Home / Politika / Kryeministri Vuçiç mbërrin sot në Tiranë nën masa të rrepta sigurie

Kryeministri Vuçiç mbërrin sot në Tiranë nën masa të rrepta sigurie

vucic 1Vizita dyditore e Kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç që nis sot në Tiranë, është vizita e parë e një kryeministri serb në Shqipëri. Sipas burimeve nga Kryeminstria, kreu i qeverisë serbe pritet të zbresë në Aeroportin e Rinasit në orën 11:00, ndërsa do të mbërrijë në Pallatin e Brigadave rreth orës 11:30.

Nga ora 11.35 – 11:45 do të zhvillohet ​ceremonia e mirëseardhjes ​(përpara Pallatit të Brigadave). Nga ora 11:50- 12:45​ do të zhvillohet takimi dypalësh i delegacioneve, kryesuar nga dy kryeministrat, ndërsa nga ora 12:50-13:20 ​do të zhvillohet konferenca e përbashkët për shtyp. Ndërsa sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme nga ora 15:00 – 15:40, Kryeministri Vuçiç do të zhvillojë një takim me Kryetarin e Parlamentit, Ilir Meta. Më tej nga ora 15:50 -16:30 ​do të ketë një takim me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani, ndërsa nga ora 16:40-17:15 do të takohet me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. Ndërsa ditën e enjte Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç do të marrë pjesë në ‘Vienna Economic Forum’ që mbahet në Tiranë.

Vizita e Vuçiç: Policia, masa për garantimin e rendit dhe sigurisë

Drejtoria e Policise se Shtetit ka bërë publike te marten pasdite masat që do të merren me rastin e vizitës në Tiranë të  Kryeministrit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Zëvendës Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Altin Qato, theksoi në një konferencë për shtyp se, masat merren për të garantuar rendin dhe sigurinë. Gjithashtu, ai sqaroi se do të merren masa për kontrollin e kufirit. Ai bëri me dije se për të garantuar sigurinë publike do të ndalohet qarkullimi përkohësisht në disa akse.

‘Drejtoria e Policisë së Shtetit, me strukturat në vartësi të saj, ka marrë një sërë masash për të garantuar rendin publik, sigurinë dhe mbarëvajtien e aktiviteteve që do zhvillohen me rastin e vizitës së Kryeministrit të Republikës së Serbisë në Tiranë, më datat 27 e 28 Maj 2015, si dhe për të garantuar rendin e sigurinë në tërësi gjatë dy ditëve të zhvillimit të Samitit Ekonomik të Vjenës në Tiranë”, tha Qato. Në këtë kuadër, vijoi ai, ‘do të angazhohen Strukturat Qendrore të Drejtorisë së Përgjithshme për Sigurinë Publike, Drejtorisë së Përgjithshme për Krimin e Organizuar dhe Krimet e Rënda, Drejtorisë së Përgjithshme për Kufirin dhe Migracionin, Drejtorisë së Antiterrorit, si dhe të Forcës së Posaçme Operacionale”.

vucic 2Sipas tij, “në mbështetje të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë dhe Durrës do të angazhohen strukturat e Forcave Lëvizëse Operacionale, konkretisht nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë 160 punonjës policie, si dhe nga Forcat Speciale Renea 80 punonjës policie”. “Nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë do të angazhohen gjithsej 850 punonjës policie, nga Shqiponjat , Patrullat e Përgjithshme, SPZ, Policia Rrugore, Hetimi i Krimit, si dhe nga Operacionet Speciale”, tha Qato.

“Gjithsej vëtëm në Tiranë do të angazhohen në terren 1090 punonjës policie. Ndërsa në teritorin e Qarkut Durrës do të angazhohen 220 punonjës policie. Strukturat për Kufirin dhe Migracionin në nivel Qëndror dhe Rajonal kanë shtuar masat për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kufirit shtetëror, si dhe për kontrollin e shtetasve në hyrje në të gjitha pikat e kalimit kufitar”, theksoi Qato.

Gjithashtu, shtoi ai, “strukturat e Policisë së Shtetit po bashkëpunojnë dhe bashkërendojnë veprimet me Gardën e Republikës për të gjitha masat e sigurisë, me Shërbimin Informativ Shtetëror dhe Shërbimet e tjera Inteligjente për shkëmbimin e informacionit në kohë reale, si dhe me Ministrinë e Mbrojtjes, për monitorimin me helikopter të hapësirës ajrore të qytetit të Tiranës”.

Përveç këtyre masave, Qato theksoi se “nga Strukturat e Policisë së Shtetit janë marrë masat për të garantuar rendin dhe sigurinë publike në të gjithë teritorin e vendit”. Policia kërkon mirëkuptimin dhe mbështetjen e qytetarëve dhe të medias për të gjitha masat e marra nga Policia e Shtetit, në veçanti ato për ndalim-qarkullimin e përkohshëm të automjeteve në disa akse rrugore të Qarkut Tiranë dhe Durrës.

Vuçiç viziton Tiranën, Policia bllokon qarkullimin në disa akse rrugore

Policia e Tiranës ka marrë masa shtrënguese për të garantuar mbarëvajtjen e vizitës së kryetarit të qeverisë serbe. Sipas Policisë së Tiranës parashikohet ndalimi i parkimit të mjeteve që prej mbrëmjes së të martës në afërsi të Ambasadës së Serbisë në Tiranës, duke filluar nga ora 21:59. Gjithashtu, nuk do të lejohet parkimi i mjeteve përgjatë aksit, nga rruga e “Rinasit”, në “Qafë Kashar”, sheshi “Shqiponja”, rruga “Dritan Hoxha” në të dyja senset (hyrje-dalje), rruga e “Durrësit”, sheshi “Skënderbej”, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, rruga “Ismail Qemali” (nga radiotelevizioni në drejtim të liceut), rruga e Elbasanit deri te Pallati i“Brigadave.

Duke filluar nga ora 10.40 e datës 27 maj, do të ketë kufizim deri në bllokim lëvizje në hyrje të autostradës. Segmentet rrugore ku nuk do të lejohet parkimi i mjeteve janë: nga “Ura e Elbasanit” , bulevardi “Zhan Dark”, bulevardi “Gjergj Fishta”, ekspozita “Shqipëria Sot”, ura “Vasil Shanto”, pallati me Shigjeta, “Unaza e Re” në drejtim të sheshit “Shqiponja”. Policia e Tiranës i bënë thirrje të gjithë qytetarëve të lëvizin me motoçikleta ose biçikletë përgjatë peridhës kur dhe do jetë i kufizuar qarkullimi. Mësohet se gjithashtu gjatë dy ditëve të vizitës së Kryeministrit Vuçiç në Tiranë, edhe njësia anti-terror do të jetë në angazhim të plotë.

Leave a Reply

%d bloggers like this: