Opinion

T’i japim Enverit , atë që i takon Cezarit

Nga ANDREA STEFANI

andrea_stefaniPërse Enver Hoxhës duhet t’i japim atë që i takon Cezarit? Mos bëjmë një padrejtësi? Aspak! Sepse Enveri ishte një Cezar. Për qartësim, cezarizmi është pushteti absolut i një personi. Dhe askush në Shqipëri dhe në botë, fanatik apo armik i Enver Hoxhës, nuk mund të mohojë që për 40 vjet ai pati një pushtet personal absolut. Rreth 40 vjet sundim diktatorial është më shumë se mjaft për të faktuar që Enveri ishte një Cezar. Por kohët e fundit po shfaqen ca si përpjekje për një lloj rehabilitimi, qoftë edhe të pjesshëm, të ish-diktatorit komunist duke marrë shkas nga jubileu i 70 vjetorit të Çlirimit të vendit prej pushtuesve nazifashistë. Duan të thonë se diktatori paska pasur edhe një pjesë të admirueshme, të mirë në odisenë e tij politike. Kanë parasysh luftën nacional-çlirimtare që ia dedikojnë atij. Dhe pastaj shtojnë se ajo e urryera, pjesa e keqe, vjen më pas, kur u bë diktator. Dhe gjithë kjo, që nuk mund të mos shfaqet si orvatje rehabilituese për diktatorin komunist, justifikohet me gjoja një qëndrim objektiv sipas motos biblike: Ti japim Cezarit atë që i takon Cezarit! Por për dreq bëjnë krejt të kundërtën. Nuk i japin Cezarit atë që i takon Cezarit por atë që atij i takon më pak se gjithkujt. I falin lavdinë e çlirimtarit të Atdheut! Atij që përpjekjen e Atdheut për liri e keqpërdori për të skllavëruar Atdheun. Tipike te Cezari është pushteti absolut që zgjatet jetësisht me gjak, burgosje, vrasje, persekutime dhe internime.

***

Enver Hoxha, versioni shqiptar-komunist i Cezarit, na paska bërë disa të mira! Disa i janë kthyer kohët e fundit me zë më të fortë këngës së vjetër “Shqipërinë në dritë e qite”. Por vetë ata, me fjalët dhe mallin e tyre për diktaturën dhe diktatorin, janë prova e atij gjymtimi të rëndë që ka lënë diktatori dhe diktatura 45 vjeçare, në aftësinë e jo pak prej atyre që i sundoi dhe i formësoi si poçari baltën, për të shqyrtuar në mënyrë kritike realitetin e pardjeshëm, të djeshëm dhe atë të sotëm. Një gjymtim që bart rreziqe edhe për të nesërmen.

***

Një nga gabimet që rëndom bëhen kur flitet për Enver Hoxhën është identifikimi i luftës nacional-çlirimtare me emrin e tij në një lidhje absurde, me të gjitha tiparet e kultit antihuman të individit. Po hodhe poshtë Enverin ke hedhur poshtë luftën! – thonë. Ndërkaq vetë Enveri ka zhdukur e ka hedhur poshtë shumë komandantë partizanë brigadash në luftën e tij për pushtet, dhe kjo nuk e ka cenuar aspak prestigjin, lavdinë dhe heroikën e luftës nacional-çlirimtare që zhvilluan shqiptarët. Përse nuk hidhet poshtë Lufta kur shpallet armik p.sh., Mehmet Shehu, Beqir Balluku apo Petrit Dume etj., që ishin drejtues me peshë të formacioneve partizane dhe reputacioni i saj pësuaka keq po të hedhësh poshtë Enverin?! Po të qëmtosh pak më thellë kam përshtypjen se në identitetin luftë nacional-çlirimtare = Enver, do zbulosh themelet e kultit të individit. E vërteta është se nuk ishte një njeri që e bëri Luftën. Edhe në kuptimin e komandimit dhe drejtimit ushtarak. Luftuan me mijëra partizanë e partizane, dhe komanduan me dhjetëra komandantë e komisarë të çetave dhe brigadave. Enveri ka pasur rolin e vet në drejtimin e Luftës, por një rol jo të pazëvendësueshëm.

***

Është krejt tjetër kur flitet për udhëheqjen politike të saj. Në këtë rrafsh, që është i mbarsur edhe me faje që i kushtuan shtrenjtë Shqipërisë, roli i Enver Hoxhës ka qenë specifik dhe dominues. Sepse arriti ta devijojë luftën për çlirim kombëtar drejt një revolucioni komunist në funksion të sundimit absolut. Enveri ishte personi që me gjenialitet politik cezarian, e kanalizoi luftën për çlirim në funksion të një pushteti antiliri. Ai ia kundërvuri kauzën e çlirimit kombëtar kauzës së lirisë shoqërore. Prandaj shqiptarët pasi u çliruan nga pushtuesi i huaj, ranë nën skllavërinë komuniste. Enveri fitoi pushtetin por Shqipëria humbi lirinë. E di, e di! Do përmendin qytetet industriale, ngushtimin e pagave mes punëtorit dhe ministrave, mjekësinë e shkollat falas, dritën elektrike, hidrocentralet, uzinat dhe hekurudhat me një fjalë, atë zhvillim që Shqipëria përjetoi në vitet e komunizmit. Një zhvillim që, siç e shohim edhe sot, edhe pse nuk e nxori dot Shqipërinë nga klasifikimi si shtet i varfër, vazhdon të rrëzëllejë akoma si sukses në mendjen e disave për dy shkaqe: 1) të kaluarës parakomuniste tepër të prapambetur të Shqipërisë dhe 2) për shkak të së sotmes kaotike me diferencim të skajshëm pasuror, pa ligje e rregulla me gjakmarrje e kriminalitet që diktatura i zhduku nga qarkullimi.

Të mbetesh i mrekulluar nga arritjet e socializmit të dështuar enverist, do të thotë të mos kesh aftësi për të shqyrtuar në mënyrë kritike jetën dhe të kesh mbetur te pritshmëritë proletare për të. Për sa i përket zhdukjes së kriminalitetit, diktaturat e vrasin krimin bashkë me lirinë. Sepse vrasjen e njeriut e bëjnë monopol të pushtetit politik. Po të më përmendin veprat madhështore, hidrocentralet apo uzinat, do i përmend piramidat e faraonëve të ndërtuara me mundin e skllevërve apo bonifikimet madhështore të diktaturave hidraulike. Kur më thonë për trenat më kujtohet Musolini apo Hitleri në qeverisjen e të cilëve u ndërtuan autostrada, uzina dhe ekonomitë dolën nga kriza. Por në themel të të gjithë këtyre sukseseve të sistemeve diktatoriale, ishte sakrifikuar liria e njerëzve, gjermanëve, italianëve, shqiptarëve. Një kurban që, më në fund, ato regjime do ta vuanin duke dështuar.

***

Epërsia e asaj që ndodhi në kohën e Enverit me atë që po ndodh sot qëndron edhe në faktin se Enveri e mori shumë seriozisht shtetin diktatorial kurse politikanët, liderët dhe qeveritarët e derisotëm, nuk e kanë marrë seriozisht demokracinë liberale. Enveri e mori seriozisht komunistizimin e Shqipërisë ndërsa elita e derisotme politike nuk e ka marrë seriozisht europianizimin e Shqipërisë. Enveri nuk ia kishte me hile diktaturës dhe shtetit të saj se e shihte si çifligun e tij, që e sundonte, ndërsa këta te sotmit e shohin shtetin si një lopë që duhet mjelë shpejt dhe intensivisht sa nuk kanë humbur përsëri pushtetin. Enveri kish rënë dakord me veten për diktaturën, kurse këta sot nuk kanë rënë dakord për demokracinë dhe lirinë. Prandaj konfliktohen për çdo konflikt. Por këto janë avantazhe dhe disavantazhe që rrjedhin nga krahasimi i diktaturës me kaosin, mes shtetit që të vret po shkele ligjin dhe “shtetit” që e shkel vetë ligjin. Dhe krahasuar me rrumpallën, krimin e korrupsioni e sotëm nuk është çudi që diktatura dhe Enveri të na duken të lakmueshëm. Por sfida është t’u japim shqiptarëve, për herë të parë në historinë e tyre, mundësinë të krahasojnë diktaturat dhe kaosin që kanë përjetuar me sistemin e lirisë, me shtetin e së drejtës. Vetëm atëherë shqiptarët do të mund ta neverisin natyrshëm diktaturën dhe nuk do kenë mall për të. As për Cezarët. Do jetë ndjesia, fryma që sjell pashmangshëm liria, begatia e pakonkurrueshme e sistemit të saj, rregulli i saj më së shumti etik sesa policor.

***

Por kjo nuk arrihet duke investuar kinse “objektivisht” për Cezarin. Kështu u bëhet thirrje ndjenjave, zhgënjimeve, pasioneve të turmave që pjellin duartrokitje për cezarë të rinj, pra shtypës të rinj të lirisë. Cezari është Cezar kurdoherë. Edhe në Romën e lashtë, edhe në Shqipërinë e shekullit XX. Edhe kur lufton për pushtimin e Galisë ai ka në mëndje pushtetin, edhe kur lufton për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit ka në mëndje pushtetin. Dihet që Cezari pasi luftoi për Romën e përdori ushtrinë për të marrë pushtetin. Ai kaloi lumin Rubikon dhe me këtë akt, e futi atdheun në një luftë civile. Shekuj më vonë të njëjtën gjë dhe po për pushtet, do ta bënte një tjetër Cezar me emrin Enver Hoxha, në një vend të vogël e të varfër. Ushtrinë e organizuar në emër të çlirimit të kombit do ta urdhëronte të kalonte lumin Shkumbin, duke bërë fakt luftën civile. Një lëvizje strategjike që treti edhe shansin e fundit për bashkim mbarëkombëtar kundër nazistëve, por që edhe i dha Cezarit atë që lakmonte, alibinë për të zhvilluar luftën për pushtet nën maskën e luftës për çlirim, për të asgjësuar rivalët e luftës për pushtet, me armët e luftës për çlirim.

***

Te cezarët e kësaj bote mund të zbulosh edhe aftësi të pazakonta por asgjë të mirë. Se edhe kur këto aftësi kanë qenë të lakmueshme, ato janë përdorur në funksion të krimit më të shëmtuar, sundimin mbi njerëzit dhe vrasjen e lirisë në jetët dhe shpirtrat e tyre. Nuk duhet harruar se shpesh e keqja ka pamje të mirë, maskohet me qëllime të mira. Edhe fëmijët dinë nga përralla se shtriga të ofron një mollë mrekullisht të kuqe. Por helmi, vjen pasi e kafshon. Është molla që, ndryshe nga molla që kafshoi Adami, nuk t’i hap por t’i mbyll sytë. E keqja i bashkohet të mirës, futet në rrjedhën e saj dhe pastaj e devijon këtë rrjedhë për nga mbretëria e së keqes. Edhe lufta kundër pushtuesit do të ndodhte. Sinjali i parë i rezistencës u dha që me zbarkimin e fashistëve në Durrës. E dha më pas edhe Vasil Laçi që qëlloi mbi Viktor Emanuelin. Luftën nuk e bëri Enveri. Lufta kundër pushtuesit ka qenë një tipar shekullor i shqiptarëve. Është në fakt, një reagim i natyrshëm i çdo popullate të pushtuar. Enveri vetëm e përvetësoi atë që pashmangësisht do ndodhte. Iu bashkua rezistencës antifashiste, doli në krye të saj dhe e devijoi energjinë e luftës për çlirim kombëtar drejt një revolucioni proletar. Energjinë e luftës për çlirim e shndërroi në energji të luftës për sundim, për pushtet cezarian.

***

Cezari nuk mund të ndahet në pjesë. Në atë të mirën në fillim dhe pastaj atë të keqen që vjen më pas. Jo Cezari është një dhe i vetëm. Si një baobab me farën, rrënjët, trungun që rritet e rritet derisa pushton të gjithë vendin dhe ia merr frymën, lirinë. Si në përrallën Princi i Vogël të Ekzyperisë. Por këtë qëllim e ka që kur është një bisk delikat dhe i pafajshëm. Të mos e shikosh Cezarin kështu por si një farë “e mirë” që pastaj, s’dihet pse, pjell fruta të hidhura për të gjithë, është ta justifikosh Cezarin dhe krimin e tij historik. Kjo do të thotë të mos kultivosh neverinë për cezarët e rinj, të thuash se fajin nuk e ka karakteri i tyre i keq sadomazohist por rrethanat që nuk vareshin nga ata. Kurse, mendoj, përpjekja duhet bërë për të kuptuar thelbin e të keqes, që ata bartnin me vete. Zhveshja e këtij thelbi tiranik nga të mirat me të cilat ata e maskuan për të fituar simpatinë, adhurimin dhe duartrokitjet e njerëzve, duke i bërë të investoheshin me entuziazëm dhe sakrifica deri edhe sublime, për projektin e Cezarit që fshihej poshtë premtimeve dhe të mirave që ai i ofronte. Dukuri të ngjashme ka plot. Edhe një mafioz ofron lëmoshë tek të pashpresët, duke fituar simpatinë e tyre, edhe pse e dinë se ai është kriminel, por që për ta është megjithatë, i mirë. Se u jep para, punë, ushqime. Ishin me mijëra ata që e qanë me lot Eskobarin. Edhe Enverin po ashtu.

***

E vërteta historike nuk mund të kuptohet kurrë si duhet pa zbuluar cilat kanë qenë qëllimet e aktorëve të saj. Qëllimi i Enver Hoxhës që nga themelimi i PKSH ka qenë sundimi komunist. Të gjitha të tjerat që u realizuan nën udhëheqjen e tij politike, lufta apo edhe rindërtimi, u vunë në funksion të këtij qëllimi. Edhe, të themi, lufta kundër analfabetizmit apo elektrifikimi i Shqipërisë, gjëra shumë të mira këto, u përdorën në funksion të përhapjes së ideologjisë dhe propagandës së Enverit, u shndërruan në teknologji të sundimit. Në sajë të kësaj propagande intensive, jo pak breza kanë humbur jo vetëm lirinë por edhe aftësinë për të menduar ndryshe. Skemat historike të enverizmit janë stampuar në trutë e tyre siç stampohet pamja e një sendi apo peizazhi në retinën e syrit. Shkurt ata nuk mund të mendojnë ndryshe si një njeri nuk mund të shohë ndryshe. Dhe kjo është një gjymtim. Ata e kuptojnë historinë ashtu si e ka shkruar dhe thënë enverizmi.

***

T’i japim Cezarit atë që i përket Cezarit. Prandaj edhe Enverit duhet t’i japim atë që i takon Cezarit, mendësinë, strategjinë e vënies së gjithçkaje, i Luftës, i të rënëve, heronjve e dëshmorëve që kryen aktin më sublim që mund të bëjë një njeri, në funksion të një pushteti absolut që martirët nuk e ëndërronin kur dhanë jetën. Cezari i tradhtoi ata, gjakun dhe luftën e tyre. Kjo është t’i japësh Cezarit atë që i përket Cezarit!

***

T’i japësh Enverit atë që i takon Cezarit duhet të thuash që ai ka qenë shtypës i lirisë së shqiptarëve, vrasës i ndjenjës së lirisë aq thellë në shpirtra sa disave prej tyre, edhe mbi 35 vjet nga vdekja e diktatorit dhe 23 vjet nga rënia e diktaturës, u mungon jo liria por diktatura dhe diktatori. Nuk thoshte kot Rusoi, që nën pranga skllevërit humbasin edhe dëshirën të ikin prej prangave. Por në kaos shpirtrat e ankthshëm u vikan në kërkim të zgjedhës “shpëtimtare”. Kështu po ndodh edhe me ca shqiptare. Aq thellë e ka çrrënjosur diktatura dhe diktatori opsionin e lirisë nga shpirtrat e tyre. Thuajse e ka fshirë nga genet e tyre aftësinë për të qenë të lirë, krenarinë për të mos qenë skllevër!

***

Jubileu i 70-vjetorit të çlirimit, të luftës së lavdishme të shqiptarëve, partizanëve dhe nacionalistëve, nuk është rasti për të glorifikuar Cezarin. Sepse nuk i takon. Mos i jep Cezarit atë që nuk i takon! Merrja atë që ai e ka rrëmbyer me manipulime politike dhe historiografike. Enveri nuk mund të jetë çlirimtari. Sepse solli jo lirinë por sundimin. Këto kulte të shëmtuara, patriarkale dhe totalitare njëherësh, nuk janë vegla të mira për të kuptuar dhe shpjeguar faktet historike. Sepse po u vazhdua me kultin e liderit “çlirimtar” nuk mund të mos pasojë një kult tjetër. Po pranuam që Enveri e bëri luftën dhe solli “lirinë”, pse të mos pranojmë që edhe Berisha rrëzoi diktaturën enveriste dhe solli “demokracinë”?! Por të gjithë e dimë se edhe luftën nuk e bëri Enveri edhe diktaturën nuk e rrëzoi Berisha. Ato ndodhën për shkaqe shumë më të mëdha se vullneti i një njeriu, por që këta individë të shkathët, i shfrytëzuan për qëllimet e tyre, duke dalë në krye të proceseve ushtarake dhe politike. Pak a shumë si miza që bënte “ija”(!) në veshin e kalit që vraponte. Kali vraponte nga kamxhiku i karrocierit dhe jo nga yshtjet e mizës. “Karrocieri” është urdhri i kohës. Lufta u bë si prirje e natyrshme patriotike e shqiptarëve dhe jo se e frymëzoi Enveri. Diktatura ra se i erdhi ora dhe jo se e frymëzoi Saliu. Ndërkohë që liria, e premtuar nga enverët dhe salinjtë, nuk ka ardhur ende në Shqipëri.

***

Në Shqipëri ka ardhur koha e Europës. Prandaj edhe historia moderne e saj, faktet e saj duhet të shpjegohen në raport me ndikimin që kanë pasur liderët, njerëzit dhe ngjarjet në mbjelljen apo mbytjen e asaj që është thelbi i Europës, lirisë. Liria dhe kontributi i dhënë për të, duhet të jetë ylli polar, nordi për të gjetur të vërtetën në labirintin e ndërlikuar të fakteve historike. Dhe për t’i dhënë gjithkujt të vetën.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button