Home / Kryeartikull / Koncesioni që mban të huajt dhe shqiptarët larg Shqipërisë

Koncesioni që mban të huajt dhe shqiptarët larg Shqipërisë

Nga Arben Manaj

Koncesioni që Fatos Nano u dha gjermanëve për hapësirën ajrore e që Edi Rama në Vlorë e cilësoi antikombëtar, siç do e quanin realisht shumë shqiptarë, faktikisht është shndërruar në pengesën më të madhe të ardhjes shumë më shpesh dhe më shumë më tepër në numër, të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit dhe atyre që duan të udhëtojnë prej saj, por edhe të huajve që duan të vijnë në Shqipëri.

Këtu përjashtohen ata që ua paguan shteti apo bizneset biletat e fluturimit apo ata ish-zyrtarë që s’u dridhet xhepi e që janë majmur nga pushteti, që ua kanë dhuruar shqiptarët me votën e tyre ndër vite.

Gjermanët kanë një koncesion që pamundëson hapjen e aeroporteve të rinj në Shqipëri për fluturime komerciale dhe mban biletat e fluturimeve në nivelet më të shtrenjta të kontinentit, pasi gjermanët kanë ekskluzivitetin e licencimit të fluturimeve të reja të linjave kryesisht me çmime të lira, që ndryshe njihen si low-cost.

Ky koncesion që mundësoi bërjen e terminalit të ri të Aeroportit të Rinasit apo solli do investime të tjera, praktikisht është shndërruar në një pengesë të madhe për një lloj të ri investimi, që vjen prej turizmit.

Përveç mbetjes së Shqipërisë me një aeroport funksional dhe një tjetri që rri në kuti, si ai i Kukësit, (luks i madh për Shqipërinë), kur nevojat e botës ku jetojmë janë për një diversitet më të madh gjeografik në shpërndarjen e aerodromeve sesa aeroporteve klasike që u përshtaten kërkesave të linjave europiane low-cost.

Shqipëria e Nanos, Berishës e Ramës të duket qesharake, paradoksale dhe irrituese, kur lexon Kadarenë e mëson se gruaja austriake e Lasgush Poradecit, pasi u idhnua me të, iku nga Pogradeci e shkoi në Korçë për të marrë avionin për në Tiranë, thuajse një shekull më parë.

Prindërit e mi në fundin e viteve 1970, kanë udhëtuar me avionin qeveritar nga Gjirokastra në Tiranë, e mua sot më del më lirë të shkoj nga Londra në Tiranë përmes Podgoricës, siç më ndodhi muajin e kaluar.

Është e sikletshme kur linja low-cost si Ryanair fluturojnë në Mal të Zi nga Londra, e marrin kthesën mbi liqenin e Shkodrës për t’u ulur në Podgoricë, kryeqytetin e një vendi kandidat në BE si vendi ynë, kur për pesë minuta më shumë fluturim, shumë mirë mund të ishte ulur në Rinas.

E mbi të gjitha me 40 sterlina kthim si çmim, dhe akoma më irrituese me një avion ku treçereku i pasagjerëve janë shqiptarë.

E tërë kjo në një kohë kur për të shkuar nga Londra në Rinas, në ofertat më të mira, në kohët më të papërshtatshme të vitit, nuk mund të fluturosh më poshtë se 120 sterlina, e në rastin e verës e fundvitit, në afro katërqind sterlina për person a më shumë.

Por kjo vlen edhe për kryeqytetet e tjera nga ku nisen shqiptarët për të ardhur në atdhe.

Kjo praktikisht i dekurajon ata së tepërmi, si dhe të huajt njëkohësisht, që intrigohen nga emri Shqipëri, por frenohen nga çmimet për të arritur atje, kur shumë mirë me biletën e një pasagjeri për Tiranë shkohet katër veta, siç shkova unë para disa javësh në Marok.

Shembuj mund të japin të gjithë ata që lexojnë këta rreshta për shumat që ata vetë mund të kenë paguar.

Shumë mirë bën qeveria “Rama” që po negocion një koncesion, që ia vlen jo vetëm të negociohet sa më shpejt, por edhe të anulohet, nëse nuk ka opsion tjetër.

Jam i ndërgjegjshëm për vështirësitë, qofshin edhe ato politike e diplomatike me një kompani gjermane, kur Shqipëria e Ramës kërkon afrim dhe ka nevojë shumë të madhe për gjermanët e Merkelit.

Por nuk ka kuptim të punosh për infrastrukturën rrugore, kur “lë në ajër”, atë ajrore të hipotekuar nga gjermanët.

Ia vlen që edhe qeveria shqiptare të subvencionojë, siç bën Maqedonia e Mali i Zi, për mundësimin e hapjes së fluturimeve të sa më shumë linjave low-cost.

Dhe ky do ishte një sugjerim edhe për atë që do të jetë kryebashiaku i ri në Tiranë, me shumë gjasa Erion Veliaj, që të punojë më shumë për hapjen e Tiranës për Ryanair apo Easyjet, për Transavia apo Wizzair, pasi kështu bëjnë rëndom shumë kryebashkiakë metropolesh.

Nuk ka shqiptar të Anglisë që nuk do vinte çdo muaj, sikur edhe 150 sterlina të ishte bileta e jo më lirë, mes Londrës e Tiranës.

Po ashtu nuk ka anglez që nuk do vinte, siç ishin do të atillë, në fluturimin Londër-Podgoricë, kur unë erdha së fundmi në Shqipëri.

Ka ardhur koha që edhe Tirana të gjejë një rrugë të re për të thithur paratë e shqiptarëve që jetojnë jashtë, përmes lehtësimit të ardhjes së tyre më shpesh e më shumë në atdhe, pasi udhëtimi me rrugë është tërësisht lodhës e rraskapitës e jo pak kanë humbur jetën rrugëve të Ballkanit në udhëtimet disaditore, kur ardhja mund të jetë jo më shumë se dy orë e gjysmë, e me një fraksion të asaj që paguajnë në alternativën më të mundimshme.

Çdo çmim do t’ia vlente ekonomikisht për një rinegocim, madje edhe anulim të koncesionit si variant të fundit, pasi Shqipëria dhe shqiptarët, pa harruar edhe të huajt që duan të vizitojnë Shqipërinë, do sjellin më shumë likuiditet të dëshiruar për tregun dhe ekonominë shqiptare.

Në fund të fundit, shqiptarët e Anglisë duan të vijnë pa iu dridhur xhepi dhe me të njëjtën lehtësi dhe dëshirë në Tiranë, siç vjen Nano dhe shumë të tjerë si ai në Londër.

One comment

  1. Zoti   Arben ,  ne  rradhe  te  pare  duhet  te  falenderome  zotin  Rama  kryeministrin  e  vendit  tone,  qe  per  here  te  pare  mbas  largimit  te  Berishes  nga  pushtetit,  shikojme  te  hapet  drita  jeshile  per   te  zgjidhur    ngarcin  qe  krijoi   Fatos  Nanua   duke  nenshkruar  marveshje   qe  me  shume  i  demtojne  shqipteret  se  i  ndihmojne.   Deklarata   e  kryeministrit  Rama   na  gezoi  sa  moralisht, pore  me  shume  edhe  materjalisht.  Pra  ca kohesh    donim  te  shkonim  ne  GJermani  me  familjen    per  te  takuar  djalin,   u  interesuam  per  bileta  dhe    ne  Tirane   bileta  kushtonte    shume  me  shtrenjte    se  nga   SHkupi, prandaj  vendosem  dhe    udhetuam  nga  andej.    Si  Ju   dhe  une ka  me  qindra  e  mijra  emigrante   nga  Evropa  dhe  Amerika  qe  presin   qe  ky  problem  te  zgjidhet  sa  me  pare  edhe  pse    drogaxhiu  Nano    e  di  vet pse  e  ka  bere  kete   marveshje  qe  eshte  ne  dem  te  SHqiperise  dhe  shqiptareve, pse  jo  dhe   turizmit,  sepse  cdo  kush, sidomos  njezit  e  zakonshem  qe   parane  e  nxjerin  me  djerse, pore  edhe  te  huaj  qe  shikojne  shume  anan   ekonomike   te  udhetimit.   SHpresojme  se   qeveria  Rama    do  ti  jape  zgjidhje  edhe  keti  problemi .

Leave a Reply

Your email address will not be published.