Home / Te ndryshme / Bill Gates: Sot na kërcënojnë më shumë epidemitë sesa luftërat

Bill Gates: Sot na kërcënojnë më shumë epidemitë sesa luftërat

Themeluesi i Microsoft-it flet për një kërcënim të cilin e sheh se është edhe më i keq sesa kërcënimet për shkatërrimin e mjedisit, apo luftërat që mund të ndodhin sa hap e mbyll sytë. Gates shtron për diskutim një pyetje shumë të thjeshtë: nga se do të vdisnin më shumë se dhjetë milionë vetë sot në botë brenda 20 viteve të ardhshme?

Bill Gates është njeriu më i pasur sot në botë – dhe ai ndërkaq merret me shumë gjëra të mira për njerëzimin, duke mos i çuar dëm energjitë e tij. Prej vitesh ai po lufton me një angazhim të palodhshëm kundër disa prej problemeve më të mëdha të njerëzimit.

Mirëpo tashmë, themeluesi i Microsoft-it flet për një kërcënim të cilin e sheh se është edhe më i keq sesa kërcënimet për shkatërrimin e mjedisit apo luftërat që mund të ndodhin sa hap e mbyll sytë.

Gates shtron për diskutim një pyetje shumë të thjeshtë: nga se do të vdisnin më shumë se dhjetë milionë vetë sot në botë brenda 20 viteve  të ardhshme? Përgjigjja e tij: nuk do të jenë shpërthime madhore vullkanike, tërmete apo goditje asteroidësh, që do ta shkaktojnë këtë. As luftërat. Në vend të tyre, ai sheh në skenë epidemi, të cilat do të jenë të formave e përmasave të reja, duke i cilësuar si një rrezik real, por fatkeqësisht të nënvlerësuar për njerëzimin.

Gripi spanjoll shkaktoi 50 milionë viktima

Gates jep edhe një shembull si ilustrim të pretendimeve të veta, duke na ofruar një eksperiencë të paharrueshme e shumë fatkeqe nga shekulli i njëzetë: Gripi spanjoll. As Lufta e Parë e as e Dyta nuk arritën të shkaktojnë aq viktima e fatkeqësi sa epidemia në fjalë që u përhap në mbarë Europën, duke sjellë pra deri në 50 milionë të vdekur.

Gates për mendimet e tij zhvilloi me shkencëtarët një model algoritmesh. Ky model përpiqet të shohë se si epidemitë përhapen në epokën e sotme globale. Nga ky model ai ka arritur të elaborojë edhe një temë të vetën, të cilën e mbron me argumente:

“Brenda 60 ditëve, një epidemi mund të përhapet në të gjitha qendrat më të mëdha ekonomike e komerciale të botës. Kjo gjë nuk ndodhi me gripin spanjoll“.

Njerëzit lëvizin më shpejt në tokë

Arsyeja që fshihet pas, është e thjeshtë: sot njerëzit lëvizin në mënyrë më fleksible dhe më të shpejtë në të gjitha kontinentet e detet sesa më parë. Gates, me ndihmën e një ekipi kërkimor ka konstatuar se njerëzit sot i kalojnë kufijtë mes shteteve 50 herë më shumë sesa në vitin 1918 – dhe kështu marrin apo sjellin me vete edhe sëmundje të reja e përhapin epidemi.

E këtu ai sheh një rrezik të nënvlerësuar: shpesh epidemitë përhapen para se ato të njihen apo bëhen publike. Më pas, shpesh është shumë vonë të pengosh përhapjen e sëmundjes, e cila në pak ditë mund të shkaktonte shumë viktima.

Rrethana të rrezikshme në historinë njerëzore 

Modeli shkencor i Gates ka zbuluar edhe një element tjetër shqetësues: Nëse do të shpërthente sot epidemia – si dikur me gripin spanjoll – do të kishte shkaktuar si pasojë, më shumë se 33 milionë viktima në vetëm 250 ditë.

“Ne – në lidhje me mundësitë e përhapjes së epidemisë – kemi arritur rrethanat jetësore më të rrezikshme që kemi njohur ndonjëherë në historinë njerëzore“, thotë Gates.

Bill Gates paralajmëron sidoqoftë jo vetëm për rreziqet, por ai dëshiron të bëjë edhe diçka veç saj. Gates po investon miliona për përparimin. Ai dëshiron që të zgjidhë problemet me ujin e pijshëm në vendet e botës së tretë dhe të themelojë një qeverisje globale, le të themi, në mënyrë që të zgjidhë apo luftojë probleme madhore si varfëria, uria apo ndryshimet klimaterike.

Marrë nga “Huffington Post”

Çfarë ishte gripi spanjoll?

Gripi spanjoll ishte një pandemi e cila u shkaktua si pasojë e shpërthimit të papritur të virusit gripal të nëntipit A/H1N1 përgjatë viteve 1918 – 1920, duke shkaktuar disa dhjetëra milionë viktima. Literatura shkencore e kohës pohon se numri i viktimave arriti të paktën në 25 milionë; Por në bilancin e saj, revista Bulletin of the History of Medicine e vitit 2002, arrin në përfundimin e bazuar në kërkimet e disa autorëve, se numri i viktimave mund të ketë kapur edhe shifrën e thuajse 50 milionë viktimave, të cilave u referohet edhe Bill Gates në pretendimet e tij mbi rrezikshmërinë e epidemive vrastare për njerëzimin në ditët e sotme. Pasojat e pandemisë së atëhershme janë të krahasueshme në shifra absolute me ato të murtajës që përfshiu kontinentin tonë në vitin 1348, e cila në atë kohë u mori jetën më shumë se një të tretës së popullsisë europiane. Një veçori e gripit spanjoll, ishte se para së gjithash viktima të tij ranë njerëzit e moshës 20 deri në 40 vjeç, ndërsa viruset gripale zakonisht rrezikojnë së pari fëmijët dhe pleqtë. Variante të nëntipit A H1N1 shkaktuan edhe në vitet 1977/1978 shpërthimin e një vale tjetër gripi, të quajtur “gripi rus” dhe në vitin 2009 edhe pandeminë e “gripit të derrave”. Megjithëse njihet si “gripi spanjoll”, ai u soll në Europë nga ushtarët amerikanë që luftonin përkrah aleatëve franko-britanikë. U quajt me këtë emër famëkeq, sepse ishin gazetat spanjolle ato të cilat raportuan të parat mbi shfaqjen e tij në Europë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.