Ekspozita

Shijaku: Kam qenë rebel në disa detaje

U hap dje në Galerinë Kombëtare të Arteve ekspozita e piktorit Sali Shijaku

Ngjyra dhe histori. Kjo është ajo çfarë ndien teksa sheh tablotë që kanë mbushur hapësirën e Galerisë Kombëtare të Arteve, në ekspozitën vetjake që është hapur dje, të piktorit Sali Shijaku. Gjatë prezantimit për mediat të ekspozitës, artisti pranoi se pavarësisht dallimeve që ka mes dy periudhave të krijimtarisë së tij, asaj para viteve ’90 dhe pas saj, ai është përpjekur të krijojë njësoj duke e parë procesin e të piktuarit thjesht si një vazhdimësi. “Pavarësisht se ka dallime mes dy periudhave, për mua krijimtaria ka pasur vazhdimësi dhe jo tranzicion siç përjetuan shumë artistë. Thjesht isha i vetëdijshëm se punët e mia nuk do të kalonin më në komisionet e vlerësimit”, tha Shijaku. Ai e quajti frymëzuese periudhën para viteve ’90, pavarësisht vështirësive duke thënë se ka qenë i përqendruar te  puna”. Nuk mund ta mohoj se periudha përpara viteve ’90 ka qenë shumë gazmore, por edhe e vështirë, ne punonim me shumë pasion. Përgjithësisht, na duhej të realizonim një pikturë të angazhuar ku duhej të vinim në pah punën dhe luftën e kombit, megjithëse përpiqesha që herë pas here të isha edhe rebel në disa detaje”, tha ai. Drejtori  i Galerisë së Arteve, Artan Shabani, tha se kjo do të jetë një nga ekspozitat më të vizituara nga publiku për vlerat që mbart arti i tij. “Piktori është vlerësuar dhe ende vlerësohet nga publiku shqiptar si një ikonë e pikturës dhe e ngjyrës dhe si një prej piktorëve të veçantë, që prezantoi në vite krijimtari të afërt me imazhin e jetës shqiptare, me kërkesat e zhvillimit të shoqërisë shqiptare, si para ose dhe pas viteve ’90”, tha Shabani. Për piktorin Ksenofon Dilo, hapja e kësaj ekspozite nuk ka qenë e lehtë, pasi përmblidhen punë të ndryshme. “Duhet thënë se edhe koha lë gjurmët e veta në tablo dhe shumë vepra kishin nevojë për ndërhyrje restauruese, megjithatë mendoj se do të jetë një ekspozitë që do të zgjojë shumë interes. Përmes saj mund të marrim informacion të gjerë, jo vetëm artistik, por njëkohësisht për motivet që përmban, sepse Saliu në këtë ekspozitë vjen tepër i larmishëm si në gjuhë, subjekte, por edhe stilin e tij të paraqitjes”, tha ai. Kjo është ekspozita e parë vetjake e artistit, pas viteve ’90 dhe vjen 29 vjet pas ekspozitës së parë të Sali Shijakut në GKA. Ekspozita përmban 73 punë, 50 prej të cilave nga koleksioni i artistit në GKA dhe 23 nga studioja e tij. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më datë 28 qershor 2015.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button