Intervista

Jeta e blertë e Foto Strakoshës

strakoshaFoto Strakosha, një legjendë e portës kuqezi dhe jo vetëm, është i bindur se të kesh sukses duhet të jesh shumë i përkushtuar e ta duash fort profesionin tënd. Kapiteni i kombëtares shqiptare nuk di të thotë nëse ka pasur vlera të veçanta për të arritur këtë sukses, por me siguri të thotë se në këtë rrugëtim nuk e ka fshehur në asnjë moment se cili është, se nga vjen!“Një nga vlerat që duhet të na bashkangjiten në jetë është të jemi mirënjohës për çfardo që na ka dhuruar jeta, kudo ku kemi qënë”, thotë Strakosha në këtë intervistë ku rrëfen karrierën e tij si portier i kombëtares dhe ekipeve në Shqipëri e jashtë saj, ndeshjet e tij të zemrës, por jo vetëm! Gjatë gjithë viteve që luante në kampionatin helen ka qënë edhe pjesë e ekipit tonë kombëtar. Shpesh herë fati i shortit e bëri të përballej me ekipin kombëtar grek. Nuk do të justifikohet dhe as t’i zmadhojë gjërat, por sinqerisht thotë se nuk do të uronte askënd të gjendej në situatat e pozicionet sikurse është ndodhur ai në këto ndeshje. Megjithatë, Strakosha vërtet beson se sporti nuk ka pasaportë. Ndihet i lumtur që dy djemtë e tij, Dhimitri dhe Tomasi, kanë pasion dhe merren seriozisht me futbollin. Aktualisht, trajner i kombëtares shqiptare për të rinj, U 19, Foto mendon se ky pozicion është një mision i vështirë, por edhe i rëndësishëm. “Të punosh me të rinjtë nuk do të thotë vetëm t’u përcjellësh diturinë e aftësitë profesionale të futbollit, por edhe duhet të dish të jesh njëkohësisht prind, shok dhe trajner”, shprehet ai. Për Foto Strakoshën Vlora vazhdon të jetë vendi më i bukur dhe me plot bindje thotë se këtë fakt e ka përcjellë sa herë ka qënë jashtë Shqipërisë. Është krenar që është me origjinë nga një prej vendeve më të bukura të Shqipërisë.

Gati një dekadë më më parë u larguat nga porta, por jo nga fusha e blertë… Çfarë u mban lidhur pazgjidhshmërisht me futobollin, pasioni, fama apo paraja?

Lidhjen me futbollin e kuptova më së miri ditën kur duhej të hiqja dorë nga loja. E kisha menduar gjatë, prej kohësh atë ditë. E kisha dëgjuar shumë herë pyetjen: “Kur do ta lërë futbollin Strakosha?” Pra, kjo pyetje kishte munduar shumë njerëz dhe po aq më kishte vënë në dilemë edhe mua. Kisha menduar shpesh nëse kishte ardhur koha t’ia lija vendin më të rinjve! Padyshim, ndodhi në vitin 2005… Pak ditë përpara se të mbushja 40 vjeç dorëzova shiritin e kapitenit të skuadrës. Luajta deri në fund të sezonit edhe në kampionatin grek, siç ishin detyrimet në kontratë dhe pastaj u tërhoqa. Nuk mund ta përshkruaj me një fjali, as me dy, as me 100 rreshta ndjesinë që të kap kur duhet largohesh nga një punë, një profesion, një pasion që të ka diktuar gjithë rrjedhën e jetës. Por, ajo që mund të them më një fjali është se ia ka vlejtur dhe ia ka vlejtur shumë! Futbolli ka qënë dhe do të jetë jeta ime, megjithë ankthin dhe presionin që kam ndjerë në çdo kohë. Nga ana tjetër, një presion i tillë të bën edhe më të përgjegjshëm. Ju e thatë mirë, është një lidhje e pazgjidhshme. Unë vërtët s’jam në lojë, por jam ende në fushën e blertë. Aktualisht, drejtoj Kombëtaren e Shqipërisë për të rinj, U -19. Kishte ardhur momenti që gjithë njohuritë dhe përvojën time në futboll ta përçoja tek më të rinjtë, prandaj edhe pranova të jem trajneri i këtij ekipi. Më pëlqen ideja se po vë një gur themeli në futbollin shqiptar, por nga ana tjetër ndihem i lumtur që po frekuentoj edhe njëherë ambientet e këtij sporti. Mund t’ju them se kam kaluar momente të vështira kur jam gjendur në një stadium në mes të publikut, përballë fushës! E vetmja gjë që kam menduar ka qenë “ah sikur të luaja”…

E keni nisur karrierën sportive si pjesë e një ekipi modest, por shumë shpejt spikatët si një talent dhe kësisoj nuk munguan ofertat nga ekipet vendase në atë periudhë. Si lindi tek ju pasioni për futbollin?

Në fillim futbolli për mua ishte thjesht dëshirë që e kanë shumica e fëmijëve. Por, me kalimin e kohës kjo dëshirë dominoi. Fillova të merresha seriozisht me futbollin, aktivitetet sportive të shkollës dhe Shtëpisë së Pionierit në Memaliaj. Sa më shumë ndiqja ndeshje futbolli në televizor aq më shumë kjo dëshirë më kthehej në pasion. Në moshën 15 vjeçare u angazhova me ekipin e të rinjve në Memaliaj dhe dy vjet më pas me ekipin e parë të Minatorit, Tepelenë. Në këtë ekip hodha hapat e parë drejt karrierës dhe kuptova se kisha të dhëna të mira për të vazhduar përpara në këtë fushë. Kujtoj se kisha përkushtim të madh në ato vite. Kohë më pas kuptova se, në fakt mënyra, se si ishim stërvitur në gjithë ato vite ishte jo profesionale. Gjithsesi, gjithçka kam mësuar në ato vite kanë vlerën e tyre dhe më kanë ndihmuar në karrierën time. Në ekipin e Minatorit ndjeva për herë të parë sesa e rëndësishme ishte të qenit futbollist, sesa shumë të adhuronin qytetarët kur ktheheshim nga ndeshjet me rezultate shumë të mira. Me kalimin e viteve, tërhoqa vëmendjen e disa ekipeve. Më kërkoi në atë periudhë Luftëtari i Gjirokastrës, Apollonia e Fierit dhe Flamurtari i Vlorës. Kujtoj se kur isha ende në ekipin e Minatorit, trajneri vlonjat, Skënder Ibrahimi, përveçse nxirrte në pah talentin tim, më mbështeti psikologjikisht duke më bindur se kisha aftësi për të vazhduar edhe më lart. Pavarësisht kërkesave të shumta, nuk ishte e thjeshtë të kaloja në këto ekipe, për shkak të “njollës” në biografi. Gjithsesi, kur isha 23 vjeç u angazhova me ekipin e Dinamos, një nga tre ekipet më të mira në Shqipëri. Bashkë me kënaqësinë ndjeja dhe përgjegjësinë e madhe. Deri në atë kohë kisha luajtur në stadiume me pak tifozë dhe kur vesha bluzën e Dinamos e u gjenda në stadiumet që oshëtinin nga tifozëria ndjeva peshën e e rëndë, ndjeva se duhej të punoja më fort për t’u përfaqësuar më denjësisht. Në këto vite mësova se ajo çfarë ka më shumë vlerë është se nëse përkushtohesh në profesionin që ke zgjedhur, një ditë i merr frytet e gjithë mundit. Sapo u përfshiva në ekipin Dinamo pata fatin të përjetoj fitoren e Kampionatit të Shqipërisë si dhe Kupën e Republikës.

Karriera juaj vijoi pas viteve ’90 në Greqi. Si e ka përjetuar Strakosha këtë aventurë?

Emigrova me ëndrrën për ta ushtruar këtë profesion diku jashtë kufijve të Shqipërisë. Ndalesa e parë ishte ekipi i Janinës, njëherazi edhe kontakti i parë me një nivel tjetër futbollistik. U largova nga ky ekip pas 6 muaj angazhim për shkak të mungesës së dokumenteve. Megjithatë pata fatin që ndeshjen e parë si pjesë e ekipit të Janinës, ta kisha me ekipin kampion në Greqi, në atë kohë. Kujtoj se në atë ndeshje ndjeva dashurinë e Janinës dhe të ambienteve sportive në Greqi, ndërsa pata fatin të prisja penalltinë e gjuajtur nga Saravakos, golëshënuesi më i mirë në atë kohë. Pas largimit nga Janina, për dy vite u angazhova me ekipin e Ethnikos Pirea në Athinë, ku mu dha mundësia të tregoja vlerat e mia. Pa përfunduar kontratën me këtë ekip, mora ofertën nga Olimpiakos, një prej ekipeve më të mira të Pireut, por edhe Greqisë. Mund të them se me Olimpiakos, me të cilin lidha kontratë 5 vjeçare, shënova hapin e madh. Por, që të jem i sinqertë ndeshjet më të mira në karrierën time nuk i kam zhvilluar me atë ekip dhe në atë periudhë. Nuk u ndjeva dhe aq mirë si pjesë e ekipit dhe në fund të vitit të katërt të kontratës u kërkova drejtuesve të klubit që të largohem, kërkesë që u pranua me vështirësi. Karriera ime vijoi për dy vite me ekipin Panionio në Athinë dhe me bindje mund të them se ishte një nga ekipet ku gjeta veten. Vitin e parë, arritëm të marrim kupën e Greqisë, ndërsa vitin e dytë u renditëm në vendin e 8-të të Kupës së Kupave të Europës, prej nga u eleminuam nga ekipi i famshëm në ato vite, Lacio e Romës, dhe ku sot luan im bir. Për tre vite kam qënë pjesë e ekipit Ionikos, një ekip dinjitoz në kampionat, më pas jam angazhuar në ekipin Kalithea, Ethnikos dhe Prodheftiki. Në vitin 2004, ishte Panionos, ekipi që kisha më shumë për zemër në Greqi, i cili ra dakort që ta mbyllja aty karrierën time në futboll. Dhe kështu ndodhi!

Gjatë viteve që keni luajtur në Greqi keni qënë edhe portier i kombëtares së Shqipërisë. Si do ta përshkruanit këtë eksperiencë?

Është e vërtetë se gjatë gjithë viteve që luaja në kampionatin helen isha edhe pjesë e ekipit tonë kombëtar. Shpesh herë fati i shortit na bëri që të përballemi me ekipin kombëtar grek. Nuk do të doja të justifikohesha dhe as t’i zmadhoja gjërat, por sinqerisht them se s’do t’ia uroja askujt që të gjendej në situatat e pozicionet siç jam ndodhur unë në këto ndeshje. Unë vërtet e besoj se sporti nuk ka pasaportë.

Cili është sekreti i suksesit tuaj?

Jam i bindur se të kesh sukses duhet të jesh shumë i përkushtuar e ta duash fort profesionin tënd. Unë nuk mund të them se kam pasur vlera të veçanta, por dua të them se në asnjë moment nuk kam fshehur se kush jam. Një nga vlerat që duhet të na bashkangjiten në jetë është të jemi mirënjohës për çfardo që na ka dhuruar jeta, kudo ku kemi qenë.

Aktualisht jetoni në Shqipëri dhe drejtoni kombëtaren U 19. Si e konsideroni këtë mision me ekipin e të rinjve?

Them se është mëse e vërtetë që është një mision shumë i vështirë, por dhe shumë i rëndësishëm.Të punosh me të rinjtë nuk do të thotë vetëm t’u përcjellësh diturinë e aftësitë profesionale të futbollit, por them se me ta duhet të dish të jesh njëkohësisht prind, shok dhe trajner.

Të njëjtin talent duket se kanë edhe dy djemtë tuaj, Dhimitri dhe Tomas që mban sot fanellën sportive të Lazio Primavera. Si ndihet babai, një ikonë e futbollit shqiptar dhe më gjerë, përpara të birit që ka nisur suksesshëm karrierën?

Unë kam dy djem Dhimitrin, që është më i madhi dhe Tomasin. Të dy kanë pasion futbollin dhe merren seriozisht me këtë sport. Ndjehem krenar kur dëgjoj fjalë të mira. Për Tomasin jam i bindur se nëse për shumëkënd emri i babait mund të jetë ndihmesë, për të jo. Duke qenë djali i Foto Strakoshës ai ndjen e mbart mbi vetë përgjegjësi të dyfishtë. Përveç dëshirës, kam bindjen se Tomas do ta thyejë mitin e të atit. Vetëm kështu them se ai do mund të lërë shenjën në futboll si Tomas Strakosha dhe jo si djali i Foto Strakoshës. Unë e pres me padurim ditën kur mua të më njohin si babai i Tomas Strakoshës. Në të njëjtën kohë, Tomas është edhe pjesë e ekipit kombëtar U 19. Për asnjë moment, mes nesh nuk ka qënë marrëdhënia prind- fëmijë dhe anasjelltas.

Ç’mendoni për futbollin sot në Shqipëri?

Fakteqësisht, mendimi im për futbollin s’është shumë pozitiv. Por, gjithsesi, them se duhet të jemi optimistë për të ardhmen.

Cili është raporti juaj me Shqipërinë, Vlorën?

Janë disa fakte, jo vetëm në karrierë, por edhe në jetën time, që flasin për lidhjen e fortë që kam me Shqipërinë dhe sidomos me Memaliajn, qytetin ku hodha hapat e parë dhe me Vlorën, Dhërmiun, nga kam prejardhjen. I kam dashur dhe vazhdoj t’i dua shumë këto qytete. Por, edhe ato më kanë dashur mua. Në Memaliaj jam nderuar me titullin Qytetar Nderi, ndërsa në Vlorë me titullin Nderi i Qarkut, dhe gjej rastin t’i falenderoj edhe një herë për këtë vlerësim. E kam ndjerë gjithnjë kënaqësinë dhe përgjegjësinë e përfaqësimit të Shqipërisë në botë. Kam përjetuar emocione të mëdha kur vishja fanellën kuqezi dhe kur këndoja himnin kombëtar. Kam qënë krenar kur kam ndjerë reagimin e njerëzve, të të gjitha moshave, pas ndeshjeve e fitoreve të mëdha. Jam mbushur me gëzim sa herë kam ndjerë se loja ime i bënte ata të lumtur. Nga viti ’91, kur djali im i parë erdhi në jetë dhe deri më sot, pushimet verore i kemi kaluar në Shqipëri, kryesisht në Vlorë dhe Dhërmi, përveç vitit ‘97. Jo vetëm për pushime, por sa herë që na jepej mundësia, qoftë kur grumbullohesha me ekipin kombëtar, familja ime vinte në Shqipëri, sikurse edhe tani që unë jam trajner i U 19.

Zona bregdetare e Vlorës është vendi i origjinës së familjes suaj. Çfarë do të donit të ndryshonte në këtë zonë?

Për mua vazhdon të jetë vendi më i bukur dhe me plot bindje kam folur për këtë mrekulli sa herë kam qenë jashtë Shqipërisë. Jam krenar që jam me origjinë nga një prej vendeve më të bukura të Shqipërisë. Kur je i dashuruar me një vend, je i verbuar e nuk i sheh defektet. Të duket perfekte çdo gjë.

Si e konsideroni iniciativën e Albanian Excellence për prezantimin e historive të suksesit të emigrantëve vlonjatë? Mendoni se do të kontribuojë në shfrytëzimin e potencialeve intelektuale që jetojnë jashtë vendit?

Rikthimi i trurit në Shqipëri është gjithmonë një mision që nuk duhet të rresht. Iniciativa e Albanian Excellence duhet respektuar sepse sjell edhe një herë në vëmendje ngjarjet që vlejnë jo vetëm për ne, si individë, por edhe për këtë vend, ku hodhëm hapat e parë e ku shënuam fillimin e mbarë për të ecur suksesshëm edhe në botë. Askush s’duhet të harrojë kurrë se nga vjen. E shkuara është gjithmonë shumë e rëndësishme dhe vlen të mbetet në libra.

 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button