Maqedonia

Maqedonia – një peng i ri në arenën gjeopolitike të Rusisë

Maqedonia s’ka qenë kurrë pjesë e rëndësishme e politikës së jashtme ruse. Por zhvillimet e fundit tërheqin vëmendjen e Moskës. Disa analistë besojnë se për kryeministrin Gruevski është e mirëseardhur mbështetja ruse.

“Anëtarësimi në BE dhe në NATO mbetet prioritet ynë më i lartë”, deklaroi kryeministri Nikola Gruevski gjatë manifestimit të partisë së tij VMRO-DPMNE më 18 maj në Shkup, ndërkohë që dhjetra përkrahës të tij në radhët e para të demonstruesve mbanin t-shirts me portretin e Putinit dhe valëvisnin flamuj rusë.

Shumë mendojnë se kontradikta mes fjalëve të Gruevskit dhe folklorit pro-rus në radhët e përkrahësve të tij reflekton skizmën aktuale të shoqërisë së Maqedonisë, e cila është përfshirë muajt e fundit nga një krizë e thellë politike, e shoqëruar me incidente të rënda sigurie, që u përshkallëzuan së fundi me ngjarjen në Kumanovë, ku gjetën vdekjen 18 vetë.

Por ajo që në dukje është një konflikt tipik i brendshëm Ballkanik, shumë shpejt mori trajtat e një shkalle të re të konfrontimit mes Rusisë dhe Perëndimit. Së fundi Moska zyrtare deklaroi se “ngjarjet në Maqedoni janë orkestruar duke ushtruar presion nga jashtë”, me këto fjalë u shpreh ministri i Jashtëm i Rusisë Sergei Lavrov më 20 maj duke marrë në mbrojtje qeverinë konservatore në Shkup. Kjo ishte deklarata e fundit në një varg pozicionimesh zyrtare nga Rusia gjatë këtij muaji, gjë që i ka befasuar shumë në vendin e varfër ballkanik me dy milionë banorë. Qëkurse ka marrë fund konflikti i armatosur mes forcave maqedionase të rendit dhe guerrilasve shqiptarë në vitin 2001, komentet nga Ministria e Jashtme e Rusisë lidhur me situatën e brendshme politike në Maqedoni kanë qenë të rralla. Ndryshe nga vendet fqinjë Serbia dhe Greqia, që kanë lidhje të ngushta historike me Rusinë, Maqedonia asnjëherë nuk ka tërhequr vëmendjen e Moskës.

“Maqedonia nuk është dhe asnjëherë nuk ka qenë pjesë aktive e politikës së jashtme ruse”, thotë për DW Julija Brsakoska-Bazerkoska, profesore në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Shkupit.

Gazsjellësi “Turkish Stream”

Sipas Lavrovit, refuzimi i Gruevskit për t’iu bashkuar sanksioneve kundër Rusisë dhe vullneti i tij për të bashkëpunuar në ndërtimin e linjës gazsjellëse “Turkish Stream”, janë arsyeja e trazirave të nxitura, sipas tij nga “Perëndimi”.

Sergej Lavrov dhe John Kerry
Sergej Lavrov dhe John Kerry

“Nëse shihni pozitën gjeografike të rajonit, Maqedonia ka pozicionin më të përshtatshëm për të ndërtuar zgjerimin e projektit më të ri të infrastrukturës së energjetikës në rajon, të ashtuquajturin ‘Turkish Stream”, tha në një intervistë për televizionin Bloomberg, Vladimir Chizhov, ambasadori rus në BE.

Por disa analistë dyshojnë se ‘Turkish stream’ do të ndërtohet. Nikola Kjurchiski nga akademia presidenciale në Moskë, thotë në intervistë për DW, se ka shumë arsye të besosh, që ky projekt do të përfundojë në Turqi, sepse në rast të kundërt ai do të binte ndesh me rregullat e tregut të brendshëm të BE-së. Për më tepër, siç shpjegon më tej Kjurchiski, Rusia ndërkohë ka mjaft linja për ta sjellë gazin në Europë, të cilin është duke e shitur me çmim gjithnjë e më të ulët, kësisoj ajo nuk ka nevojë për një linjë tjetër.

“Turkish stream është një projekt mjaft i kushtueshëm dhe jo rentabël. Vlera e tij NVP (Net Present Value) është kalkuluar me një kurs negativ në miliona dollarë e në këto rrethana vështirë se mund të realizohet njëproket i tillë”, vëren Kjurchiski.

Nisur nga fakti që kriza politike në Maqedoni nuk ka shenja që të marrë fund së shpejti, reagimi i Rusisë duket më shumë si një përpjekje e Moskës për të forcuar influencën në Ballkan, me ose pa projektin e premtuar për energjinë.

Duke folur në mbledhjen e një komisioni të senatit më 24 shkurt, sekretari i Shtetit për Marërdhëniet me Jashtë, John Kerry, theksoi se SHBA mendon, që një numër vendesh europiane, përfshirö edhe Maqedoninë, ndodhen në “linjën e zjarrit”, kur është fjala për marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Moskës.

Gruevski nën presion në rritje

Nikola Kjurchiski
Nikola Kjurchiski

Kryeministri i Maqedonisë Gruevski e gjen veten nën presion të madh prej opozitës në vend dhe pas skandalit të krizës në Kumanovë duket se ai e ka humbur mbështetjen nga BE-ja dhe SHBA-ja. Nëntë vjet në pushtet ai rëndom përshkruhet prej medias vendase dhe asaj perëndimore si dhe analistëve politikö si një njeri autoritar. Pikëpamje të tilla nuk gjejnë hapësirë në median pro-qeveritare dhe analistët e saj në Maqedoni, të cilët shprehin entuziazëm për stilin e qeverisjes sipas modelit Putin e veçanörisht qëndrimit të këtij të fundit ndaj medias dhe OJQ-ve. Ndërkohë që opinioni publik në Maqedoni e kërkon mbështetjen e gjerë dhe integrimin e qytetarëve në BE dhe NATO, disa analistë besojnë se Gruevski e mirëpret mbështetjen nga Rusia dhe është duke u përpjekur ta pozicionojë veten në mesin e lojës së madhe gjeopolitke për ta nxjerrë veten nga kriza.

“Qëkurse ka humbur mbështetjen e BE-së dhe të SHBA-së, Gruevski është duke kërkuar i dëshpëruar mbështetje nga fuqitë botërore, e kjo është arsyeja, përse ai i është drejtuar Rusisë. Ai nuk ka alternativë tjetër”, thotë Kjurchiski.

Burime të pakonfirmuara bëjnë me dije, se së fundi Moska e ka shtuar dukshëm stafin e ambasadës ruse në Shkup.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button