IntervistaPolitika

Ambasadori italian Gaiani: Italia dhe Shqipëria, mundësi për të zgjeruar bashkëpunimin ekonomik

Ambasadori i Republikës së Italisë në Tiranë, Massimo Gaiani, në një intervistë ekskluzive për Agjencinë Telegrafike Shqiptare ka deklaruar se Italia dhe Shqipëria kanë mundësi për të zgjeruar akoma më tej bashkëpunimin e tyre ekonomik.

Ambasadori Gaiani ka theksuar se, në Shqipëri ka një numër të madh të sipërmarrje të vogla dhe të mesme italiane, por ende është i vogël numri i sipërmarrjeve të mëdha italiane në vendin tonë.

Ambasadori është shprehur se, dy sektorët kyç ku mundtë bëhet akoma më shumë në Shqipëri janë turizmi dhe bujqësia, ku ka nënvizuar ambasadori Gaiani eksperienca dhe përvoja italiane mund të jetë shumë e vlefshme.

Përsa i përket rrugëtimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe vendeve fqinje, ambasadori Gaiani ka theksuar se, ky do të jetë një rrugëtim i gjatë që kërkon mund, përpjekje dhe përkushtim nga ana e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Shqipërisë.

Italia feston në 2 qershor festën e Republikës së Italisë. Më 2 dhe 3 qershor 1946 mbahej, në fakt, referendumi institucional i shpallur për votim të përgjithshëm, me të cilin italianët thirreshin në kutitë e votimit për t’u shprehur mbi formën e qeverisjes, monarki apo republikë, që donin t’i jepnin vendit, pas rënies së fashizmit. Pas 85 vitesh mbretëri, me 12.718.641 vota pro dhe 10.718.502 kundër, Italia bëhej Republikë dhe monarkët e shtëpisë së Savojës emigruan. Në të gjithë botën ambasadat italiane organizojnë festime, ku ftohen Krerët e Shtetit pritës.  Para formimit të Republikës, festa kombëtare italiane ishte të dielën e parë të qershorit, festa e Statutit Albertin. Vetëm më 2001 me shtytjen e Presidentit të atëhershëm të Republikës, Carlo Azeglio Ciampi, qeveria e dytë Amato, me ligjin n. 336 të datës 20 nëntor 2000, pati sjellë festimet me 2 qershor e që pastaj u bë ditë festive.

Më poshtë intervista e plotë e Ambasadorit të Republikës së Italisë në Tiranë, Massimo Gaiani dhënë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare:

Zoti Ambasador, duke ju uruar për festën Tuaj kombëtare, me lejoni t’ju shpreh ndjenjat e mia dhe koplimentat për punën dhe misionin Tuaj në Shqipëri.Italia është një vend mik i Shqipërisë dhe këtë e ka dëshmuar në mënyrë të përherëshme, por edhe ju tashme jeni një mik i popullit shqiptar. Ju kemi ndjekur gjatë qëndrimit Tuaj në Shqipëri në një veprimtari intensive në qytete të ndryshme të Shqipërise dhe jeni i njohur kudo. Çfarë mund të veçonit nga puna Juaj në Shqipëri në këtë periudhë të misionit Tuaj?

masimo-galiani-interviste-ATSH-(6)Ambasadori Gaiani: Para së gjithash do të doja të theksoja se e kam gjetur Shqipërinë si një vend jashtëzakonisht mikpritës, shume të hapur ndaj italianëve, fakt ky që e ka lehtësuar mjaft misionin tim dhe punën time këtu, duke e bërë më tërheqese dhe më interesante. Dëshiroj të shtoj gjithashtu se ekzistojnë marrëdhënie shumë të mira mes italianëve dhe shqiptarëve dhe, sikundër e kam deklaruar dhe më parë, bashkëpunimi mes tyre, punët e realizuara mes shqiptarëve dhe italianëve përgjithësisht kanë patur sukses. Madje do të shtoja dhe një tjetër aspekt që i thjeshtëzon ndjeshëm këto marrëdhënie, fakti që jemi shumë të ngjashëm me njëri-tjetrin, pra kemi pak a shumë të njëjtën kulturë, kemi  pothuaj të njëjtat tradita e zakone, jetojmë relativisht në mjedise të përafërta, të ngjashme, kemi të njëjtën klimë, e për këtë arsye jemi kaq të afërt e të ngjashëm,  kuptohemi mjaft mirë.

Keni patur takime me njerëz të politikës, të biznesit, të artit e kultures dhe të fushave të tjera.  Keni arritur të krijoni  krahas punës edhe miqësi  me ndonjërin prej tyre?

Ambasadori Gaiani: Sigurisht që në profesionin tonë është e vështirë të ndahet jeta private nga puna, sepse në një farë mënyrë, gjithçka që i përket punës i përket edhe jetës private, në kuptimin e mundësisë së krijimit të marrëdhënieve personale. Megjithatë do të doja të theksoja faktin se kam mbetur me të vërtetë i impresionuar nga interesi që kanë ngjallur tek unë shumë prej personave me të cilët kam patur marrëdhënie pune dhe kontakte. Madje me disa prej tyre kam lidhur miqësi, i konsideroj miq të mirë e shpresoj dhe uroj që edhe kur të kem përfunduar misionin tim në Shqipëri, ku falë edhe arritjeve të teknologjisë barrierat apo pengesat tashmë kanë rënë, të mund të ruaj marrëdhëniet e mira të miqësisë.

Italia ka qenë pranë Shqipërisë në këtë periudhë tranzicioni, shumë pranë në mënyre komplekse, por specifikisht ajo ka dëshmuar mikpritje dhe mirëkuptim për mijëra shqiptarë që banojnë atje dhe janë integruar në jetën e këtij vendi.  Si e vlerësoni punën e shqiptarëve në Itali?

masimo-galiani-interviste-ATSH-(1)Ambasadori Gaiani: Komuniteti shqiptar në Itali është vlerësuar njëzëshëm nga italianët dhe nga Italia, janë integruar më së miri si dhe kanë një nivel të lartë sipërmarrjeje. Janë më shumë se 30 mijë sipërmarrjet e krijuara në Itali prej shqiptarëve. Pra do të thoja se ka një vlerësim të njëzëshëm, një njohje të rolit të tyre, duke nisur ndër të tjera nga një imazh kolektiv që nuk ishte dhe aq i favorshëm por që shqiptarët, falë punës së tyre, arritën që ta përmbysin edhe këtë imazh. Mjaft të theksoj këtu edhe një fakt personal që më ka ndodhur mua së fundmi. Kam kryer ristrukturimin e shtëpisë dhe kam pasur probleme me shumë sipërmarrës italianë që kishin marrë përsipër kryerjen e punimeve dhe që në njëfarë mënyre nuk respektuan marrëveshjet e arritura dhe një miku im më thotë, si ka mundësi që nuk i je drejtuar shoqërive shqiptare apo shqiptarëve, sepse ata do të ishin në gjendje që të dorëzonin punimet në kohën e duhur dhe me cilësinë e duhur. Kjo tregon edhe një herë faktin që shqiptarët në Itali janë mëse të vlerësuar dhe sidomos në sektorin ku ata punojnë më tepër, në atë të ndërtimit. Kjo tregon edhe një herë pra se janë tejet të vlerësuar.

ATSH dhe Albania Exellence realizuan vitin e kaluar në Vlorë një veprimtari  lidhur me shqiptarët e suksesshëm në botë. Një pjesë e madhe vinin nga Italia dhe ku kishin arritur të vendosnin gjurmët e tyre pozitive. Në projektet tona të ardhshme është realizimi i disa veprimtarive të tilla, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Itali. Si do e vleresonit një nismë të tillë?

Ambasadori Gaiani: Sigurisht që bëhet fjalë për nisma të jashtëzakonshme, nisma të shkëlqyera. Kjo edhe një herë dëshmon për faktin se janë të shumtë shtetasit shqiptarë, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre në vende të ndryshme të botës, në sektorë të ndryshëm në fusha të ndryshme, si në atë të arteve ashtu edhe në profesionet e lira, profesionet private, qoftë dhe në fushën e mjekësisë. Gjithashtu do të theksoja që kjo mund të përdoret gjerësisht si një potencial i mundshmëm që ata të përafrohen me realitetin shqiptar për të dhënë kontributin e tyre edhe për Shqipërinë dhe shqiptarët, si sot ashtu edhe nesër. Në njëfarë mënyre ky rrugëtim është i ngjashëm me rrugëtimin që kanë bërë italianët dikur. Sikundër Shqipëria, edhe Italia ka qenë një vend që ka njohur gjerësisht fenomenin e emigracionit. Sikundër ka shumë shqiptarë, të cilët jetojnë në vende të ndryshme të botës ashtu ka edhe shumë italianë që për arsye të ndryshme pune apo jo, janë larguar nga Italia dhe jetojnë apo punojnë në vende të tjera. Gjithsesi kjo është një pasuri që duhet përdorur në dobi të vendit të origjinës.

masimo-galiani-interviste-ATSH-(7)Komunikimi politik midis dy vendeve është mjaft i mirë. Në gjykimin Tuaj i përgjigjet nivelit të komunikimit politik, bashkëpunimi ekonomik midis dy vendeve?

Ambasadori Gaiani: Besoj se të dyja dimensionet, si ajo politike ashtu dhe ajo ekonomike janë në nivel dhe në një inensitet të lartë. Përsa i përket marrëdhënieve në fushën e politikës, mjaft të përmendim vizitat e ndryshme të funksionarëve më të lartë të shtetit apo shkëmbimet e vizitave nga të dy krahët. Ndërsa përsa i përket fushës së ekonomisë, do të doja të thoja që ka një marrëdhënie të veçantë dhe është gjithnjë e në rritje interesi i sipërmarrjes dhe sipërmarrësve italianë ndaj Shqipërisë, sepse tregu shqiptar dhe Shqipëria konsiderohen si një treg dinamik me një popullsi relativisht të re në moshë. Gjithashtu kjo lehtësohet edhe nga fakti që Shqipëria ka ditur në vitet e krizës të regjistrojë edhe rritje sado të vogël ekonomike. Në kuadër të krizës që ka prekur Europën e gjithashtu edhe Italinë, është prirja e sipërmarrësve dhe sipërmarrjeve italiane, sidomos të sektorit të manifakturës që të drejtohen apo të gjejnë tregje të reja sikundër është ai shqiptar, e forma të reja bashkëpunimi. Pra do të doja të theksoja që marrëdhëniet si në rrafshin politik, ashtu edhe në atë ekonomik janë pak a shumë në të njëjtin nivel.

Cilat janë fushat ku duhet shtrirë më shumë bashkëpunimi ekonomik midis Shqipërisë dhe Italisë?

Ambasadori Gaiani: Sigurisht për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje mjafton të bëjmë një anlizë të sipërmarrjeve italiane, të cilat janë të pranishme dhe ushtrojnë veprimtarinë e tyre në Shqipëri dhe hasim këtu një numër të madh sipërmarjesh italiane të vogla dhe të mesme, të cilat kanë ditur dhe kanë arritur që të ndërveprojnë dhe të lidhin marrëveshje me palën tjetër, pra me palën shqiptare. Sigurisht këtu vihet re një mungesë apo një numër më i vogël pranie e sipërmarrjeve të mëdha, besoj se ky është dhe sektori që duhet nxitur më tej, krahas sipërmarrjve të vogla dhe të mesme, pasi është e rëndësishme që në disa sektorë të caktuar strategjik të ekonomisë të kemi praninë e shoqërive të mëdha, të cilat të japin ndihmesën e tyre në zhvillimin e vendit.

Biznesi italian është prezent në Shqipëri më shumë se nga çdo vend tjetër. Mendoni se ka hapësira të tjera për ta rritur këtë prezencë dhe cilat mund të jenë ato?

Ambasadori Gaiani: Sigurisht që po. Pavarësisht pranisë së sipërmarrjeve italiane ekziston hapësira e duhur për të rritur më tej këto marrëdhënie dhe këto marrëveshje. Sigurisht, sikundër e përmenda, prania e sipërmarrjve të mëdha është disi e vogël, megjithatë ekziston mundësia dhe gjithashtu ekziston interesi i lartë për të investuar në Shqipëri dhe për të qenë të pranishëm në Shqipëri. Pavarësisht krizës në këto vitet e fundit, marrëdhëniet apo shkëmbimet ekonomike mes dy vendeve tona kanë njohur rritje. Kjo falë edhe një faktori të rëndësishëm do të thoja, sikundër është liberalizimi i vizave, ç’ka e bëri edhe më dinamike këtë marrëdhënie. Gjithashtu është e rëndësihme që krahas rritjes së pranive të sipërmarrjeve të mëdha, të rrisim gjithashtu apo zgjerojmë sektorët apo fushat e tjera të marrëdhënieve ekonomike me interes të përbashkët.

masimo-galiani-interviste-ATSH-(9)Italia përbën për Shqipërinë partnerin më të rëndësishëm në shkëmbimet tregtare. Megjithatë mundësitë janë që ky volum të rritet. Në gjykimin Tuaj cilat janë ato sektorë që ky volum tregtar me interes të ndersjelltë mund të rritet në të ardhmen?

Ambasadori Gaiani: Do të doja të ndalesha kryesisht në dy sektorë kyç të ekonomisë sikundër janë turizmi dhe bujqësia. Mendoj se në këto dy sektorë të rëndësishëm Shqipëria mund dhe ka të gjitha potencialet për të dhënë më shumë, për t’u pasuruar dhe sigurisht për të njohur një zhvillim të duhur ekonomik dhe sigurisht prania dhe ndihma e Italisë mund të jetë mjaft domethënëse në këto dy sektorë. Krahas këtyre dy sektorëve do të doja më tej të rendisja sektorët tradicionalë, sikundër është ai i manifakturës ku, gjithsesi prania e sipërmarrjeve italiane është tejet e rëndësishme dhe në një numër të konsiderueshëm, por që gjithësesi mund të zgjerohet më tej. Për të kaluar më tej në sektorin e energjisë, një sektor që mund të zhvillohet më tej duke patur parasysh potencialin e Shqipërisë, e cila është e pasur me burime energjitike dhe krahas kësaj kemi një interes në rritje të sipërmarrjeve dhe sipërmarësve italianë, të cilët ndjekin me interes zhvillimet në Shqipëri për të bërë të mundur që ky interes të shndërrohet në veprime konkrete apo në investime konkrete. Për të kaluar më tej edhe në sektorin e shërbimeve, një sektor që mund të njohë forma të tjera bashkëpunimi. Në këtë sektor mjafton të rendisim atë të Call-centerave, por që mund të zgjerohet dhe me trajtimin e të dhënave apo me forma të ndryshme bashkëpunimi, më të sofistikuara.

Turizmi mbetet një aset i rëndësishëm kombëtar për Shqipërinë. Italia ka një përvojë  mjaft të madhe në këtë drejtim dhe është një nga destinacionet turistike  më të preferuara të botës. Cilat janë ato rrugë që ju gjykoni se janë efektive që kjo përvojë të shfrytëzohet pozitivisht në Shqipëri?

Ambasadori Gaiani: Sigurisht që Shqipëria paraqet potenciale të mëdha si përsa i përket burimeve natyrore, por edhe sa i përket trashëgimisë kulturore, historike dhe arkitekturore, ende të pashfrytëzuara. Besoj se është e nevojshme që Shqipëria të zgjerojë më tej kapacitetet e saj të mikëpritjes si përgjatë bregut ashtu edhe në zonat më të thella, në zonat malore, me peisazhe natyrore që tërheqin shumë turistë, ku edhe mungon disi dora e njeriut. E gjitha kjo kërkon infrastruktura e shërbime mikëpritjeje të nevojshme dhe Italia mund ta ndihmojë Shqipërine të arrijë synimet e saj. Është një sektor, sikundër e thatë ju, në të cilin kemi një përvojë të madhe e kemi një ngjashmëri kemi të njëjtin mjedis, apo peisazh, si në Itali, ashtu edhe në Shqipëri, ndaj ky bashkëpunim do të ishte tejet i rëndësishëm. Gjithashtu, mjafton të përmendim faktin që tashmë në kuadër të një bote të globalizuar, një vend i vetëm apo një rajon i vetëm nuk mund të jetë konkurrues në arenën ndërkombëtarë, në qoftë se nuk bashkëpunon me vendet e tjera. Nëse marrim një turist kinez, brazilian apo indian që viziton Europën, parapëlqen të vizitojë disa vende, disa realitete. Besoj se Adriatiku paraqet këto veçori, është një hapësirë që na bashkon dhe të gjitha ato vende që lagen nga deti Adriatik duhet të jenë në gjendje të bashkëpunojnë dhe të pasurojnë më tej vlerat dhe traditat e tyre, për të qenë më konkurrues. Kjo përputhet më së miri edhe me politikën apo me strategjinë e BE, përsa i përket makro-rajonit Adriatiko-Jonian që ndër të tjera ka si përparësi pikërisht turizmin, ruajtjen e mjedisit dhe detit, pasuri këto të përbashkëta, çka duhet të na shtyjë të punojmë krah njëri-tjetrit, në intëresin tonë të përbashkët.

Italia është pjesë e Bashkimit Evropian me një rol shumë të rëndësishëm. Mbështetur në përvojën Tuaj si pjesë vendimtare e këtij unioni, si e parashikoni rrugën që po ndjekin vendet joanëtare në përpjekjen për t’u anëtarësuar në BE? Është fjala për Shqipërinë dhe vendet fqinje me të.

Ambasadori Gaiani: Para së gjithash mendoj se është një rrugëtim i pashmangshëm. Për Shqipërinë, sikurse dhe për vendet e tjera të Rajonit, besoj se është në interes të tyre kahja drejt rrugëtimit europian, drejt shtëpisë së përbashkët europiane. Këto vende kanë qenë gjithnjë pjesë e Europës, për vetë historinë, kulturën, ekzistencën e popujve të tyre, kanë qenë eurpiane. Ndaj është dhe udha e natyrshme që duhet te ndjekin. Është një rrugëtim i gjatë, plot vështirësi e pengesa që duhen kapërcyer. Për këtë nevojitet durim me vetëdijen se nuk do të jetë e thjeshtë, por që gjithsesi përbën objektivin që popujt e Ballkanit duhet të synojnë për të gjetur veten në atë që është bota e tyre, per t’i siguruar brezave të ardhshëm një të ardhme më të sigurt e me perspektiva më të mëdha mirëqenieje. Disa vende kanë shprehur dhe shenja mosbesimi ndaj Bashkimit Europian, sikundër e dëshmuan dhe zgjedhjet e fundit. Si europian, duke qenë se pjesën më të madhe të karrierës sime profesionale ia kam kushtuar këtyre temave dhe punës në dobi të rritjes së Europës, kam bindjen se është në interes të Vendeve të Ballkanit të përafrohen me Bashkimin Europian, pa mohuar faktin se, si gjithçka që ka një vlerë të caktuar, kërkon dhe një sakrificë e një çmim të caktuar. Pavarësisht kësaj, është çmimi i atyre masave që gjithësesi janë të dobishme për zhvillimin e vendit. Kur bëhet diçka për Europën duhet të kemi parasysh faktin se këto gjëra gjithsesi do të bëheshin në interes të vendit..

Duke ju falenderuar për intervistën, më lejoni t’ju uroj për festën Tuaj kombëtare dhe suksese në misionin Tuaj!

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button