Te ndryshme

Presidenti i Turkmenistanit nderon veten me një statujë hipur mbi kalë

Gurbanguli Berdimuhamedov kalëron me galop në gara për të ndërtuar një kult personaliteti më të madh se ai i paraardhësit të vet, ish-diktatorit Saparmurat Nijazov. Së fundmi, mediat raportuan se në kryeqytetin e vendit, Ashgabat, u përurua një statujë e larë në ar që e paraqet atë hipur mbi kalë

Lideri i Turkmenistanit, “i çmendur” pas kuajve, është nderuar me një monument madhështor në kryeqytetin e vendit, duke shfaqur të ngjashmin e vet në majë të një kali të artë.

I derdhur në bronz dhe i larë në një shtresë ari 24-karatësh, statuja e Gurbanguli Berdimuhamedov ngrihet 20 metra nga sipërfaqja dhe është vendosur mbi një prerje shkëmbore prej mermeri të bardhë.

Berdimuhamedov, i cili qeveris vendin qysh nga viti 2006 e që vazhdimisht akuzohet se po zhvillon njërin prej kulteve të individit më të mëdhenj në botë, është gjerësisht i njohur si Arkadag, d.m.th. si “kumbari”.

Vepra në fjalë u zbulua për publikun në kryeqytetin Ashgabat të hënën e kësaj jave, për të festuar “Lavdinë e Arkadag”-ut nga studentët e mbledhur aty, ndërsa pëllumbat e bardhë dhe tullumbace u lëshuan në qiell, raportoi “Reuters”.

Zyrtarisht, monumenti u autorizua të vendosej aty pas debateve publike.

“Synimi im është t’u shërbej njerëzve dhe atdheut. Dhe kështu, unë do të dëgjoj opinionin e popullit dhe të bëj pra atë që ata kërkojnë”, tha Berdimuhamedov në 2014-n, në përgjigje të një propozimi për ta nderuar atë me një statujë.

Imazhi i tij është i gjithëpranishëm në vendin që shumicën e sipërfaqes e ka shkretëtirë, me portrete të mëdha të shfaqura në billborde dhe faqe ndërtesash në mbarë vendin. Statuja e artë, sidoqoftë, të kujton mbretërimin e paraardhësit të tij, Saparmurat Nijazov, i cili ishte i njohur si Turkmenbashi apo si babai i të gjithë turkmenëve.

Nijazov arriti që Turkmenistanin e pasur në rezerva gazi natyror ta bënte njërin ndër vendet më të izoluara të botës, duke mos lejuar media të lira, duke lejuar vetëm pak udhëtime jashtë vendit dhe nxjerrë një sërë dekretesh që i riemëronin ditët e javës dhe muajt e vitit, sipas tij e anëtarëve të familjes së tij.

Spitalet jashtë kryeqytetit u mbyllën, opera dhe cirku u ndaluan të dyja dhe të gjitha shkollat dhe universitetet kishin të detyrueshme të studionin Ruhnama-n, librin filozofik të Nijazovit. Ministrat e tij u detyruan të performonin një shëtitje të ashtuquajtur “Ecja e shëndetit” me kilometra përgjatë kryeqytetit. Nijazov vetë udhëtonte me helikopter dhe i takonte ata në fund në linjën e finishit.

Berdimuhamedov, i cili më parë në profesion ka qenë dentist e që më pas u bë ministër Shëndetësie në kohën e Nijazovit, ia nisi me hapa vërtet liberalizues kur erdhi në pushtet pas vdekjes së Nijazovit, duke kthyer mbrapsht disa nga dekretet e ish-presidentit të fundit.

Me kalimin e kohës, sidoqoftë, edhe Berdimuhamedov ndërtoi ndërkaq një kult personaliteti që tashmë rivalizon me atë të paraardhësit.

Nijazov kishte një statujë të famshme ari që paraqiste profilin e tij në qendër të kryeqytetit Ashgabat, që i tregonte gjatë gjithë ditës fytyrën e tij diellit. Kur Berdimuhamedov erdhi në pushtet, monumenti i ish-presidentit Nijazov u zhvendos prej aty dhe u vendos në rrethinat e qytetit.

Tashmë, Berdimuhamedov ka monumentin e tij të artë. Në formë, nëse jo në ekzekutim, të kujton kalorësin e artë, një monument të kohës së Katerinës së Madhe, careshës së Rusisë, ndërtuar në Shën Petersburg për nder të Pjetrit të Madh.

Presidenti i Turkmenistanit është shumë i dhënë pas kalërimit dhe ka promovuar vazhdimisht racën turkmene të kuajve elegantë, të quajtur Akhal-Teke. Ai ka shkruar edhe një libër rreth kuajve dhe vazhdimisht paraqitet në imazhe hipur mbi kalë ose duke marrë pjesë në gara me kuaj.

Në vitin 2013, gjatë festimeve që shënonin Ditën e Kuajve, një ditë zyrtare pushimi në Turkmenistan, Berdimuhamedov u rrëzua pak, pasi kishte kaluar vijën e finishit në një garë që ai e kishte fituar.

Përtej skenave konfuze që u krijuan, dhjetëra truproja vërshuan mbi të, dhe më pas i gjithë stadiumi u kontrollua imtësisht se mos dikush mbante të filmuar pjesën ku ai shihej duke u rrëzuar. Videoja e rrëzimit të tij nga kali nuk u përmend asnjëherë në televizionet e vendit.

Berdimuhamedov nuk kalëroi gjatë këtij viti në Ditën e Kuajve, që përfshinte edhe një garë bukurie për kuajt. Ai sidoqoftë u nderua me titullin e ri të nderit “Rritës popullor i kuajve”.

Në atë eveniment, Berdimuhamedov e krahasoi Turkmenistanin me veten hipur mbi një kalë.

“Vendi ynë po lëviz përpara me shpejtësinë e hamshorit Akhal-Teke dhe unë u bëj thirrje të gjithëve të marshojnë përpara dhe vetëm përpara”, tha ai. A. P.

Marrë nga The Guardian

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button