Politika

Radishiç: Shqipëri-Serbi, drejt urave të reja, 30 gazetarë serb në Tiranë

gazetarVizita historike e kryeministrit serb, Aleksandër Vuçiç në Tiranë ka ngjallur interes në Serbi. Për këtë kanë mbërritur në Tiranë më shumë se 30 gazetarë nga Serbia. Njëri prej tyre është Nikola Radishiç, i televizionit N1 në Beograd, i cili në një intervistë për Top Channel, fillimisht i përgjigjet pyetjes se, cilat janë pritshmëritë në Beograd për këtë vizitë?

Nikola Radishiç, gazetar i N1, Beograd: Pritshmëritë janë të mëdha, pasi më në fund ka ardhur momenti të flasim me njëri-tjetrin dhe të ndërtojmë ura mes nesh, pasi siç e dimë nuk ka lidhje të forta mes Shqipërisë dhe Serbisë. Gjërat që fliten mes nesh janë deri diku negative, siç është Kosova, për të cilën janë politikanët ata, të cilët duhet t’i lënë mënjanë zënkat dhe duhet të tentojnë krijimin e një situate të re. Nuk jam i sigurt, nëse politikanët janë të sinqertë në atë që po bëjnë, pasi gjërat zakonisht janë të diktuara nga Brukseli. Bisedime të ndërsjellta duhet të ndodhin, ne duhet të jemi bashkë e të flasim. Nëse nuk e bëjmë ne këtë, dikush tjetër duhet ta na nxisë. Pritshmëritë e kësaj vizite janë të mëdha, edhe në fushën e projekteve ekonomike, që janë në tavolinë për t’u biseduar. Në këtë këndvështrim, njerëzit dhe politikanët kanë pritshmëri në atë takim, që do të zhvillohet nesër.

Si është pritur në Serbi kjo vizitë?

Nikola Radishiç: Nëse do të shohim raportimet e medias nuk marrim një panoramë të qartë, pasi media është ose e kontrolluar, apo shumë e vetëcensuruar. Njerëzit e thjeshtë, nuk jam i sigurt nëse e kuptojnë rëndësinë që ka kjo vizitë. Ata nuk kanë shumë interes te Shqipëria, pasi për ta duket një vend i çuditshëm, i panjohur dhe me plot paragjykime. Ne gazetarët dhe politikanët, që kemi më shumë informacione, e shohim vizitën si pozitive, pasi me patjetër duhet të kemi lidhje me njëri-tjetrin dhe bashkëpunim. Kjo është rruga e duhur pas incidentit në Beograd me dronin, apo atë në konferencën e shtypit, të cilave media u kushtoi shumë vëmendje. Apo pas deklaratave të Edi Ramës, të cilat u kuptuan dhe u komentuan si me “sfondin” e bashkimit të Shqipërisë me Kosovën. Këto kanë shkaktuar përshtjellime në Serbi, por mendoj se lajmi që Vuçiç do të vijë në Tiranë është pritur pozitivisht.

Sipas mendimit t’uaj, çfarë do të tentojë Vuçiç të arrijë gjatë qëndrimit në Tiranë?

Nikola Radishiç: Ajo që nisi në Berlin për projektet e infrastrukturës, besoj se do të vijojë. Ministria e Infrastrukturës së Serbisë është pjesë e delegacionit dhe ajo do të jetë një prej figurave qendrore të bisedimeve. Një tjetër aspekt është identifikimi i rrugëve të reja të komunikimit, në gjetjen e një gjuhe të përbashkët. Kjo është e paevitueshme për të gjithë ne, në rrugën europiane, pasi bashkëpunimi rajonal është me shumë rëndësi. Objektivi kryesor është nisja e të besuarit te njëri-tjetri. Nuk jam i sigurt, nëse do t’ia arrijnë.

Gjatë një interviste për “AFP”, kryeministri Rama deklaroi se ai është i bindur, që Shqipëria dhe Serbia, shqiptarët dhe serbët mund të bëjnë së bashku për Ballkanin, atë që Franca dhe Gjermania bënë për Europën pas Luftës së Dytë Botërtore. A mendoni se kjo mund të arrihet?

Nikola Radishiç: Unë mendoj që është e mundur. Vetëm nëse të dy palët janë qartësisht të zgjuara, atëherë mund të arrihet. Të dyja palët duhet ta çtensionojnë situatën, duke ndaluar së foluri për “Shqipërinë e Madhe” apo “Serbinë e Madhe”. Duhet t’i japin fund ndezjes së zjarrit të nacionalizmit, paçka se për politikanët mund të përkthehet si mbështetje nga njerëzit. Por nëse flasim për terma afatgjatë, atëherë ajo që përfitohet është në favorin e të gjithëve ne.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button