Home / Ekonomia / Këshilli Botëror i Turizmit, kontributi i turizmit në PBB për 2015 me rënie

Këshilli Botëror i Turizmit, kontributi i turizmit në PBB për 2015 me rënie

mali i zi 2Kontributi direkt në Prodhimin e Brendshëm Bruto të turizmit shqiptar pritet të bjerë me 2.1% këtë vit…

Sipas raportit të fundit të Këshillit Botëror të Turizmit, kontributi direkt në Prodhimin e Brendshëm Bruto të turizmit shqiptar pritet të bjerë me 2.1% këtë vit. Kontributi i turizmit në ekonominë tonë pritet të jetë afër niveleve më të ulëta të shënuara në dhjetëvjeçarin e fundit. Një grupim faktorësh të brendshëm, më shumë se të jashtëm, vlerësohet ta bëjnë turizmin të shënojë hapa mbrapa. Flitet për ndikimin e zgjedhjeve lokale, për efektin e ulët të investimeve publike në sektor, e prirjen për të shpenzuar më pak në turizmin e brendshëm. Sipas raportit të fundit të Këshillit Botëror të Turizmit vitin e kaluar, sektori vlerësohet të ketë siguruar 82.3 miliardë lekë, ose 5.9% të PBB-së. Ndërsa këtë vit, kontributi i tij pritet të bjerë në 5.7%. Përjashtuar vitin aktual të kthesës, në dhjetëvjeçarin e ardhshëm parashikimet janë optimiste, nisur nga strategjitë e zhvillimit të ekonomisë.

Sipas raportit botëror, turizmi shqiptar pritet të rritet mesatarisht 4.1% në vit në dhjetëvjeçarin 2015-2025, për të arritur në një vlerë 120.4 miliardë lekë, (6.2% e PBB-së në 2025-n). Po të bëjmë një krahasim me pritshmëritë e ministrit Ahmetaj, edhe kjo shifër është konservatore. Ai beson se me hapat e ndërmarrë së fundi, industria do të kërcejë në 6.5% të PBB-së në tre-katër vitet që vijnë.
Por, të kthehemi te viti aktual, kur po troket turizmi veror, e njëkohësisht edhe zgjedhjet vendore. Një sektor që varet shumë nga investimet private e publike, pritet të vuajë përkeqësimin e të gjithë treguesve që lidhen me të. Kontributi total i turizmit, në PBB, sipas raportit, ishte 291.6 miliardë lekë, ose 21% e PBB-së në 2014-n. Për këtë vit, është parashikuar të bjerë 2.1% (në vlerë absolute). Ndërsa për dhjetëvjeçarin e ardhshëm parashikohet të ketë një rritje vjetore 4% për të arritur në 2025-n në 424.4 miliardë lekë ose (21.8% e PBB-së).
I pandjeshëm pritet të jetë ndikimi në punësimin direkt. Vitin e kaluar, në vendin tonë, turizmi ka mbështetur direkt me punë 50.500 persona, ose 5.3% e totalit të të punësuarve. Kjo pritet të mbetet e pandryshuar këtë vit dhe të rritet 2.2% në vit për të arritur në 62 mijë vende pune (5.8% e totalit të punësimit pas dhjetë vitesh.

Kontributi total i punësimit është edhe më i lartë. Duke përfshirë edhe punët e mbështetura jodrejtpërdrejt nga industria vitin e kaluar, sektori angazhoi 182 mijë persona, duke kapur 19.2% të totalit. Kjo pritet të bjerë 0.8% këtë vit, në 180.5 mijë vende pune, dhe të rritet me 2% në vit për të arritur në 220 mijë vende punë në 2025 (ose 20.4% e totalit të të punësuarve).
Sipas raportit, për vitin që shkoi vizitorët siguruan 191.5 miliardë lekë, ose 30.4% të totalit të eksporteve. Kontribut që pritet të bjerë 2.8% këtë vit dhe të rritet mesatarisht 3.8% në vit në dhjetë vitet e ardhshme për të arritur në 273 miliardë lekë pas dhjetë vitesh, ose sa 24% e totalit të eksporteve.
Vlera e investimeve vitin e kaluar ishte 19.3 miliardë lekë, ose 4.6% e totalit të investimeve. Ajo do të rritet me 1.6% në 2015 dhe 3.6% në vit mes periudhës 2015-2025.
Renditja botërore bëhet mes 184 vendeve dhe shpenzimet e udhëtimeve për kohë të lirë (hyrje dhe brenda vendit) vlerësohet të kenë siguruar mbi 77% të kontributit direkt të turizmit në PBB, krahasuar me 22.6% të shpenzimeve të udhëtimit për biznes. Këtë vit, shpenzimet për udhëtime biznesi pritet të bien 5.7% e të rriten 2.6% mesatarisht në vitet e ardhshme.

2015, turizmi botëror do të rritet 3.7%

Ndikimi i udhëtimit dhe turizmit në zhvillimin ekonomik dhe social të një vendi mund të jetë shumë i madh. Duke zhvilluar biznesin, tregtinë, investimet kapitale, duke krijuar vende të lira pune dhe duke mbrojtur trashëgiminë e vlerave kulturore. Për të kuptuar plotësisht ndikimin e këtij sektori, gjithsesi, qeveritë, hartuesit e politikave e sipërmarrësit kanë nevojë për të dhëna të sakta.
Raporti ekonomik vjetor i Këshillit Botëror të Udhëtimit e Turizmit, këtë vit mbulon 184 vende. Udhëtimet dhe turizmi kanë siguruar 7.6 trilionë dollarë, 10% të totalit të Prodhimit Botëror dhe 277 milionë vende pune (1 në 11 të punësuar) për ekonominë globale 2014. Sipas raportit, vitet e fundit, udhëtimi dhe turizmi kanë parë rritje më të shpejtë se e gjithë pjesa tjetër e ekonomisë, e shumë sektorë domethënës si ai i automobilave, shërbimi financiar dhe kujdesi shëndetësor.
Viti i kaluar nuk ishte një përjashtim. Mbërritjet ndërkombëtare turistike në vende të ndryshme arritën në gati 1.14 miliardë dhe shpenzimet e vizitorëve patën një rritje më të madhe.
Raporti vëren se vizitorët nga ekonomitë në zhvillim përbëjnë 46% të këtyre të ardhurve ndërkombëtare (nga 38% në vitin 2000), duke dëshmuar rritjen e mundësive për udhëtim nga këto tregje të reja. Sektori përballet me sfida çdo vit dhe këtë vit rreziku vjen nga dobësimi apo luhatja e shumë monedhave përkundrejt dollarit amerikan. Një recesion i thellë në Rusi, një treg kyç për flukset dalëse, do të ulë shpenzimet dalëse në linjë me tregtinë më të ulët botërore për 2015-n.
Por, ulja e çmimit të naftës shihet si favor në uljen e kostove të turizmit, ndaj zgjerimi i udhëtimit dhe turizmit është parashikuar të jetë me ritëm më të lartë se vjet dhe kontributi total në PBB është parashikuar të rritet me 3.7%. Destinacione të reja dhe mundësi investimi do të vazhdojnë gjithashtu të lulëzojnë, ndërsa turizmi do të bëhet gjithnjë e më i përballueshëm në vendet në zhvillim.
Presidenti i Këshillit Botëror të Udhëtimit e Turizmit, David Scowsill thotë se, “kjo rritje do të kërkojë që vendet të miratojnë një qasje të përbashkët dhe të koordinuar për një planifikim të zgjuar dhe zhvillim midis industrisë së tyre, qeverisë dhe institucioneve arsimore, për të siguruar që të përmbushin potencialin e tyre në vitet e ardhshme”.

Leave a Reply

%d bloggers like this: