Home / Intervista / Simbioza e Ervis Gegës është violina

Simbioza e Ervis Gegës është violina

gegaErvis Gega është ngjitur në skenë për herë të pare kur ishte katër vjeç, në Festivalin e Këngës për Fëmijë në Fier më 1978, ku morri Çmimin e Parë. Nga ajo kohë , do të ishte e pandarë me skënën , vendin magjik ku ajo shprehte origjinalitetin dhe virtuozitetin e saj si artiste me violinën e saj te cilën sot e quan pjesë të identitetit të saj si njeri. Pas vuajtjes së një persekuptimi social gjatë regjimit komunist, sot kaq i pakuptimtë, Ervis Gega, pas largimit në Gjermani,në vitin 1990 , arriti majat e suksesit të saj si artiste. Kishte kaluar vetëm një javë që kishin mbërritur në Gjermani kur ju dha mundësia të lunate në një koncert, që për të do të ishte një çudi shumë e madhe. Pranimi në konservatorin e muzikës ndodhi pas takimit me njërin nga profesorët më të shquar të muzikës në botë, Yfrah Neaman. Ajo interpretoi para tij, dhe po aty u vendos pak a shumë edhe rruga e saj si muzikante në Perëndim. Ishte 16 vjeç kur nisi studimin në Masterklasën e profesorit Yfrah Neaman në Konservatorin Peter Cornelius në Mainz të Gjermanisë. Më pas në vitin 1999, vazhdoi studimet në Londër, në Guildhall School of Music and Drama – një nga shkollat e larta të muzikës më të famshme të botës – në klasën e zgjedhur të prof. Neaman-it për solistë. Në vitin 1996, mori diplomën prestigjoze Concert Recital Diploma, me vlerësimin maksimal “Premier Prix”, të Guildhall School of Music and Drama.

Ne gati dhjetë vjetët e qëndrimit në Londër, veç studimit, merrte pjesë edhe në jetën koncertale. Në vitin 1996 u bë pjesëtare e Orkestrës Sinfonike të Londrës (London Symphony Orchestra), pjesë e formacionit të rregullt të së cilës ishte deri në vitin 1998. Nga viti 2002, është pedagoge në Universitetin “Johannes Gutenberg” si dhe në Konservatorin Peter Cornelius në Mainz. Veç kësaj ka masterklasat e saja në Akademinë e Muzikës së Landit Rheinland-Pfalz dhe është docente e Orkerës së Të Rinjve të Rheinland.

Ervis Gega dhe violina duket se janë një simbiozë origjinale…

gega1Si fillim mund të them që kjo simbiozë është dhurata që kam nga dy prindërit e mi violinistë, që konstatuan në një moshë shumë të hershme tek fëmija i tyre , talentin dhe sidomos prirjen e dashurinë për muzikën. Tani violina është pjesë e pandarë e imja. Eshtë pjesë e identitetit tim si njeri.

E kujtoni ngjitjen tuaj të parë në skenë …?

Unë jam ngjitur për herë të parë në skenë në moshën katër vjeç. Kjo ka ndodhur në festivalin e këngës për fëmijë në Fier më 1978, ku kam marrë edhe Çmimin e Parë. Kështu që skena për mua nuk ishte diçka fare e re apo e paparashikueshme. Para publikut unë jam ndierë shumë mirë dhe kur pak më vonë fillova të interpretoja me violinë, më dukej si diçka e vetëkuptueshme. Veç kësaj, destinacioni im profesional u përcaktua shumë shpejt, unë e dija që profesioni im do të ishte muzika. Kur kam luajtur Mendelssohnin në atë kohë, në moshën tetë vjeç në të vërtetë nuk isha krejt e ndërgjegjshme për vështirësitë teknike e muzikore, ngaqë ndihesha shumë komfort me pjesën që interpretoja. Në atë moshë, fëmija nuk është i ndërgjegjshëm, as që një talent i jashtëzakonshëm të mundëson dhe lehtëson shumëçka. Kështu që thjesht përjetoja emocionalisht momentin dhe kaq. Më kujtohet ama shumë mirë lumturia dhe krenaria e prindërve të mi në atë kohë, që më incizonin kur luaja. Nuk isha koshiente përse bëhej gjithë ky sensacion publik. Pak kohë më vonë fillova të kuptoja gjithçka! Që gjyshi im i mrekullueshëm nuk ishte në Paris me punë, por ishte thjesht në burg, si i dënuar politik…!!!

Aty kuptova që prindërit e mi po mundoheshin që me talentin tim të realizonin një “çudi“, ndër të tjera për të siguruar një të ardhme jo në fermat dhe kooperativat e qyteteve të Shqipërisë (si të përndjekurit e tjerë politikë), por një jetë siç i takon një violinisti.

Bëhej një punë shumë e madhe për të mundësuar një rrugë dhe një jetë normale për të tjerët, të cilët diktatura nuk i përndiqte. Që në moshën gjashtëvjeçare unë e ndieva vetë në kurrizin tim luftën e klasave. Më kujtohet si tani konkursi, kur do të futesha në shkollën e muzikës së Fierit. Bëhej fjalë thjesht për një shkollë muzike të një rrethi: por në atë kohë mua, një fëmije, nuk m’u dha e drejta për të hyrë në të! Ky ishte fakti i parë. E dyta ka të bëjë me faktin e premisave dhe aftësive të mia në violinë. Unë luaja në moshën tetë vjeçare programe që të rinjtë i luanin në konservator. Megjithatë e drejta për t’u afirmuar në publik më mohohej apriori. Studioja me prindërit e mi brenda katër mureve të shtëpisë – por perspektiva në Shqipëri ishte zero për mua. Studioja me orë të tëra. Prindërit e mi punonin me orë të tëra me mua – por e ardhmja ishte me një pikëpyetje të madhe. Në moshën tetë vjeçare m’u hoq e drejta te luaja Mendelsonin në publik. E kështu persekutimi vazhdonte në forma të tjera. Dhe shumë të rëndomta. Si përshembull më kujtohet kur fëmijët e korit këndonin ditën e parë të hapjes së shkollës, vinte drejtori i shkollës atëherë dhe thoshte: “Ajo Gega të largohet nga kori!” Ishte shumë e rëndë për një fëmijë që ta shkëpusje nga fëmijët e tjerë. Kam shumë ndodhi të dhimbshme të kësaj natyre. Pastaj persekutimi vazhdoi edhe në shkollë të mesme: Komiteti i Partisë më hoqi të drejtën të vazhdoja studimet në shkollën e mesme të muzikës. Kështu shkolla e lartë dukej një gjë e pamundur. Kjo ishte jeta dhe perspektiva ime në atë kohë.

U larguat bashkë me familjen tuaj në Gjermani në vitin 1990, vit që shënon nje faqe të re për ju .Cilat ishin përpjekjet tuaja për të studjuar dhe si arritët në Konservatorin Peter Cornelius në Mainz ?

gega2Ikjen nga Shqipëria unë dhe familja ime e kemi ëndërruar aq sa nuk mund të shprehet me fjalë, prandaj kam qenë shumë e bindur që një ditë vërtet do të ndodhte. Vitet e fundit në Shqipëri, shpresa dhe bindja u rritën më shumë, pasi ishim një familje e edukuar shumë mirë politikisht dhe e prisnim atë që ndodhi në korrik të vitit 1990. Veçanërisht gjyshi im, Qemal Gega dhe dy prindërit e mi, Virgjil dhe Valentina Gega ishin të informuar politikisht, me ngjarjet politike që po ndodhnin në Evropë dhe për gjithë rënien e komunizmit, që kishte ndodhur në shumë vende të Evropës. Kështu që ata kishin një kuptim e vizion të qartë, edhe se çfarë do të ndodhte në Shqipëri. Ata ishin të bindur se komunizmi në Shqipëri do të rrënohej, do të rrënohej plotësisht dhe se nuk kishte kthim prapa. Unë vij nga një familje e lidhur ngushtë me Luftën Nacional-Çlirimtare. Dua të theksoj se kjo familje ka kontribuar shumë gjatë luftës, si rrallë familje në Shqipëri. Por pas mbarimit të luftës familja u persekutua dhe u masakrua nga sistemi komunist. Lufta e klasave preku jo vetëm familjen time të gjerë dhe prindërit e mi, por vazhdoi deri tek unë, siç e përmenda shkurt më lart. Rruga dhe e ardhmja e familjes sime ishin aq të mbyllura, sa që nuk kishte asnjë rrugëzgjidhje tjetër. Kishte disa breza që na përndiqnin e luftonin: nga Liri Gega dhe vëllai i saj, gjyshi im, Qemal Gega, gjithë familja e tyre, prindërit e mi deri tek unë.

Prindërit nuk mund të pajtoheshim me këtë gjendje. Kërkesat e tyre intelektuale ishin aq të larta sa që natyrisht pikërëndesë e tyre ishte arsimimi ynë në shkollat më të mira të Evropës. Duke pasur parasysh aftësitë e mia, mundësitë e mia si instrumentiste, prindërit kishin kërkesa maksimale. Shansi i parë që iu dha ata natyrisht do ta shfrytëzonin. Ishim të përgatitur të merrnim parasysh të gjitha rreziqet e mundshme, përballë mungesës së perspektivës në Shqipëri, në kohën e komunizmit. Të gjitha dyert ishin mbyllura. Kështu , që nëse e keni parasysh atë shprehjen, „toka rrotullohet…“, ashtu u rrotullua edhe për mua historia familjare dhe profesionale, që në atë momentin kur hipëm në një anije madhështore italiane në qytetin e Durrësit – për të udhëtuar drejt Perëndimit. Si dritat që ndrisnin nga anija atë, ashtu ndriti edhe fati im dhe i gjithë familjes sime. Si një ëndërr e bukur ishte ardhja ime në Gjermani. Si një lëndinë e bukur shumëngjyrëshe ishin ditët dhe muajt e parë menjëherë pas ardhjes këtu. Vetë fakti që brënda një jave pas ardhjes, gjermanët më ofruan mundësinë të luaja koncert, ishte për mua një çudi shumë e madhe. Një gjë që në Shqipëri ishte e pamundur. Gjermanët na pritën çuditërisht me një admirim dhe dashuri të jashtëzakonshme. Koncerti u prit shumë mirë. Nga çudia të gjitha media në atë kohë tregoi interes dhe shkroi për këtë. Familjen time e ftuan për një bisedë të posaçme edhe në ZDF Mittagsmagazin, ku transmetuan edhe pamje nga jeta dhe përgatitja ime në Gjermani. Hyrja në konservatorin e muzikës ndodhi pas takimit me njërin nga profesorët më të shquar të muzikës në botë, Yfrah Neaman. Pasi unë luajta para tij, aty u vendos pak a shumë edhe rruga ime si muzikante në Perëndim.

Le të qëndrojmë në biografinë e arsimimit dhe diplomimit tuaj…

Në moshën 16 vjeçare unë nisa studimin në Masterklasën e profesorit Yfrah Neaman. Në klasën e tij unë studiova fillimisht, prej vitit 1990 deri në vitin 1993, në Konservatorin Peter Cornelius në Mainz të Gjermanisë. Pas kësaj, deri në vitin 1999, i vazhdova studimet në Londër, në Guildhall School of Music and Drama – një nga shkollat e larta të muzikës më të famshme të botës – në klasën e zgjedhur të prof. Neaman-it për solistë. Në vitin 1996 në vitin mora diplomën prestigjoze Concert Recital Diploma, me vlerësimin maksimal “Premier Prix”, të Guildhall School of Music and Drama. Në gati dhjetë vjetët e qëndrimit në Londër, veç studimit, merrja pjesë edhe në jetën koncertale. Në vitin 1996 u bëra pjesëtare e Orkestrës Sinfonike të Londrës (London Symphony Orchestra), pjesë e formacionit të rregullt të së cilës qëndrova deri në vitin 1998.

Njëherit ju jeni pjesë e botës akademike në Gjermani.Një vit më parë Universiteti Johannes Gutenberg ju dha titullin Profesor…

Unë jam nga viti 2002, pedagoge në Universitetin “Johannes Gutenberg” si dhe në Konservatorin Peter Cornelius në Mainz. Veç kësaj kam masterklasat e mia në Akademinë e Muzikës së Landit Rheinland-Pfalz dhe jam docente e Orkerës së Të Rinjve të Rheinland – Pfalzit. Në vitin 2006 jam pranuar si violinistja më e re në moshë në historinë e Akademisë së Muzikës së Dhomës “Villa Musica”, si pedagoge atje. Dhënia e titullit „Profesor“ është për mua natyrisht një nderim, por edhe një përgjegjësi shumë e lartë. Për mua ky titull është padyshim një kënaqësi e veçantë, sepse m’u dha si shpërblim i punës sime 10 vjeçare me studentët dhe pikërisht nga institucioni ku punoj.

Të gjitha sa thoni flasin për sukses dhe vetëm sukses . Çelësi i suksesit tuaj ?

Çelësi i suksesit për mendimin tim ka të bëjë më këta elementë: aftësi natyrore, fat si dhe të ndodhesh në momentin e duhur në vendin e duhur.

Por ju keni krijuar tashmë dhe një emër muzikor në koncertet tuaja si soliste. Keni interpretuar me orkestra jo vetëm në skenat gjermane .Cila është gjeografia e këtyre koncerteve…?

Të gjithë njerëzit e skenës e dinë që pas gjithë suksesit është një punë e përkushtim i madh. Skenën e dua. Muzika është një profesion universal, që të bën të ndihesh në shtëpinë tënde, në çdo vend të botës. Kam marrë pjesë në shumë festivale ndërkombëtare për violinë në disa kontinente. Po përmend këtu në Bromsgrove Music Festival në Angli, Semanas Musicales de Frutillar në Kili, Schlesëig-Holstein Musikfestival dhe Mosel Festspiele në Gjermani. Kur jam me violinë në dorë, unë ndihem qytetare e botës.

Pjesëmarrëse ne disa festivale ndërkombetare Ç’farë përcillni shqiptarisht në virtuozitetin e shkallës së lartë të prezantimit tuaj ?

Mbase temperamentin dhe ngrohtësinë në lojë… Të paktën kështu mendon shtypi gjerman, kur shkruan se në “hijeshinë dhe elegancën” në lojën time në violinë kombinohet “sensualiteti mesdhetar me virtuozitetin e natyrshëm, të shkallës më të lartë”.

gega6Studiues të muzikës klasike në Gjermani ju quajnë gjeni të teknikës së violinës ndërsa jeni fituese e disa çmimeve…

E vërtetë, kam fituar çmime në shumë konkurse ndërkombëtare. Kështu jam fituese e Çmimit të Parë të Konkursit Ndërkombëtar për Violinë Yfrah Neaman. Jam nderuar edhe me shumë çmime të tjera, si me Emily English Aëard, me Ian Fleming Aëard, me Pecskai Price dhe me çmimin e konkursit për solistë 7. Haverhill Symphony. Për veprimtarinë time koncertale në vitin 2001 u zgjodha Artiste e Vitit e Republikës gjermane të Rheinland–Pfalz-it.

Cila është lidhja juaj me qytetin e lindjes, Fierin , por dhe me Shqipërinë ? Dua të kujtoj që ju jeni Qytetare e Nderit e Fierit si dhe Ambasadore e Kombit , titull i dhënë nga Presidenti i Republikës , Bamir Topi në vitin 2008 …

Fieri është qyteti më i dashur për mua, si qyteti ku unë kam kaluar fëmijërinë. Kujtimet e fëmijërisë janë kujtime të papërsëritshme për njeriun, pavarësisht nga jeta që ai mund të bëjë më vonë apo vendi ku jeton më vonë. Jam shumë e nderuar, për titullin „Qytetare nderi“, me të cilin Fieri vlerësoi aktivitetin dhe kontributin tim dhe të familjes sime. Si ambasadore e kombit tim unë jam ndierë gjithmonë. Kudo e tregoj me krenari që jam nga Shqipëria. Kështu që titulli „Ambasadore e Kombit“ përmbledh me dy fjalë publicitetin pozitiv që unë e bëj me shumë dëshirë për Shqipërinë: nga njëra në me veprimtarinë time si soliste në botë dhe nga ana tjetër me mësimdhënien shumëvjeçare me studentët shqiptarë, që i kam rregullisht në Gjermani.

Keni menduar për një angazhim koncertor edhe në Shqipëri ?

Kam luajtur disa herë me kënaqësi në skenat e Shqipërisë. Kështu që edhe publiku shqiptar më njeh prej vitesh.

Si e konsideroni iniciativën e Albanian Excellence në prezantimin e historive të suksesit, mendoni se ajo do të kontribuojë në shfrytëzimin e potencialeve intelektuale të këtij qyteti ,por që jetojnë jashtë Shqipërisë?

gega7Iniciativa e Albanian Excellence për të prezantuar histori suksesi të shqiptarëve në botë është një ndihmesë për evidentimin e arritjeve dhe sukseseve nga shqiptarët në botë. Iniciativa të ngjashme janë ndërmarrë edhe herë të tjera. Ajo që vlerësoj në këtë rast tek Albanian Excellence është se kjo inisiativë vlerëson jo vetëm arritjet e njerëzve të artit, por të të gjitha fushave. Vlerësoj në aktivitete të kësaj natyre përpjekjen për të evidentuar arritjet që shqiptarë të veçantë kanë arritur faktikisht dhe realisht në vendet ku jetojnë, duke u shkëputur nga hiperbolizimi i dendur dhe mburrjet e panevojshme, të cilat vetëm i falsifikojnë vlerat dhe nuk e pasurojnë Shqipërinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.