Kryeartikull

Realdiplomacia e Ramës

Nga Arben Manaj

Mesjava diplomatike shqiptare në këndvështrimin tim, ofroi trajta dinjitoze performance politike dhe shpalosje qëndrimesh vizionare europeiste, atipike gjithsesi, në një shtrirje dhe kontekst më panballkanik.

Përkundër pritshmërisë dhe frikës, vizita e Vuçiçit në Tiranë gjeneroi një perspektivë më shpresëdhënëse për një normalitet të shumëdëshiruar për konvergime realiste interesash kombëtare, pavarësisht sensibiliteteve shpesh etno-folklorike në secilën palë të përfshirë.

Duket se koha, edhe në diplomaci, është ilaçi më i mirë shërues.

Vuçiçi dhe Rama meritojnë përgëzimin më të merituar për tejkalimin e komplekseve të superioritetit ndaj njëri-tjetrit si politikanë dhe shteteve që përfaqësojnë.

Ata dukshëm ranë dakord të mos bien dakord dhe e kapërcyen akullin e batutave që përcaktonin sinorët e qëndrimeve respektive, edhe pse nuk kapërcyen dot malin që i ndan këto qëndrime.

Ata kishin kuptuar qartësisht se ekonomia dhe mirëqenia materiale e kombeve të tyre superon dhe përcakton mentalitetin politik dhe diplomatik.

Rama dhe Vuçiçi treguan në samitin-forum të Tiranës, se i bashkon ekonomia dhe projektet ekonomike, nga të cilat askush nuk humbet, kur lë mënjanë çështje dhe qëndrime që kanë kosto më shumë individuale sesa kolektive dhe rajonale.

Dhe bën shumë mirë që e lanë njëri-tjetrin në fatin e vet dhe me kostot faturuese që u bashkëngjiten në plan afatshkurtër e afatgjatë.

Do të ishte jorealiste që Vuçiç të mos e quante Kosovën më gjatë edhe t’i bashkëngjiste fjalën Metohi, ashtu siç po aq, do të ishte naive apo herezi që Rama të mos ta konsideronte Kosovën të pavarur dhe të mos inkurajonte bisedimet serbo-kosovare nën sponsorizim ndërkombëtar.

Diplomacia kërkon kohë, jo për shkak të moskuptueshmërisë nga elitat, sesa nga nevoja për përpunimin e opinioneve publike respektive për realitetet e reja edhe kur janë të sikletshme. Dhe kjo është realdiplomaci.

Në tërë këtë ekuacion emancipues ndërballkanik, iniciativa gjermane duket se ka gjetur çelësin e zbutjes së egërsive politike në cirkun e ujdhesës “fuçi baroti”, dhe i ka futur faktorët pjesëmarrës në hullinë e realdiplomacisë, ku Kryeministri Rama po spikat dinjitetshëm.

Ramën e kam fshikulluar personalisht për arrogancën dhe prepotencën në politikën e brendshme, por nuk shoh arsye ta bëj një gjë të tillë për mënyrën se si ka luajtur që prej fillimit në skakierën diplomatike rajonale. Përkundrazi.

Edhe pse kritizerët e tij politikë apo “mendimtarët” siç ai parapëlqen së fundmi t’i etiketojë, mund të tentojnë të gërmojnë, por Rama tashmë e ka nxjerrë prej kohësh nga politika e jashtme “qenin e ngordhur”.

Ka perënduar koha kur Shqipëria e kohës së Berishës bënte koncesione diplomatike e akoma më keq, territoriale, për të kompensuar dhe fshehur transgresionet demokratike dhe autoritariste të ish-kryeministrit sivëlla me Gruevskin, në politikën e brendshme, një çmim jo vetëm i madh, por i denjë për tradhti kombëtare, në çdo definicion të mundshëm.

Qëndrimet e Shqipërisë, si ato për mossakrifikimin e interesave kombëtare për hir të fqinjësisë së mirë apo për një objektiv më madhor, siç është integrimi europian, në ngërçin me grekët për shelfin detar, nuk janë as të kritikueshme dhe as të panjohura.

Imagjinoni nëse Kryeministri britanik, Cameron, do të cedonte për një çështje territoriale, siç po i kërkojnë grekët Shqipërisë?!

Ai nuk do të mbijetonte kurrë politikisht. Cameron po krijon potencialisht shfigurim total dhe dalje të BE-së nga binarët, me kërkesën për rikthim në Londër dhe Ëestminster të sovranitetit politik dhe institucional për kompetenca dhe parime të caktuara të Unionit.

Do të ishte e paimagjinueshme për të, të mbahej një qëndrim ndryshe nga ai i Ramës, nëse ai do të ndodhej i futur në këpucët e Tiranës, në rast se do të guxonte kush t’i pretendonte një rivendikim të atillë territorial.

Deklaratat e Ramës ndaj Athinës ishin më se normale dhe më të avancuara si mentalitet demokratik sesa qëndrimet që vijnë nga një vend “bishtqeni” i BE-së.

Komentet sqaruese për Maqedoninë, po aq të sakta dhe institucionale sa edhe qëndrimet e Aleancës Euroatlantike, të cilat për fatin, por edhe mençurinë e palës shqiptare, gjejnë një mbështetje institucionale nga NATO-ja, për shkak të drejtësisë që mbartin në vetvete si dhe vetë ADN-në e mirëfunksionimit të një shteti të denjë për anëtar në atë aleancë politiko-ushtarake.

Dhe të jemi realistë: nëse Greqia luan me kartën e vetos ndaj Maqedonisë (dhe për mendimin tim me shumë të drejtë historike), përse jo Shqipëria, dhe më tej akoma; a nuk do e luante edhe Serbia apo Maqedonia një kartë të tillë, nëse do të kishim shkëmbyer vendet?!

Por Rama dhe Shqipëria po fitojnë terren dhe po flasin me gjuhën europeiste të Brukselit, kur vjen puna te qasja që duhet aplikuar si rajon për rrugëtimin drejt BE-së dhe kjo qasje ka bekimin gjerman në veçanti dhe atë transatlantik në përgjithësi.

Dhe këtu, argumentueshëm, Ramës i shkon slogani “Në drejtimin e duhur”.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button