Home / Ekonomia / Ndryshon ligji për falimentin, kredimarrësve të varfër nuk u sekuestrohet shtëpia e parë

Ndryshon ligji për falimentin, kredimarrësve të varfër nuk u sekuestrohet shtëpia e parë

Agjencia e Mbikqyrjes së Falimentit ka përgatitur një projektligj, i cili mbron individët që kanë kredi në banka nga sekuestrimi i shtëpisë së parë.

“Ke mundësi ta mbash atë shtëpi dhe mos të të ekzekutohet me përmbarim nga kreditori i siguruar. Po si mund ta mbash atë shtëpi? Të rinegociosh, ligji ta ka dhënë mundësinë, në gjykatë. Nëse gjykata e sheh të arsyeshme, e vendos gjykata dhe jo kreditori i siguruar, për të mbajtur një apartament, nuk po them dy. I dyti quhet biznes, jo mjet jetese. Një apartament lejohet”, thotë Klajdi Mati, drejtor i Agjencisë së Mbikqyrjes së Falimentit.

Për individët në vështirësi, të cilët aplikojnë për faliment, drafti parashikon pezullimin e pagesës së kredisë për një periudhë të caktuar kohe dhe rinegocimin e këstit të saj. Po kështu, ata do të clirohen edhe nga disa detyrime

“Kompanive nuk u shkarkohen, individëve mendohet t’u shkarkohet si në të gjithë botën, kartat e kreditit.  Nuk është vendosur akoma, faturat mjekësorë, mbase faturat e utilitetit, mbase”, thotë Mati.

Por ata individë, të cilët përfitojnë nga falja e detyrimeve nuk do të lejohet më që për 9 vjet të marrin kredi në banka. Vec individëve, drafti i ri lehtëson procedurat e falimentit edhe për bizneset duke e vënë theksin jo tek mbyllja, por riorganizimi i tyre

“Kemi ndryshuar procedurën e kërkesave, kemi ndryshuar procedurën e pagesave. Më përpara ndodheshim në ngërç të madh se kush paguante shpenzimet administrative. Sot me kërkesën për procedurë falimenti, që kjo kërkesë mund të jetë për likujdim, për riorganizim, pagesat do të jenë drejt për drejtë me dorëzimin e formularëve, që procedura mos të ngelë në ngërç për shpenzimet administrative”, vijon Mati.

Sipas Matit, drafti është hartuar sipas modelit amerikan dhe favorizon debitorët për t’u dhënë atyre mundësi të dalin nga vështirësitë financiare në mënyrë ligjore.

Leave a Reply

Your email address will not be published.