjedhurit e rinj, a dëshirojnë ata vërtet ta përmirësojnë një gjendje të caktuar individuale, shoqërore apo politike? Sepse duhet të jemi të qartë, e drejta natyrore e çdo njeriu nuk përcaktohet nga arsyeja e shëndetshme e individëve që na drejtojnë, por nga dëshira dhe fuqia e tyre, kjo e fundit një entitet politik përfaqësuar nga institucione politike në duart e një shumësie të caktuar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button