Qeveritare

Rama feston 50-vjetorin, Arvizu dhuratë një tortë me simbolet e dy flamujve

Ceremonia në Kryeministri, të ftuar kryebashkiakët e majtë, deputetët e LSI dhe ata të PDIU-së

rama-1Një falënderim i shkurtër për pjesëmarrësit në ceremoninë e organizuar në godinën e Kryeministrisë, si dhe një urim për festën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ishte çelja e pritjes nga Kryeministri Edi Rama me rastin e 50-vjetorit të ditëlindjes së tij. Modeste në pamje të parë, ku deputetët dhe ministrat u panë vetëm me tufa me lule në duar, por edhe nga konfirmimi i të pranishmëve në sallën e konferencave në Kryeministri, u cilësua festimi i ditëlindjes së kryesocialistit dhe njëherësh kreut të qeverisë në vend. Përveç stafit të ngushtë të vetë kreut të qeverisë, pjesë e deputetëve, ministrave, kryebashkiakëve të majtë edhe shumë pak miqve të Kryeministrit, ishte edhe ambasadori i SHBA, në vendin tonë, Aleksandër Arvizu.  Si i vetmi diplomat i ftuar në këtë ceremoni Arvizu, kishte zgjedhur si dhuratë për Kryeministrin një tortë me simbolet e flamujve të dy shteteve, kjo edhe në kuadër të ditës së Pavarësisë për SHBA. Mes ministrave dhe deputetëve të majtë, ishin edhe ata të partisë më të madhe në koalicion, LSI. Nga koalicioni opozitar, të vetmit që kishin marrë pjesë në festimet e 50-vjetorit të Kryeministrit, ishin vetëm deputetët çamë, të PDIU-së. Për gazetën “Shqip”, deputetët çamë konfirmuan se ftesën për të qenë të pranishëm në këtë ceremoni e kishin marrë nëpërmjet telefonit nga stafi i Kryeministrisë. “Nuk mund të mungonim në këtë ceremoni festive dhe të gëzuar për Kryeministrin Rama. Ai na nderoi me pjesëmarrjen e tij në 70-vjetorin e gjenocidit çam dhe këtë respekt ia kthyem dhe ne”, tha njëri prej deputetëve çamë. Nga ana e opozitarëve, ndonëse e urojnë në distancë, thanë se nuk ka qenë asnjëri i ftuar për të marrë pjesë në ceremoninë e djeshme në Kryeministri. Vetë kryesocialisti Rama preferoi që falënderimin për të gjithë miqtë ta bënte në rrjetin social Twitter, ku nëpërmjet një fotografie me numrin 50, i preferon që të mbetet akoma i ri. “Faleminderit zemër për urimet e panumërta dhe pse më kujtoni pa pushim se s’jam më i ri. Po mbase mund të jetë edhe kështu. Nuk jam 50 vjeç, jam 18 vjeç me një eksperiencë 32-vjeçare”, shkruan Rama në statusin  tij në rrjetin social.

Ceremonia

Për detajet e ceremonisë që nga pritja e të ftuarve deri në përfundim të saj ishte kujdesur stafi i ngushtë i Kryeministrit.  Rreth orës 11:00 janë parë që të hyjnë në ambientet e Kryeministrisë deputetët e majtë, ku shumica prej tyre mbanin tufa me lule në duar. Pritja për të ftuarit është bërë pikërisht në sallën e konferencave, ku atyre u është shërbyer shampanjë dhe ëmbëlsira të vogla për të shoqëruar pijen. Sipas burimeve në Kryeministri, stafi i ngushtë i Edi Ramës ka organizuar një festë të palajmëruar për shefin e qeverisë. Me sa duket në këtë organizim është përfshirë edhe ambasada amerikane, pasi ditëlindja e Kryeministrit, përkon me festën e pavarësisë së SHBA. Të ftuarit kanë qëndruar rreth një orë në ambientet e Kryeministrisë, ku më pas disa prej tyre kanë preferuar të shkojnë për drekë jashtë kryeqytetit, për të shijuar në këtë mënyrë fundjavën pa angazhime politike në Kuvend.

Braktiset selia

Selia e Partisë Socialiste është parë pothuajse bosh dhe pa praninë e deputetëve të majtë, ndryshe nga një vit më parë ku në të njëjtën ditë të vitit ishte e mbushur me diplomatë dhe deputetë me rastin e festimit të ditëlindjes së kryetarit Edi Rama. Në lokalin ngjitur me selinë e majtë, ku shpesh deputetët e PS-së takojnë militantët apo dhe ulen për kafe, nuk u pa askush nga të majtët. Vetëm pak media kishin preferuar që përveç Kryeministrisë, të fokusoheshin për detajet e ditëlindjes së Kryeministrit edhe në selinë e partisë që ai drejton.

Basha uron Ramën sipas zakonit: Më i vjetër se Nishani, Meta dhe unë

Urimin për ditëlindjen kundërshtarit politik, Edi Ramës, kreu i demokratëve, Lulzim Basha, ia bëri nga qyteti i Kukësit, gjatë Kuvendit Zgjedhor për degën e PD-së në këtë qark. Me një ironi të lehtë, kreu i demokratëve i kujton Ramës se në moshë është më i vjetri sa edhe vetë Presidenti i vendit apo dhe kryeparlamentari, Ilir Meta e se vetë ai. “Meqë ka ditëlindjen, le t’i urojmë gëzuar nga Kukësi sipas zakoneve tona fisnike. Dikush kishte vënë re se është më i moshuari mes Presidentit, Kryetarit të Kuvendit dhe shefit të opozitës. Këtë që është i vjetër, e më i vjetri, kush nuk e di, por kilometrazhin s’e kishte treguar deri tani, e paska dhe kilometrazhin”, ka thënë gjatë fjalës së tij, kreu i PD-së.

Artemisa Hoxha 

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button