Home / Rajoni / Athina dhe Shkupi, akuza të ashpra për gjuhën

Athina dhe Shkupi, akuza të ashpra për gjuhën

athina_shkupiAthina dhe Shkupi shkëmbyen replika të ashpra pas deklaratës së kryeministrit grek Andonis Samaras, i cili tha se nuk e njeh gjuhën maqedonase. Qeveria greke reagoi sot ndaj deklaratës së nënkryetarit të Parlamentit të Maqedonisë dhe ish ministrit të Punëve të Jashtme Antonio Milloshoski, i cili tha se Samarasi i ngjan politikanit të shekullit të 19-të, pa kapacitete demokratike për të njohur të drejtat e minoriteteve dhe karakteristikat gjuhësore të fqinjëve të vetë, dhe se ai, jo vetëm që nuk mund ta zgjidh kontestin greko-maqedonas, por si krijues i tij do të bëjë gjithçka që të mos arrihet zgjidhje. Zëdhënësja Sofia Vultepsi, thotë se komentet në Shkup për deklaratë e Samarasit janë ekstreme, të papërshtatshme për historinë, të papranueshme dhe populiste.

“Gjuha me origjinë dhe strukturë sllave kurrë nuk mund të quhet maqedonase. Deklaratat e Milloshoskit janë të shoqëruara me një sfidë plotësuese, pasi ai arriti deri aty sa i bëri thirrje kryeministrit Samaras që të vizitojë Follorinën, Lerinin dhe Kosturin, që të bindet se në Greqi është ruajtur dhe flitet “gjuha maqedonase” nga “minoriteti maqedonas”. Pra, sipas Milloshoskit përveç “gjuhës maqedonase” ka edhe “minoritet maqedonas”. Kjo e bën pozitën e vendit të tij edhe më të vështirë”-komentoi zëdhënësja e Qeverisë greke.

Në reagimin me shkrim të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë thuhej se deklaratat e Samarasit janë reflektim i kapacitetit personal demokratik dhe se nuk është mirë që një politikan nga një vend anëtar i BE-së, të shembë shtyllat e sundimit të së drejtës dhe të parimeve demokratike.

“Nuk është mirë që të injorohen vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në lidhje me shkeljen e të drejtës ndërkombëtare. Nuk është mirë që të nxitet mungesa e tolerancës ndaj dallimeve përmes deklaratave manipuluese për mos njohjen e karakteristikave të shtetit, etnive, gjuhëve dhe identiteteve. Gjuha maqedonase është realitet i njohur zyrtarisht edhe në Athinë në periudhën para dhe në mes të luftërave botërore. Së fundi, nuk i ka hije një politikani i cili këmbëngul për solidaritet në kontekst financiar, të harrojë të njëjtin solidaritetit në kontekstin demokratik, ku bënë pjesë edhe respektimi i veçantive dhe të drejtave themelore të njeriut”, thonë nga Ministria e Jashtme e Maqedonisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.